Ekspertizë

“Rebeli”, botim i UET Press/ Historiani Marenglen Kasmi: Ikonomi i ka dalë ballas me sukses të trajtojë një figurë si Noli

Shkruar nga Liberale

“Rebeli”, botim i UET Press/ Historiani Marenglen Kasmi: Ikonomi i

Ky botim trajton Nolin si politikan, drejtues shteti e reformator, ndonëse historia tregoi që mendimet dhe vizionet e tij demokratike liberale më së shumti mbetën në kuadër të një programi politik, i cili për shumë arsye nuk arriti të realizohej, madje vlerësuar sot në retrospektivë as që mund të ishte e mundur të arrihej në tërësinë e tij, në një Shqipëri sikurse ishte ajo e viteve 1920.

Kemi në duar e po promovojmë sot vëllimin e dytë të librit për Fan Nolin, botim i UET Press, të autorit Ilir Ikonomi. Libri është titulluar “Rebeli”. Një titull provokues, i cili padyshim nxit kërshërinë e lexuesit për brendinë e tij.

Së pari dua të uroj autorin, z. Ikonomi, për veprën e tij të radhës dhe i uroj njëherazi atij suksese për hartimin e vëllimit të tretë, për të risjellë pranë lexuesit edhe më të plotë jetën dhe veprën e ndoshta personazhit historik më interesant të kombit shqiptar, Fan Noli.

Në këtë vëllim autori ndalet në vitet 1920-1924 dhe e ka ndarë librin në tre kapituj, të titulluar përkatësisht “Në terren të vështirë 1920-1922”, “Pushtete të brishta 1922-1923” dhe “Gjashtë muaj kryeministër 1924”.

Ndonëse titujt e çështjeve të trajtuara në kapituj të japin përshtypjen e zgjedhjes së rastësishme sipas dokumentacionit që ai mund të ketë pasur në duar dhe që në vetvete ato mund të trajtohen edhe si tematika të pavarura, në tërësinë e tyre lexuesi arrin të bëjë një lexim kronologjik të ngjarjeve, zhvillimeve kryesore e veprimtarisë së Nolit, çka sigurisht që është meritë e shkrimit të zhdërvjellët dhe gjuhës sa zgjedhur e të përmbledhur, që autori e zotëron me mjeshtëri.

Libri është shkruar në një gjuhën të qëruar, çka është përsëri një tregues i artit të të shkruarit të autorit, që fatkeqësisht në botimet e sotme shpesh është përjashtimi e jo rregulli.

Ky botim trajton Nolin si politikan, drejtues shteti e reformator, ndonëse historia tregoi që mendimet dhe vizionet e tij demokratike liberale më së shumti mbetën në kuadër të një programi politik, i cili për shumë arsye nuk arriti të realizohej, madje vlerësuar sot në retrospektivë as që mund të ishte e mundur të arrihej në tërësinë e tij, në një Shqipëri sikurse ishte ajo e viteve 1920.

Noli qëndroi në Shqipëri realisht jo më shumë se dy vjet e gjysmë. Ndaj, me të drejtë Ikonomi shkruan se “gjatë kësaj kohe të shkurtër betejat e tij ishin komplekse, prandaj i tillë është edhe ky libër”. 

Ky është një libër ndryshe, si nga përmbajtja, trajtimi por edhe stili i të shkruarit, ku  gërshetohet gazetari me historianin. Sigurisht që një gazetar me përvojë e i sprovuar si Ikonomi arrin që duke i ndërthurur me zotësi të dyja gjinitë, të sjellë një botim të qëndrueshëm, i cili në trajtimin e tij dhe mënyrën e ndërtimit të librit sfidon, ndoshta fjala më e saktë do të ishte provokon, historianët që merren me këtë periudhë por edhe lexuesin, duke nënkuptuar se edhe Fan Noli, ashtu si çdo personazh historik e qenie humane, duhet parë me ngjyra, e jo bardh e zi.

Parë në këtë këndvështrim, ky botim edhe më interesant, kur autori përpiqet të na tregojë Nolin nëpërmjet detajeve, herë të njohura e herë të panjohura, duke sjellë ngjarje, takime, bisedime e qëndrime të mbajtura nga diplomatët e huaj ndaj tij apo hera-herës duke i vendosur përballë edhe personazhe të tjerë, si për shembull Ahmet Zogun, me qëllim që lexuesi të jetë në gjendje të krahasojë e nxjerrë përfundime. Këtu mund të themi se gazetari dominon ndaj historianit.   

Trajtimin më të zgjeruar në libër e merr pikërisht kapitulli i tretë, Noli kryeministër.

Sa më sipër, unë po ndalem në fjalën time vetëm në disa çështje që autori rreket t’u japë përgjigje në libër, çka ai e nënvizon edhe në pasthënien e botimit, nëse për ngjarjen e qershorit bëhet fjalë për një revolucion, kryengritje a puç ushtarak.

Ikonomi shtron atë qe e quan pyetjen e provës: “A sollën ngjarjet e qershorit 1924 ndryshime të tilla që të linin gjurmë në shoqërinë shqiptare, apo ishin thjesht një rebelim ushtarak, i shoqëruar me një ndryshim të përkohshëm pushteti? A e zgjidhën ato pronësinë mbi tokë, problemin më të mprehtë shoqëror me të cilin po përballej Shqipëria e varfër e asaj kohe? A e reformuan ato sistemin gjyqësor dhe atë legjislativ”? Më tej, autori shton se “siç mund të kuptohet nga faktet e paraqitura në këtë libër, fjala revolucion do të ishte e ekzagjeruar për lëvizjen e qershorit, nëse marrim si pikë referimi përmbysjet që kishin bërë epokë, si ato në Francë, Amerikë, Rusi ose gjetkë”.

Në një mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se autori e trajton këtë ngjarje si një komplot të organizuar nga opozita ndaj qeverisë së kryeministrit Vrioni, i cili u vu në zbatim pas vrasjes së Avni Rustemit, çka autori thekson se “opozita ishte e përgatitur të mos e lëshonte nga dora deri sa të kishte nxjerrë të gjitha përfitimet e mundshme politike”.

Duke e njohur vështirësinë e trajtimeve biografike, e sidomos për figura historike komplekse, ajo çka autorin e ndihmon në arritjen e një objektivizmi historik të pëlqyeshëm është metodologjia e zgjedhur, e cila në shkencën e sotme moderne historike perëndimore konsiston në dallimin ndërmjet historisë përshkruese dhe shkrimit strukturor të historisë. Nëse në biografishkruarje ndiqet metodologjia e parë, atëherë rezultati shkon më tepër në drejtimin përshkrues dhe paraqiten më tepër detaje të brendshme të personazhit por që qëndrojnë gjithmonë në rrafshin një dimensional, pavarësisht shumëngjyrësisë së tij. Nëse ndiqet metoda e dytë, e cila është padyshim më e pëlqyeshmja, më e qëndrueshmja shkencërisht dhe më e përhapura ndër historianët biografë, atëherë personazhi historik trajtohet në pikëpamje strukturore, pra shumëdimensional dhe i pa shkëputur nga konteksti kohor ku ai vepron me të gjitha veçoritë e saj.

Pa dashur të keqkuptohem, pasi si historian jam duke folur për një libër historik të shkruar nga këndvështrimi i një gazetari dhe pa dashur po ashtu aspak të ul vlerat e këtij botimi, duhet pikësëpari të theksoj se të shkruash për një figurë të madhe si Noli, pa dyshim që është një sfidë e madhe dhe Ikonomi i ka dalë ballas me sukses kësaj sfide.

Por po ashtu nuk mund të rri pa thënë që ndoshta do kishte qenë e nevojshme që në libër të bëhej edhe një analizë e situatës politike, ekonomike e shoqërore të Shqipërisë së këtyre viteve, çka në thelb është jo vetëm çelësi për të kuptuar të gjitha këto zhvillime, e sidomos rolin e Nolit në tallavanë politike të Shqipërisë asokohe. Po ashtu, ky është një kriter i pashmangshëm metodologjik  në hartimin e një biografie politike.

Nga ana tjetër, autori ndalet gjatë në përshkrimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë në vitet 1920-1922, ku theksohet fort roli i Nolit si politikan, diplomat e patriot në lidhje me problemet e Shqipërisë.

Në vitet 1920-1925 u ndërruan 12 qeveri, me nëntë kryeministra. Janë vitet e destabilitetit të madh politik e shoqëror, ende shumë larg një situate politike të konsoliduar. Më tej, ekonomia shqiptare ishte në gjendje të mjeruar. Si pasojë e sundimit të gjatë osman, hendeku ekonomik ndërmjet shtresave të shoqërisë ishte më tepër se i madh. Situata e keqe e të mbjellave, e sidomos në vitet 1922-1924 për shkak të kushteve të këqija natyrore e kishin rrënuar tërësisht ekonominë bujqësore. Sidomos fshatarësia ishte pa bukë dhe e mbytur në borxhe. Pa folur për gjendjen agrare, ku pjesa më e madhe e tokave të punueshme ishte e përqendruar në një numër të vogël njerëzish, një pasojë kjo e drejtpërdrejtë e politikave sunduese osmane.  

Po ashtu, të pakënaqur ishin edhe shtresat e ndryshme qytetare, përfshirë edhe nëpunësit e shtetit, ushtrinë, xhandarmerinë etj., të cilët kishin muaj pa marrë pagën.  Një përpjekje e qeverisë Vërlaci për të ulur tonet me opozitën, duke marrë dy përfaqësues të saj në qeveri, u trondit nga vrasja e Avni Rustemit, i cili ishte shndërruar në një simbol të atdhetarisë dhe të demokracisë në sytë e shumë shqiptarëve. Kjo ngjarje solli mbylljen përfundimtare të gjithë kanaleve të komunikimit politik ndërmjet forcave të ndryshme, çka i lëshoi vendin konfliktit të armatosur.

Sa më sipër, kryengritja e qershorit nuk mund të thjeshtohet në një puç ushtarak, pra thjesht në një çështje pushteti, duke i mohuar kësaj lëvizje përmbajtjen demokratike, e cila në fakt ishte një vazhdim i revolucionit kombëtar të 1920, por me një ndryshim thelbësor. Tashmë jo për të rifituar pavarësinë kundër pushtuesit të huaj por për të rrëzuar rendin feudal mesjetar, me qëllim demokratizimin e vendit.

Kjo lëvizje demokratike, ku pa dyshim spikaste roli i Nolit, ishte në fakt pjesë e të njëjtave lëvizje, me të njëjtën përmbajtje, që vendet e tjera perëndimore i kishin zhvilluar kohë më parë, sigurisht me veçoritë e tyre. Për arsye që dihen, kjo lëvizje erdhi në Shqipëri e vonuar në kohë. Synimi i saj ishte përdormi i pushtetit politik për zgjidhjen e problemeve ekonomike e shoqërore që qëndronin para vendit. Çështja kryesore ishte zgjidhja e situatës agrare, për të cilën ishte direkt e interesuar forca kryesore e kryengritjes, fshatarësia.

Pa dyshim që përmbysja e qeverisë së Nolit i dha një goditje të rëndë përpjekjeve të forcave demokratike për të nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e feudalizmit dhe për ta futur atë në rrugën e demokracive perëndimore, të përparimit ekonomik e shoqëror. Disfata e revolucionit të qershorit ndërpreu po ashtu përpjekjet për konsolidimin e një shteti demokratik dhe i hapi rrugë ndërtimit të një shteti autoritar nën drejtimin e Ahmet Zogut, fillimisht si republikë presidenciale e më pas si Monarki.  

Së dyti, duke dashur përsëri të qëndroj në rrafshin metodologjik, një nga pikat e forta të autorit në këtë botim është përdorimi i burimeve historike.

Noli është ndoshta një nga figurat historike më të trajtuara. Përveç shkrimeve të shumta që ai vetë ka lënë, është trajtuar gjerë e gjatë e tërë veprimtaria e tij si, publicist demokrat, orator e njohës i mirë i fjalës shqipe, politikan me një potencial të fuqishëm, i cili ju kushtua jo vetëm mbrojtjes së interesave kombëtare por ashtu edhe luftës për ndërtimin e demokracisë së shtetit të ri shqiptar.

Ikonomi ka përdorur një bibliografi të pasur, çka padyshim përbën një vlerë të padiskutueshme të këtij botimi. Në këtë pikë, procesi i kritikës së burimeve historike është i pa shmangshëm, madje një element metodologjik thelbësor.

Autori i referohet shpesh qëndrimeve të ministrave të huaj në Shqipëri, e kryesisht atij britanik e amerikan. Referuar Ikonomit, por edhe botimeve të tjera, bie në sy që shpesh raportet e qëndrimet e ministrit britanik Aires ndaj situatës në Shqipëri e Nolit janë të diskutueshme, pasi dihen interesat që Anglia kishte në këtë kohë për nëntokën shqiptare dhe marrëveshjet që ishin arritur me Ahmet Zogun para se ai të largohej. Kësisoj, këto qëndrime nuk duhen marrë si të mirëqena e jo gjithmonë të besueshme.

Vetë Noli ka deklaruar më vonë se “zoti Aires arriti të bindë të gjithë ç’ishin rreth meje se reformat agrare ishin një inovacion i rrezikshëm bolshevik”. Sikurse edhe vetë autori arrin në përfundimin se “dihej që legata britanike me ministrin Eyres favorizonte Ahmet Zogun dhe kishte antipati për Nolin”. (f.275).

Së treti dhe së fundmi, Ikonomi trajton edhe çështjen e legjitimitetit të qeverisë dhe njohjes ndërkombëtare të saj.

Qëndrimi i distancuar i shteteve të huaja ndaj qeverisë së Nolit është i kuptueshëm. Madje edhe vetë Noli, sikurse z. Ikonomi shkruan, do t’i thoshte ministrit anglez në Tiranë se “... e kuptoj plotësisht se nuk mund të pritet që qeveria britanike të njohë një qeveri, e cila ka ardhur në pushtet me mjete jokushtetuese. Për këtë nuk shqetësohem, sepse e di që njohja do të vijë sapo ne ta meritojmë “. (f. 280)

Megjithatë bashkëpunimi nuk mungoi. Me të drejtë autori arrin në përfundimin se asokohe praktikat botërore të njohjes bazoheshin në përvoja tashmë të konsoliduara. Asnjëherë dhe në asnjë rast nuk kishte pasur njohje të shpejta të qeverive të ardhura me revolucion popullor. Britania e Madhe e kishte njohur qeverinë e dalë nga revolucioni portugez i 1909 një vit më vonë. Po kaq vonë kishte njohur edhe qeverinë kineze të dalë nga revolucioni i vitit 1912. Pra, njohja e qeverive të kësaj kategorie pasonte vetëm kur stabilizohej jeta politike në vend dhe krijoheshin të gjitha institucionet kushtetuese. Parë në këtë këndvështrim, njohja apo mosnjohja e qeverisë së Nolit nuk mund të shikohet si  një arsye kryesore për rënien e qeverisë së Nolit. Sigurisht që huaja e mohuar për Nolin nga Lidhja e Kombeve do të kishte pasur një ndikim pozitiv në qeverisjen e tij.

Z. Ikonomi shkruan që në sytë e qeverive europiane ekzistonte mendimi se “që nga rilindja e saj në vitin 1920, Shqipëria nuk kishte bërë ndonjë përpjekje serioze për të zgjidhur vështirësitë e veta të brendshme dhe kishte dhënë pak prova se ishte vërtet e interesuar për të luftuar korrupsionin e për të vënë rregull në financat e veta.” (f. 302).

Po e mbyll duke cituar z. Ikonomi, i cili në fund të librit shkruan se “Përsa i përket Nolit personalisht, koha e shkurtër, gjatë së cilës ai përfaqësoi vendin në Lidhjen e Kombeve ose punoi në Shqipëri, pati sa suksese aq edhe zhgënjime. Nga disa bashkatdhetarë, ai do të mbahej mend si luftëtar dhe orator i zjarrtë i nacionalizmit shqiptar, që frymëzonte shpresë me programin e tij për ta çuar vendin përpara. Të tjerë do ta kujtonin si njeriun me ide të mëdha e progresiste, por që nuk e njihte mirë Shqipërinë dhe nuk iu përshtat dot rrethanave, prandaj dështoi politikisht. Gjithsesi, historia e tij flet shumë për malet e vështirësive që duhej të kapërcenin ata udhëheqës, të cilët dëshironin të sillnin ndryshime në një vend të prapambetur dhe konservator si Shqipëria”.

E përgëzoj edhe njëherë autorin për punën e bërë. Ky libër do të shërbejë padyshim si një bazë e mirë për studimin dhe njohjen e mëtejshme të figurës më gjeniale të shqiptarisë, Fan Nolin.

Librit i uroj udhë të mbarë dhe presim me shumë interes vëllimin tjetër!

 

*Analiza e historianit Marenglen Kasmi, të cilën e prezantoi gjatë promovimit të “Rebeli”, vëllimi i dytë i biografisë së Fan Nolit nga studiuesi Ilir Ikonomi, botim i UET Press

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH