Letërsi

“Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, botim i UETPRESS/ Instalimi i komunizmit, viti zero për shqiptarët

Shkruar nga Liberale

“Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, botim i UETPRESS/

Amik Kasoruho është publicist, përkthyes, autor i disa librave. Krijimtaria e tij u botua pas viteve 1990-të për shkak se jetoi i persekutuar nga regjimi komunist. U arrestua në vitin e tretë të shkollës së mesme si kundërshtar i sistemit dhe qëndroi për shtatë vjet në burgun e Burrelit. Iu hoq përgjithmonë e drejta për të vijuar studimet e larta dhe bashkë me familjen u hodh në fshatin Gosë të Kavajës, ku jetoi për 27 vite. Me ardhjen e pluralizmit u largua për në Itali ku jetoi deri në vitin 2009-të. I njohur kryesisht për publicistikën dhe përkthimin, ai ka sjellë në shqip mbi 60 përkthime nga Pirandello, Allende, Robbins, Rowling, Brontè, Hawthorne etj.

Në 2012-ën botoi me shtëpinë botuese librin me kujtime “Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë e titulluar "Një ankth gjysmë shekullor-Shqipëria e Enver Hoxhës" tregon ngjarjet, ndodhitë, marrëdhëniet gjatë regjimit. Pjesa e dytë, nën titullin "Çmimi i një ëndrre- zgjimi i mundshëm i Shqipërisë" analizon personazhet e vjetra në një kohë ndryshimesh, situatat, reagimet dhe gjithçka që  u bë shkak për një Shqipëri demokratike e perëndimore. Gjatë kësaj jave po sjellim pjesë të shkëputura të këtij botimi, për të kujtuar apo ngjarje të asaj kohe nën lentet dhe penën aspak të mërzitshme të Amik Kasoruho.

Siç thotë edhe Robert Shvarc, “ata që kanë pasur fatin e mirë të mos kenë përjetuar Shqipërinë midis viteve 1945 – 1990, kur të lexojnë këtë kronikë të ngjeshur, por tejet të saktë të asaj periudhe gati gjysmëshekullore, ka të ngjarë të mbledhin buzët e të thonë: "Bah, ç ‘përralla po na treguaka ky!", kurse ata që e kanë përjetuar në kurrizin e tyre do të thonë: "S'paska rrëfyer as çerekun e atyre që kanë ndodhur në të vërtetë!"

Dimensioni ireal

Gjithë njerëzit e autorizuar për të shkruar mbi ngjarjet historike, si burim të vetëm, mund të konsultonin veprat e pasosura të Enver Hoxhës apo botimet e pakta e të kontrolluara imtësisht të dokumenteve që kishin të bënin me jetën e partisë dhe të shtetit socialist. Alfën dhe omegën e dokumentacionit publik historik në Shqipëri e përbënte ajo që ka dashur të shkruajë Enver Hoxha dhe ajo që ka lejuar ai të shkruhet. Por nuk është ky i vetmi shembull në Europën Lindore. Një shembull elokuent i pushtetit eklektik të diktatorëve është rasti i Stalinit që mbajti të ndryrë për shumë vjet testamentin politik të Leninit dhe që, në fund të fundit, diktoi ligjin në të gjithë botën intelektuale sovjetike, duke u paraqitur nga koha në kohë si filolog e jo vetëm si filozof, si muzikolog ashtu sikundër edhe si kritik arti.

Nuk dihet ç’fund kanë pësuar dokumentet që flasin për historinë e kaluar të shtetit, por nuk është ky i vetmi dëm që i është shkaktuar kujtesës kolektive. Ja dhe një fatalitet tjetër i fatit shqiptar: për thuajse 450 vjet pushteti turk fshiu nga faqja e dheut të gjitha dëshmitë e jetës së mëparshme të vendit (regjistra kadastrale, radhorë të pagëzimeve, libra të tatimeve). Ai dokumentacion i pakët që shpëtoi gjendet i përndarë nëpër arkivat e Stambollit, të Vjenës, të Venedikut dhe të Qytetit të Vatikanit. Periudha 1941-1991 është me e trishta jo vetëm se pak gjë mund të gjendet nëpër arkivat e Shqipërisë (më të pasura në dokumente ndoshta janë ato të Beogradit dhe të Moskës), por sepse, mbi të gjitha, përmbyll një tragjedi: kjo fatkeqësi nuk u shkaktua nga pushtues të huaj por nga një grusht shqiptarësh. Në vitet gjashtëdhjetë u rrënua apo u keqtrajtua pjesa me e madhe e godinave fetare, që dëshmonin historinë dhe jetën shpirtërore të popullit, kulturën e tij të bartur nëpër shekuj. U zhduk pjesa më e madhe e veprave të artit që gjendeshin në to, sidomos veprat e pikturës bizantine (sikundër ishin ato të kishave të Beratit dhe të Korçës).

Dorëshkrime me vlerë historike, gjuhësore dhe letrare të pallogaritshme u dënuan të harroheshin dhe kurrë s’u mësua gjësendi për fatin e tyre. Në vitet pesëdhjetë në të gjitha bibliotekat publike u bë inventarizimi i plotë i librave. Gjithë veprat që u gjykuan të dëmshme apo të papërshtatshme për formimin socialist, ashtu sikurse të gjitha gazetat dhe periodikët e huaj (edhe atë shqiptarë të shtypur para 29 Nëntorit 1944 apo dhe në kohët e para të mbasluftës) u vunë në indeks dhe u depozituan në të ashtuquajturin «fond rezervë» prej nga, bashkë me materialin e konfiskuar prej qytetarëve të veçantë dhe institucioneve civile e fetare, pjesërisht përfunduan në fabrikën e kartonit të ish burgut të tretë të Tiranës, aty ku ishin ngritur reparte artizanati. Vepra fort të rralla përfunduan nëpër brumatriçe, që të shërbenin si lëndë e parë për gazetat e Beogradit, me ç’kanë deklaruar dëshmitarë okularë të një veprimi të këtillë barbar. Edhe për të lexuar poezitë e Fishtës apo të Poradecit duhej një autorizim. Me ligj, kultura i përkiste mbarë popullit, në praktikën politike ishte shteti ai që caktonte se kush mund të përfitonte.

Aktet e marrëveshjeve ndërkombëtare, verbalet e bisedave të shumta me udhëheqësit e shteteve të Lindjes nuk u njoftuan kurrë, ashtu sikurse nuk u publikuan proces-verbalet e mbledhjeve të Komitetit Qendror të Partisë, të Byrosë Politike, të Këshillit të Ministrave. Mbarështimi i bilancit shtetëror nuk u bë kurrë i njohur për publikun; të dhënat ekonomike nuk jepeshin me shifra absolute, por në përqindje e thuajse gjithnjë në raport me gjendjen ekonomike të vitit 1938. Kuptohet vetiu se një gjë e tillë ishte një problem për cilindo që do të kishte dashur të dinte si qëndronin punët, Në rast se, ta zëmë, në 1938, nuk ishin prodhuar këpucë dhe në 1960 thuhej se prodhimi ishte shtuar 2000%, cila aritmetikë mund të vinte në ndihmë? Si mund t’i gjente të dhënat e vitit 1938 qytetari i mjerë kur gjithçka ishte e ndryrë me çelës në Arkivin e Shtetit (godina e të cilit, për një koincidencë të çuditshme, ndodhej pranë burgut të Tiranës)? Asnjëherë nuk është mësuar gjë për ushtrinë dhe aq më pak për fondet që caktoheshin për mbrojtjen, pa folur pastaj për ato të destinuara për Ministrinë e Brendshme, shtet i vërtetë brenda shtetit. Vjetarët statistikorë, edhe pse mund të shërbenin shumë pak, nuk u shtypen kurrë rregullisht.

Asnjëherë, absolutisht asnjëherë, nuk u bënë të njohura të dhënat ekonomike të vendeve të perëndimit. Nuk u mor vesh kurrë asgjë për shkallën e inflacionit apo të papunësisë. Vetëm në muajin Mars 1991, dhe krejt rastësisht, u mësua se Shqipëria kishte një borxh prej 350 milion dollarësh «Jemi i vetmi vend pa borxhe» lëvdohej shteti-parti), një deficit prej 320 milion dollarësh, 90.000 të papunë (Shqipëria është i vetmi vend në botë që nuk njeh papunësinë!), dhe këta që të gjithë nëpër qytete. Po të ishin të besueshme shifrat zyrtare mund të krijohej ideja se gjithçka shkonte fjollë, duke justifikuar në këtë mënyrë ekonominë e centralizuar të shtetit. Veç kësaj, edhe pse kohët e fundit nga ana e opozitës është reklamuar me këmbëngulje e drejta për të ditur, akoma dhe sot heshtet rreth të dhënave që ndoshta do të mund të nxirrnin në dritë krimet dhe abuzimet e kryera në 45 vjet despotizëm. Po ashtu nuk u mor gjë vesh kurrë për shpenzimet që përballonte shteti për të financuar nëpërmjet ambasadave lëvizjet marksiste në të gjithë Europën dhe në Amerikën Latine, veçanërisht mbas prishjes me Moskën dhe, më vonë, me Pekinin. Ç’është e vërteta ishin me mijëra «miqtë e Shqipërisë» (ky ishte emërtimi zyrtar) që ftoheshin të kalonin pushimet në Shqipëri me shpenzimet e Shtetit. Edhe në Itali partia e Hoxhës kishte gjetur «miq», në krye të të cilëve qe «komunisti» Fosco Dinucci. Nga ana tjetër propaganda shtetërore paguante një ushtri të tërë përkthyesish, redaktorësh, korrektorësh, tipografësh që të botoheshin në disa gjuhë të huaja veprat e Hoxhës.

Nuk u mor gjë vesh kurrë ku dhe si përfundoi ari i konfiskuar shqiptarëve në vitet 1945-1955 dhe as sa arrinin depozitimet në ar në arkat e Bankës së Shtetit Shqiptar. Në çdo kongres partie, që zhvillohej pa tjetër në çdo pesë vjet, me ton emfatik dhe me fjalë të mëdha, shpalleshin fitoret e arritura nga socializmi në Shqipëri. Në botimet e ndryshme të veprave të Enver Hoxhës dhe të dokumenteve të veprimtarisë se partisë hasesh në variante të sajuara sipas interesave të çastit. Tipik është qëndrimi i partisë (sipas historiografisë zyrtare) ndaj Fan Nolit. Deri në 1947-ën qe konsideruar patriot i madh, madje për të flitej si për një nga farkëtuesit e ndërgjegjes demokratike në Shqipëri, si për atin e republikës (gjë që i përgjigjet se vërtetës). Vetë Noli, në 1946, nga Amerika (ku ishte vendosur andej nga mesi i viteve Njëzet), kishte dërguar një mesazh solidariteti për qeverinë shqiptare të porsadalë nga lufta antifashiste. Por më 1949, me t’u lidhur edhe më fort marrëdhëniet me BRSS dhe menjëherë mbas refuzimit të Nolit për t’u kthyer në Shqipëri, u konsiderua një nacionalist borgjez. Në 1954 u ringjit përsëri në konsideratën e opinionit zyrtar (kësaj radhe pa ndonjë shkak të veçantë) për t’u kredhur në një periudhë të gjatë harrimi, nga e cila është nxjerrë kohët e fundit.

Në vitet Gjashtëdhjetë u botua vëllimi i parë i Historisë se Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, vepër e cila, edhe pse nuk ishte objektive, ruante një farë vlere kronikale. E pra jo vetëm që s’pa dritën e botimit vëllimi i dytë, por u tërhoq nga qarkullimi dhe u vu në indeks edhe i pari. Sepse në të, ç’është e vërteta, Bashkimi Sovjetik, me të cilin qenë prerë të gjitha marrëdhëniet, konsiderohej si një faktor vendimtar i fitores; nga ana tjetër përmendeshin dhe viheshin në dukje mjaft persona, të cilët, tashmë, shiheshin shtrembër nga Hoxha: ndërmjet më kryesorëve Liri Belishova, Liri Gega, Dali Ndreu, Kristo Themelko. Botimi i dytë i Historisë se Partisë Komuniste Shqiptarë u rishikua dhe u ripunua tërësisht, jo vetëm për të hequr soje emrat e udhëheqësve të ndryshëm të partisë që ndërkohë kishin përfunduar kushedi se ku, por edhe për të ndërfutur interpretime të reja në lidhje me marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe me Bashkimin Sovjetik. Gjithë ç’është botuar deri më sot si kujtime përqafon një periudhë shumë të kufizuar të pesëdhjetëvjeçarit të fundit dhe më saktësisht vetëm vitet e luftës. Asnjë personalitet i partisë apo i qeverisë nuk ka botuar kujtime, ditarë, sprova studimi apo vepra teorike. Asnjë personalitet i gjallë i Partisë se Punës se Shqipërisë nuk ka botuar përmbledhje letrash, fjalimesh etj. Askush përveç Enver Hoxhës...

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH