Milorad Dodik u shfaq krah zv/Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Ivan Stoilkovic, i cili është njëherësh edhe përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit, në përkujtimin e përvjetorit të agresionit të NATO-s në Serbi
Presidenti i entitetit të Republikës Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik ka arritur të largohet, pavarësisht se për të ishte lëshuar një urdhër-arrest pas dënimit. Ai mbrëmë nga Beogradi ka udhëtuar për në Izrael.
Pas zbarkimit në Izrael, Dodik dërgoi një mesazh në rrjetin social X dhe tha se respekton thellësisht historinë dhe vendosmërinë e Izraelit.
“Unë kam filluar një vizitë në Izrael, një vend, forcën, historinë dhe vendosmërinë e të cilit e respektoj thellësisht. Izraeli tregon se liria dhe siguria nuk kanë çmim dhe se një popull që e di se kush është – nuk pranon të jetë as një objektiv, as një vartës, shkroi ai.
Ai shtoi gjithashtu se Republika Srpska dhe Izraeli mbrojnë njëri-tjetrin pa kërkuar falje.
Ashtu si Izraeli mbrohet pa falje, po ashtu edhe Republika Srpska mbron të drejtën e saj për të ekzistuar, vendosur dhe ruajtur besëlidhjen e të parëve të saj. Serbët dhe hebrenjtë janë popuj që u përpoqën të zhdukeshin plotësisht – dhe ata mbijetuan. Kjo është arsyeja pse ne e kuptojmë njëri-tjetrin. Dhe kjo është arsyeja pse ne qëndrojmë së bashku”.
Milorad Dodik është planifikuar të marrë pjesë në Konferencën kundër Antisemitizmit në Jerusalem, Izrael, më 26 dhe 27 mars.
Largimi i Dodikut shkaktoi reagim të Policisë Kufitare në Bosnjë-Hercegovinë, pasi me urdhër të drejtorit Mirko Kupresakoviq nisi një hetim mbi mënyrën se si ai e ka kaluar kufirin shtetëror.