Preç Zogaj
Dje, pas një heshtjeje më shumë se dymujore, pati dy lajme me jehonë në Shqipëri nga Departamenti i Shtetit.
Njëri, ai për emërimin në një detyrë të re të ish-ambasadores, Juri Kim, nuk ka ndonjë rëndësi për zhvillimet në vendin tonë. Por merr vëmendje vetëm në kontekstin e “lajmeve” të vazhdueshme nga fronti berishist sikur është hequr me ceremoni dhe po hetohet. Aq të sigurt e kishin bërë shporrjen e saj emisarët e Berishës sa dy a tre prej tyre më drejtoheshin edhe mua nëpër televizione, a thua e kisha emëruar unë ambasadore në Tiranë: “Ku e ke Kim, e ke marrë vesh se po shkon për lesh”? Kuptohet se me drejtoheshin ashtu, ngaqë kam mbështetur qëndrimet e përfaqësuesve diplomatikë të SHBA-ve në Tiranë si qëndrime të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit e jo se kam përfituar ndonjë gjë për vete prej tyre.
Lajmi tjetër, shumë i rendësishëm, është ai i vlerësimit të SPAK në raportin e vitin 2024. Shumë i rëndësishëm, pikësëpari në kontekstin e një heshtjeje relative nga administrata e re e Presidentit Tramp. Krejt e shpjegueshme në kontekstin e startimit të saj me prioritete madhore, por që kishte hapur shumë gojë në Tiranë, sikur SHBA do t’i heqin prizën SPAK. Për rrjedhim dy aktorët kryesorë të kastës plurale solidare do të kishin dorë të lirë për ta kastruar (Rama) dhe për ta shkrirë (Berisha)!
Synimi imediat i këtyre zotimeve ishte të shvlerësonin hetimet e përfunduara, të dekurajonin hetimet në proces dhe në përspektivë, duke bërë analogji pa lidhje me problemet e Tramp me drejtësinë amerikane.
Kush ka një dozë normale profesionalizimi, ka paralajmëruar herët se në kohën e duhur, brenda mars-prillit, do të kishte një prononcim të parë mbështetës-inkurajues të Administratës së re amerikane për SPAK. Dhe ja ku jemi.
Në raportin e botuar dje, nga shumë të hetuar të sferave të larta që ka sot Shqipëria, përmendet me emër vetëm Sali Berisha, duke referuar aktet ligjore administrative ku është mbështetur sanksionimi i tij.
Raporti është botuar pas kompletimit të drejtuesve të rinj në Zyrën për Europën dhe Euroazinë, që mbulon edhe Ballkanin e Shqipërinë.
Më e bukura, Raporti jo vetëm vlerëson punën e SPAK, por nënvizon me nota kritike-nxitëse se “megjithatë, ndjekjet penale mbeten në nivele të ulëta”. Prokurorët e ndershëm dhe kurajozë të SPAK, sikurse gjyqtarët e GJKKO, kanë arsye të ndihen më të inkurajuar në punën e tyre. Publiku i gjerë ka arsye të mbajë lart besimin dhe mbështetjen për drejtësinë e re.
Ka ndodhur ajo që pritej. Krejt e kundërta e “lajmeve” të kasandrave të Berishës që e bënin fakt të kryer heqjen e saksionimit të tij dhe komunikonin më të tjerët si për një gjë që kishte ndodhur. Kur në fakt nuk kishte ndodhur e nuk ka ndodhur.
“Misionarët e rosës”, i quante dikur Spartak Ngjela tipat që i sillnin Berishës lajme të zmadhuara apo të rreme, që e dinin se mezi i priste, me qëllim që të merrnin prej tij vëmendje, vlërësim, kandidim, emërim e tjerë. “Sill rosën, merr shpërblimin”, qeshte Ngjela.
Kjo histori ka vazhduar e vazhdon. Berisha me të tijtë e kanë bërë hit refrenin “koha na dha të drejtë”. Makare, thonë në Shkodër. Shumë demokratë dhe opozitarë jo berishistë do ta dëshironin këtë. Në radhë të parë për një interes konkret, që është rrotacioni i pushtetit pas dymbëdhjetë vjetësh.
Por gjërat duhen thënë siç janë. Deri tani koha nuk u ka dhënë të drejtë për asgjë. As për si e ka treguar Berisha sanksionimin e tij, as për pasojat e lëvizjes së tij për marrjen e kreut të PD-së.
Nuk ia vlen ndalemi me hollësi te narrativat e shumta njëpërdorimëshe që ka konsumuar për të mbajtur e shtuar radhët e ndjekësve. Në këtë pikë, le ta pranojmë se ka vepruar me mjeshtëri, si njohës i mirë i botëkuptimit dhe botëndijimit të tyre, i dritë-hijeve të natyrës njerëzore, duke kuar me përparësi pjesën e hijeve.
Ajo që ka mbetur është se sanksionimi i tij nuk është bërë se ka penguar “ndarjen e Kosovës”, siç ka trumbetuar gjatë. Nuk lidhen pazëll-ët. Administrata Biden ishte kategorisht kundër një marrëveshjeve të paqes mes Kosovës dhe Serbisë me shkëmbim territoresh.
Sanksionimi nuk ka asnjë lidhje me aferën “McGonigal”, një dru i shtrembër i FBI-së së Nju Jorkut, që është hetuar e dënuar me burg për shkelje të rënda dhe korrupsion nga vetë drejtësia amerikane. Veç të tjerash edhe për një ryshfet prej dyqind e njëzet e pesë mijë dollarësh, marrë nga një pjesëtar shqiptar i ujdisë së tij me Edi Ramën kundër ish kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Edhe në këtë histori pazëll-ët nuk lidhen, datat nuk përkojnë, një histori pa data të sakta është si një përrallë. Veç po të bëhej Berisha Bashë.
A mund të imagjinohet që një ish punonjës i FBI që është larguar nga detyra dhe vënë në hetim disa kohë përpara sanksionimit të ish kryeministrit shqiptar, të mund të vërë në lëvizje mekanizimin ndërinstitucional të sanksionimeve në shtetin më të fuqishëm të botës? Këtë mund ta mendojnë vetëm ato mendje të ngushta që e dinë SHBA një çerdhe intrigash të nivelit të një seksioni partie në një lagje të Tiranës.
Koha nuk u ka dhënë të drejtë akoma për kryesoren e refrenit, që është heqja e non gratës nga administrata e re. Citimi i saksionimit dhe hetimit të Berishës në Raportin e djeshëm të Departamentit të Shtetit është një lajm i keq për çfarë presin.
Së fundi, mbetet fitorja në zgjedhje, premtimi më joshës dhe më mobilizues i Berishës për ndjekësit. Sondazhet korente të dy kompanive me emër si “Piopoli” në Itali dhe “Eurobarometri” fotografojnë për koalicionin “Shqipëria madhështore” një përqindje me të ulët se PD plus LSI në vitin 2021. Nëqoftëse mbetet ky rezultat, i bie që opozita e Rithemeluar të ketë humbur katër vite kot përgjatë mandatit më të zi të Edi Ramës sa i takon përfshirjes së verifikuar në korrupsion të një numri shumë të madh zyrtarësh të partisë së tij. Në një kohë kur katër vjet më parë PD dhe LSI kanë qenë vetëm 37 mijë vota prapa PS-së. Dramë e madhe, por le të presim verdiktin e zgjedhjeve.