Pas një operacioni të koordinuar mes strukturave shtetërore dhe lokale, është arritur të vihet nën kontroll zjarri që përfshiu malin e Krastës në Elbasan.
Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve dhe efektivëve të Forcave të Armatosura ndaloi përhapjen e flakëve. Aktualisht po punohet për shuarjen e plotë të vatrave të mbetura.
Në operacion morën pjesë 12 ushtarë dhe një mjet zjarrfikës nga Detashmenti i Mbrojtjes Rajonale në Mengël, ndërsa në terren janë angazhuar edhe strukturat e mbrojtjes civile dhe autoritetet vendore, nën drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Për shkak të erërave dhe terrenit të vështirë, ekipet po punojnë me kujdes për të shmangur rindezjen e flakëve. Monitorimi vazhdon, ndërsa strukturat mbeten në gatishmëri për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e zonës.