Sport

“Krenar që jam shqiptar”, Ylber Ramadani reagon pas mbylljes së aventurës në Euro 2024

Shkruar nga Liberale

“Krenar që jam shqiptar”, Ylber Ramadani reagon pas mbylljes

Mesfushori ferizajt, Ylber Ramadani ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të reaguar pas eliminimit të Kombëtares së Shqipërisë nga Euro 2024.

Kombëtarja e Shqipërisë mbylli aventurën në Kampionatin Evropian ‘Gjermani 2024’, duke përfunduar e katërta në Grupin B, me vetëm një pikë.

Kuqezinjtë në tri ndeshjet e grupeve humben nga Italia me rezultat 2-1, barazuan 2-2 me Kroacinë dhe në fund u mposhten 1-0 nga Spanja.

Megjithatë, disa nga lojtarët bënë paraqitje të nivelit të lartë, duke qenë në krye të detyrës në të tri ndeshjet dhe kundër yjeve të mëdha të kalibrit botëror.

Njëri nga ta padyshim se ishte djaloshi nga Kosova, Ylber Ramadani, i cili u përball i barabartë me disa nga mesfushorët më të mirë në botë, si Nicolo Barella, Lorenzo Pellegrini, Luka Modric, Mateo Kovacic, Marcelo Brozovic, Martin Zubimendi dhe Dani Olmo.

Pas paraqitjeve brilante, Ramadani ka reaguar me anë të rrjeteve sociale, duke treguar se ndihet krenar dhe duke falënderuar tifozët për mbështetjen e madhe.

Postimi pa ndërhyrje i Ramadanit

I lumtur që isha pjesë e Shqipërisë në këtë rrugëtim në finalet e “Gjermani 2024”. Tre ndeshje, tre finale me tre nga ekipet më të mira të Europës, dy prej të cilave janë shpallur edhe kampione Europe dhe Bote. Luajtëm fort, si të barabartë me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën, duke treguar karakter në çdo sfidë. Faleminderit çunave, faleminderit stafit teknik dhe të gjithë stafit drejtues që ka qenë pranë nesh.

Një falënderim të veçantë për tifozët që na kanë mbështetur në stadium, në çdo rrugë e shesh të Gjermanisë, si edhe çdo ditë në kampin tonë stërvitor.

Mbi të gjitha faleminderit Zotit!

Poll
SHQIPENGLISH