Ndriçim Kulla
Arkeologu i famshëm italian Luigi Ugolini në librin e tij “Shqipëria e Lashtë”, të botuar në 1927, tregon se mikpritjen e gjeti njëlloj në të gjitha anët e Shqipërisë, nga Veriu në Jug:
Shqiptari pret mysafirë me shumë kënaqësi. Edhe kur është i varfër, ai mirëpret në mënyrë shumë dinjitoze dhe të përzemërt udhëtarin e panjohur që troket në portën e tij. E gjithë ajo që aim und të ketë është në dispozicion të mysafirit. Mëse një herë unë jam prekur thellë duke vërejtur se si familja bënte gjithçka që mundej për të më bërë të ndjehem mirë dhe se si ajo ishte e pafuqishme për të përmbushur dëshirat e veta bujare për shkak të mungesës së mjeteve dhe mundësive. Me zemërgjerësi shprehja kënaqësinë për sa më jepej. Ajo ishte gjithçka ata mund të më jepnin, ndonëse për mua, i lodhur nga marshimet e gjata e të mundimshme, ishte pothuajse asgjë. Vezë, djathtë, bukë e vendit dhe kafe e raki kur kishin, përbën shpesh darkimin tim; një mbulesë e hedhur përtokë, në të njëjtin mjedis ku pushonte familja e bariut dhe bagëtitë, përbënte ndonjëherë shtrojën e natës për gjymtyrët e mi të lodhur, që dëshironin tjetër gjë. Megjithatë, unë isha dhe do t’ u jem përherë mirënjohës këtyre malësorëve të mirë, njëlloj sikur të më kishin pritur në pallate madhështore. (Luigi Ugolini: “Shqipëria e Lashtë”, Shtëpia botuese “Migjeni’, Tiranë 2009, f. 16-17)
Çifti britanik Jan e Cora Gordon, që e vizitoi Shqipërinë nga Tirana, në Jug e në Veri, në 1925, tregon për mikpritjen që gjeti në Mallkastër, në Shqipërinë e Jugut, ku i i zoti i shtëpisë, ish-emigrant në Amerikë, bëri të pamundurën për t’ i respektuar dhe kënaqur:
Një darkë e shkëlqyer aty për aty, që do të surprizonte këdo, shumë më e mirë se cilado shtëpi fshati në Angli, na u shërbye pjesërisht nga vetë i zoti i shtëpisë dhe po ashtu edhe nga gruaja e tij e ndruajtur dhe e vogël tej mase.(Jan & Cora Gordon: “Dy bredharakë në Shqipëri: shënime udhëtimi”, Botimet “Jozef”, Durrës 2014, f. 199-200)
Jan e Cora Gordon tregojnë se çfarë ndodhi kur ata deshën ta paguajnë të zotin e shtëpisë:
Të nesërmen në mëngjes ne donim të kompensonim mikpritjen e tij, por ai na tha me një buzëqeshje qortuese:
“Nëse një person që njeh mirë zakonet e vendit do të më afronte pagesë për një natë fjetjeje, do të më fyente. Unë them se ju nuk kishit ndërmend një gjë të tillë.”
Po ne protestuam duke thënë se kishim ardhur pa ftuar dhe ishim përplasur në shtëpinë e tij.
“A kini dëgjuar vallë për mikpritjen shqiptare? pyeti ai.” (Jan & Cora Gordon: “Dy bredharakë në Shqipëri: shënime udhëtimi”, Botimet “Jozef”, Durrës 2014, f. 201)
Por jo të gjithë shqiptarët qenë engjëj mikpritës. Kishte edhe të djallëzuar që donin të përfitonin nga të huajt. Por edhe në këtë pikë kemi një ngjarje të treguar nga këta dy udhëtarë anglezë që na sjellin reagimin plot indinjatë të gjithë popullit të qytetit të Elbasanit, për shkak se këta dy të huaj u trajtuan keq në një gjelltore:
Kur u kthyem në han pamë se thashethemnaja kishte fluturuar para nesh; hanxhiu që u çua nga gjumi i pasdites, ku flinte mbi një shtroje në dysheme pranë hyrjes, na pyeti:
“Është e vërtetë se keni paguar një gjysmë napoloni për darkën që hëngrët natën e kaluar? Pa më thoni, sa pjata morët.” (Jan & Cora Gordon: “Dy bredharakë në Shqipëri: shënime udhëtimi”, Botimet “Jozef”, Durrës 2014, f. 44)
Kjo u quajt një skandal aq i madh në qytet, sa një mbrëmje i zoti i restorantit, i detyruar nga indinjata e opinionit publik por edhe nga zemërimi i autoriteteve shkoi dhe u ktheu shumën e parave mbi çmimin real:
Një mbrëmje, një herë tjetër nga fundi i qëndrimit tonë, ndërsa ktheheshim nga darka dhe po kalonim portalin e hotelit tonë, një figurë që u vodh nga errësira, m’ u afrua dhe më la në dorë një shumë të vogël koronash argjendi.
“Çfarë janë këto?” e pyeta.
“Është kusuri i gjysmë napolonit- nga darka e kaluar.” (Jan & Cora Gordon: “Dy bredharakë në Shqipëri: shënime udhëtimi”, Botimet “Jozef”, Durrës 2014, f. 50)
Për dy udhëtarët britanikë kjo ishte aq e pabesueshme sa ata menduan se:
Përfituesin e kishin detyruar zyrtarisht të kthente paratë. (Jan & Cora Gordon: “Dy bredharakë në Shqipëri: shënime udhëtimi”, Botimet “Jozef”, Durrës 2014, f. 50)
Por, duke qenë se vetë ata të dy pohojnë se ngjarja bëri përshtypje shumë të keqe në qytet, më shumë mundësi ka që abuzuesi t’ i ketë kthyer paratë me dëshirën e tij se e kuptoi që askush nuk do të shkelte më në gjelltoren e tij ku ishte abuzuar ndaj ty të huajve. Eqrem Vlora, në kujtimet e tij na sjell një shembull të mikpritjes shqiptare në fshatin Dukat, në Labëri:
Dhe kështu pasdite ne zbritëm në luginën e egër dhe të bukur të lumit të Dukatit, poshtë Qafës së Shëngjergjit. Diku, në një gropë të thellë poshtë nesh, pamë një kasolle bjeshke dhe pranë saj një djalosh që duke tundur duart fort e duke bërtitur me të madhe, po na ftonte të shkonim në kasollen e tij. Disa prej njerëzve të mi, nga skota fodulle e lakmitare e agallarëve, i thirrën djalit që ta tregonte mikpritjen e tij duke na sjellë për të pirë. E thënë, e bërë! Djali hodhi sakaq në krahë një vedër me dhallë dhe mori përpjetë! Dhjetë minuta më vonë ai ishte pranë nesh dhe ne e pimë sakaq me kënaqësi të madhe lëngun freskues. Erdhi ndërkaq edhe grupi i dytë i shoqëruesve të mi që kërkuan edhe ata dhallë. Djali u kthye përsëri, pas njëzet minutash, me një vedër tjetër plot me dhallë, të cilën gurmazët e djegur të “trimave” të mi e pinë më shpejt se të parën. Por kur, më në fund erdhën edhe disa të vonuar dhe kërkuan dhallë, djali ra ngushtë dhe pohoi se nuk kishte më asnjë pikë në kasolle. “Atë që ju dhashë ishte rezerva ime për katër ditë. Fshati është tri orë nga këtu dhe përroi dy orë larg. Por ju erdhët në kullotat e mia dhe prandaj jeni mysafirët e mi. Ejani poshtë në kasolle, unë do t’ ju ther e do t’ ju pjek një dash, dhe nesër do t’ ju përcjell vetë deri në fshat.” Ky djalë 15 vjeçar sakrifikoi për mikpritjen krejt rezervën e vet, edhe pikën e fundit të ujit në këtë humbëtirë. Unë u preka me të vërtetë shumë nga bujaria e këtij bariu të varfër, nxorra kuletën dhe i zgjata dy napolona ar. “Zot, ç’ janë këto?”- më pyeti ai., kureshtar. “Merri ato dy napolona!- i thanë njerëzit e mi, me to mund të blesh pesë desh.” Por djali u zmbraps i fyer. “Unë nuk jam dyqanxhi,- na e ktheu ai, -unë nuk e shes me para mikpritjen dhe nderin tim.” Atëherë unë i dhurova një pushkë të shkurtër dhe 100 fishekë, të cilat ai i pranoi me mirënjohje dhe gëzim. (Eqrem bej Vlora, “Kujtime”, Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, Tiranë 2001, vol. I, f. 204-205)
Mikpritja ishte e lidhur me zakonin e besës, fjalës së dhënë. Ai që hyn si mik në shtëpinë e dikujt, është në besë të tij deri kur të dalë nga territori i fisit të tij.Edith Durham thotë për këtë:
Besa e dhënë s’ mund të shkelet. Fuqia e saj është e tmerrshme. Ajo jo vetëm e detyron një burrë të marrë hak për një të ligë që i është bërë një miku me të cilin ka lidhur besë, por dhe një miku të cilit i ka dhënë strehë për një natë dhe ky është një ligj i cili duhet zbatuar deri në fund. (Edith Durham: “Shqipëria e Epërme: një udhëtim në Shqipërinë e Veriut të vitit 1908”, Botim i Institutit të Dialogut dhe Komunikimit, Tiranë 2013, f. 184)
Dhe Edith Durham na sjell dy shembuj për të treguar se cila ishte pozita e mikut, sipas Kanunit, dhe cilat qenë detyrimet e të zotit të shtëpisë ndaj mikut. Durham shkruan për një nga udhëtimet e saj në Shqipërinë e Veriut, në 1908:
Paprekshmëria e mikut ka pasoja të mëdha. Një burrë që më solli për të pirë ujë nga shtëpia e tij, më tha se në këtë mënyrë unë qesh mik te ai dhe se nderi ia kërkonte që, nëse do më ndodhte gjë para se të bujtja te dikush tjetër, të merrte hak për mua.(Edith Durham: “Shqipëria e Epërme: një udhëtim në Shqipërinë e Veriut të vitit 1908”, Botim i Institutit të Dialogut dhe Komunikimit, Tiranë 2013, f. 42)
Shembulli tjetër që sjell Edith Durham është nga Shala e Shkodrës kur vëllai ka vrarë vëllanë për shkak të shkeljes së zakonit të mikpritjes:
Rrëfehet se jo shumë kohë më parë, një malazez, një kriminel i kërkuar nga qeveria, kishte kaluar kufirin e qe strehuar në malet e Shalës, ku një shtëpi e kishte strehuar dhe e kishte mbajtur. Qeveria e Malit të Zi kish ofruar një shumë parash, një kobure e një pushkë si shpërblim për atë që do ta dorëzonte atë të gjallë, ose që do të sillte prova që dëshmonin se ai kishte vdekur. Gjatë kohës që i zoti i shtëpisë s’ qe aty, vëllai i tij i vogël, i tunduar nga shpërblimi, kish vrarë mikun dhe kishte vajtur të merrte shpërblimin. Kur i zoti i shtëpisë qe kthyer në shtëpi, kish marrë vesh atë që kishte ndodhur. “Ç’ të pagoi Princi i Malit të Zi?” pyeti me rreptësi vëllai i madh. Dhe kur mori përgjigjen, ia ktheu: “S’ të paska paguar mjaftueshëm! Merre dhe këtë.” Dhe kishte nxjerrë koburen dhe e kishte vrarë në vend të vëllanë. Më pas kishte vajtuar për atë që kishte ndodhur, por thoshte se nderi i shtëpisë duhej ruajtur. Ajo shtëpi s’ kishte tradhtuar kurrë ndonjëherë më parë një mik e një gjë e tillë s’ do të ndodhte më kurrë. (Edith Durham: “Shqipëria e Epërme: një udhëtim në Shqipërinë e Veriut të vitit 1908”, Botim i Institutit të Dialogut dhe Komunikimit, Tiranë 2013, f. 185)
Një nga njohësit më të mirë të së drejtës zakonore shqiptare, At Shtjefën Gjeçovi ka shkruar për mikpritjen shqiptare:
Ushqimi i Shqyptarvet , si të hershëm ashtu dhe të tashëm, ma i kandshmi, ma i ambli, ma i çmueshmi e ma i bindueshmi, ka qenë, asht e do të jetë: “Buka, krypa e zemra.” Goja e kombit t’ onë vetë e rrfen këtë punë si bujari e gjansi të zemrës, gjith sa herë t’ i msyjnë derën dashamiri a çdo shtektar a nevojar i njofshëm a i panjofshëm, i gjakut t’ onë a i gjakut të huej, kur i thotë: “Mirë se të ka pru Zoti! Bukë e krypë e zemër! Bukë e prras (puri) e gaz.” Ndic Kanuni i gjithëhershëm i Shqyptarëve ka qenë, me pritë mikun, me përbujtë shtektarin kushdo e kahdo të jetë me bukë e me krypë të shtrueme e të dhanuna me gjithë zemër! E përmbasi ta kapërdijë kashatën e bukës së Shqyptarit, miku, xehet si i plangut a si prej shpijarësh së tij, e a ka shpirt kush jo veç me i ban do’ i rreng a dhunë, por as me e përbuzë, se mje te pika e frymës do t’ i dalë zot; e do të gjindet gati me derdhë gjakun për të e për bukë të vet të dhunueme.(“Bota Shqiptare”, Botim i Ministris së Arsimit, Tiranë 1943, f. 355)
Megjithëse këto i shkruan një shqiptar, nuk duken aspak të ekzagjeruara, sepse me jo më pak entusiazëm kanë shkruar për mikpritjen shqiptare edhe shumë të huaj të cilët e kanë provuar atë qoftë edhe një herë të vetme. Një tjetër njohës shumë i mirë i zakoneve shqiptare, At Bernardin Palaj, njëherësh edhe malësor si Gjeçovi, ka shkruar për mikpritjen shqiptare:
Asnji fjalë e Kanunit nuk e kallzon ma fellë e ma dukshëm personalitetin e Shqyptarit se fjala miku i shtëpisë; nëpër këtë fjalë shohim se gjithshka ka Shqyptari ma për zemër: jetë, pasuni, plang, nderë, besë e burrni brez mbas brezi, të gjitha ja fal mikut që i ka ardhë te dera e shtëpisë. Ma i madhi shnjerzim asht me qenë mikpremë: ky nuk mund të duket ndër mbledhje e s’ ka shka ban ndër shokë; hije e zezë randon mbi të e mbi vllaznin’ e tij deri ditën që të lajë vedin dhe mikun, pse gjaku falet me kanu, por nderi s’ i falet kuj; Shqyptari i malevet gjithçka ka me të falë, mikun kurrë s’ ka me ta falë. Kanuni thotë se atij që iu pre miku çdo send do t’ i epet me dorë të majtë e për nën gju mje që ta paguejë mikun. (“Bota Shqiptare”, Botim i Ministris së Arsimit, Tiranë 1943, f. 351)
Shembujt e mikpritjes shqiptare na vinë edhe nga Lashtësia. Në shekullin IV para Kr., babai i Pirros së Epirit ra nga froni mbretëror pas një komploti. Pirron e vogël dyvjeçar e çuan në Shkodër te mbreti ilir Glauku për ta shpëtuar dhe që ky ta ndihmonte për të marrë fronin e të atit. Glauku e mori në mbrojtje si mik dhe megjithëse mbreti maqedonas Kasandri, i cili kishte marrë pjesë në komplot, i premtoi mbretit ilir një shumë të madhe parash për t’ ia dorëzuar Pirron, Glauku nuk e dorëzoi mikun, as kur u kërcënua me luftë.
Faik Konica te libri i tij “Shqipëria-kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” thotë se megjithëse ato që thuhen për mikpritjen shqiptare janë të vërteta, duhet thënë edhe diçka, që shqiptarët e tregojnë mikpritjen e tyre vetëm pasi iu largohet dyshimi ndaj të huajve që i kanë ardhur në derë të shtëpisë. Nëqoftëse detyrimi i të zotit të shtëpisë është mikpritja, detyrimi i atyre që i kanë ardhur në derë, është që të provojnë se nuk janë njerëz të dyshimtë. Përgjithësisht kjo bëhet duke u paraqitur këta te i zoti i shtëpisë me rekomandimin e një të njohuri të tij. Konica thotë për këtë:
Është folur shumë për mikpritjen e shqiptarëve dhe kjo është fare e vërtetë. Kjo frymë mikpritjeje deri në njëfarë shkalle kufizohet nga një prirje për të pasur dyshime tek të huajt. Nuk ka një njeri më të druajtur dhe më të rrudhur se sa një shqiptar që ballafaqohet me të porsaardhurit. Në breznitë e mëparshme, vizitorët e huaj me përjashtim të rasteve kur paraqiteshin si duhet prej dikujt, dyshoheshin se ishin spiunë, që kishin ardhur për të bërë hartat e vendit dhe për të mbajtur shënimet e nevojshme për ndonjë pushtim të planifikuar. Tozeri (udhëtar anglez- N.K.) na rrëfen për vështirësitë që ndeshi një herë kur u përpoq të vizitonte një kullë të vjetër. Ai dhe bashkëudhëtari me të “… e nisën sulmin kundër kullës duke përdorur një gur të madh, meqë mungonte trakullorja (trokitësja-N.K.), sepse derën e kishin shuluar fort dhe ne dëgjonim të zotin që lëvizte lart në katin e sipërm. Në fillim ai bëri sikur nuk na dëgjonte dhe, kur më në fund zbriti, nisi një dërdëllisje para se të na pranonin brenda; siç i tha përkthyesit tonë fshehurazi, ai nuk mund ta kuptonte pse ne donim ta shihnim këtë vend nëse nuk kishim ndërmend që të vinim më pas si pushtues. (Faik Konica, Vepra, Shtëpia botuese “Dudaj”, Tiranë 2001, vëllimi 2, f. 238)
Anglezi Tozer, të cilin e përmend Konica ka udhëtuar në Shqipëri në mes të shekullit XIX. Por Konica thotë gjithashtu se:
Sot dihet fare mirë se ndjenjat e dyshimit kundër të huajve janë zhdukur krejtësisht lidhur me vizitorët që vijnë nga Evropa Juglindore. (Faik Konica, Vepra, Shtëpia botuese “Dudaj”, Tiranë 2001, vëllimi 2, f. 238)
Antonio Baldaci, i cili ka udhëtuar shumë nëpër Shqipëri në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, e shikon zakonin e mikpritjes si të ardhur më tepër nga pragmatizmi se nga nderimi:
Zakoni i mikpritjes mbahet në malësi edhe për shkak të mungesës së hoteleve dhe azileve, si dhe të kushteve të vështira që krijohen shpesh për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet fiseve. Mikpritja shkon deri në teprim; vetë vrasësi, nëqoftëse bie në shtëpi të të vrarit, siç ka ndodhur disa herë, gëzon mbrojtjen e kësaj shtëpie, duke zbatuar armëpushimin. (Antonio Baldaci: “Rrugëtime shqiptare: 1892-1902”, Shtëpia botuese Argeta LMG, Tiranë 2004, f. 42)
Me fjalë të tjera Baldaci pretendon se meqënëse të gjithë shqiptarët kur udhëtojnë nuk mund të gjejnë hotele për t’ u strehuar kur i ze nata, dhe meqënëse udhëtohej me kuaj, mushka, ose në këmbë, nata do t’ i zinte me siguri të gjithë udhëtarët, atëherë që të gjithëve u konvenon zakoni i mikpritjes. Por Baldaci pretendon se të huajve iu kërkojnë para në Shqipëri për mikpritjen e ofruar gjë që nuk është thënë nga autorët e tjerë të huaj:
Ndaj të huajve ndjenja e mikpritjes ndryshon shumë. Edhe pse e përzemërt, krijohet një gjendje e pakëndshme kur të huajit i kërkohen para për strehimin; shqiptari ka një besim foshnjërak se i huaji duhet të jetë gjithmonë shumë i pasur. Te toskët myslimanë ndjenja e mikpritjes qëndron e gjallë dhe e pastër edhe për të huajt. (Antonio Baldaci: “Rrugëtime shqiptare: 1892-1902”, Shtëpia botuese Argeta LMG, Tiranë 2004, f. 42-43)
Branko Merxhani kishte të njëjtin mendim me Baldacin se mikpritja nuk ishte një shfaqje e bujarisë së karakterit, por një zakon pragmatik. Madje Merxhani në 1933 u tërhiqte vëmendjen shqiptarëve se një zakon të ngjashëm kishin pasur edhe fshatarët zviceranë një shekull më parë, por me kohë e kishin braktisur duke e ofruar këtë shërbim me pagesë dhe kjo përbënte një nga të ardhurat më të mëdha të Zvicrës:
Elementet karakteristike të një populli nuk përbëjnë tërësinë dhe formën e prerë të qënies së tij kombëtare. Bie fjala, një popull mund të ketë shumë të shvilluar virtytën që të presij mirë mysafirët. Po kjo nuk është një çfaqje e natyrëshme e karakterit të tij. Mbase është përfundim i disa konditave të caktuara. Këtu e një shekull më parë fshatarët e Svicrës i pritnin kaq mirë mysafirët sa që nuk merrnin të holla nga të huajt. Po sot thua se tërë Svicra rron edhe mbahet me të hollat që lënë në vend vizitorët e huaj. (Branko Merxhani: Vepra, Shtëpia botuese “Plejad”, Tiranë 2003, f. 203)
Joseph Roth, një gazetar gjerman i “Frankfurter Zeitung”, që vizitoi Shqipërinë në vitet ’20 të shekullit të kaluar, thotë në librin e tij “Fjala dhe koburja” se mikpritja ishte një zakon i kuptueshëm në një vend ku ishte shumë e zhvilluar gjakmarrja, dhe se me sundimin e ligjit mikpritja do të bëhej e panevojshme:
Mikpritja! Ky zakon i mirë të kujton kohën fisnike të njerëzimit. Sigurisht, mikpritja e arsyeton mirë veten bazuar në pikëpamjen egoiste të këtyre njerëzve, që në vend të zgjedhin gjyqin, pranojnë gjakmarrjen për të vendosur të drejtën e tyre. Dhe është e qartë që kush përndiqet, ka nevojë për strehë, e në fund të fundit, gjithkujt i qëllon të përndiqet një herë në jetë. Por megjithatë, po të jesh në mënyrë konsekuente skeptik-atëherë vjen kollaj në përfundimin se një polici e përgatitur, është disa herë më e mirë se sa mikpritja. U lutem shqiptarëve dhe të tjerëve të mos më zemërohen, pse nuk jam aq i aftë ta vlerësoj këtë lloj konservatorizmi joproduktiv.(Joseph Roth: “Fjala dhe koburja”, Botimet “Ideart”, Tiranë 2005, f. 69) /Gazeta Liberale