Babai-padron i Shqipërisë socialiste
Pa atë nuk do të kishim njohur rrënjët e së keqes. (Parafrazim i një shprehjeje të Hannah Arendt-it.)
Historia e Shqipërisë socialiste është historia, e trishtë dhe e vrazhdë, e
zhveshjes së një populli nga çdo synim realist dhe nga çdo dëshirë, përveç
dëshirës për të mbijetuar. Vepra e demagogëve të komunizmit, që nuk i
kalonte caqet e mediokritetit, u zbatua duke përdorur një dhunë të cilës nuk
i bëhej vonë për asgjë.
Kjo vepër që filloi saktësisht të nesërmen e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare (më vonë Partia e Punës e Shqipërisë) në vitin 1941, u organizua, u udhëhoq dhe u vu në jetë me një aftësi djallëzore nga Enver Hoxha. Mund të thuhet se historia e socializmit shqiptar fillon e mbaron me të.
I zgjedhur si sekretar i partisë së sapokrijuar, si pasojë e kompromisit të arritur midis grupeve të ndryshme komuniste për të emëruar në atë post një figurë të volitshme që të mund t’i kënaqte rrymat e ndryshme, ai qe fryti i një marrëveshjeje dhe jo afirmimi i vlerave që i mungonin. Nga ana tjetër, ai pati edhe pëlqimin e Titos, që, në personin e Hoxhës, shikonte njeriun e përshtatshëm për të shartuar linjën sllavofile të Beogradit nën kontekstin shoqëroro-politik shqiptar, në këmbim të një trajtimi të veçantë
dhe mirëdashës.(1)
Mbasi kishte jetuar një rini të lehtë e pa telashe, çdo ditë e më shumë iu mbush mendja se ishte destinuar për të bërë vepra të mëdha. Kjo ambicie e tij u përkrah nga mendësia e tij makiavelike dhe nga mungesa e çdo lloj skrupulli. Njeri pa parime njerëzore, ai nuk ngurroi të vriste edhe bashkëpunëtorët dhe shokët e tij më të ngushtë. Kur vdiq kishte mbetur vetëm: me shumë gjasë edhe më përpara nuk e kishte njohur mirësinë e madhe të miqësisë. Për Hoxhën, më shumë se çdo parim, kishin rëndësi karriera dhe qetësia ( për aq sa mund të ishte i qetë ai që s’kishte ngurruar të përndiqte gjysmën e kombit e edhe më shumë dhe që kishte dashur të përndiqte edhe kujtimin e të vdekurve).
Në një periudhë prej tridhjetë vjetësh nuk ngurroi të këmbente tri herë partner: në fillim duke u bashkuar me Titon, pastaj duke iu nënshtruar Moskës dhe në fund duke u lidhur me Kinën.
Mjeshtër për të thurur prapaskena dhe komplote, njeri që nuk i besonte askujt, ai gjithmonë e kudo ishte i zoti të zbulonte (dhe të godiste) një armik; paranoik dhe megaloman, të cilit i kishte hyrë vetja në qejf nga roli i tij i padiskutueshëm si prijës, ai si burrë shteti kishte jetuar në hijen e aleatit të radhës. Mbase vuante nga kompleksi se ishte kryetari i një shteti të vogël dhe ndoshta pikërisht për këte arsye, vitet e fundit të jetës së tij u kap fort dhe në mënyrë absurde pas manisë për të marrë mbi vete (pa ia kërkuar askush) rolin e shenjtit shpëtimtar të marksizmit.
Intelektual gjysmak (2), ai u gërhush kundër intelektualëve të mirëfilltë. Ai që gjatë luftës antifashiste nuk kishte shkrehur as edhe një herë të vetme pushkën kundër pushtuesit, e mbajti veten si të ishte një hero i pamposhtur.
Mallkoi pareshtur imperializmin dhe revizionizmin dhe ndërtoi në Shqipëri një numër bunkerësh që bën përshtypje, 22 copë për çdo kilometër katror të territorit të vendit, ose një bunker për çdo 5 shtetas, duke përfshirë gratë,
pleqtë dhe fëmijët.
Ai që kishte kaluar një djalëri të shthurur, na u shfaq si mbrojtës i moralit
publik: i detyroi të rinjtë dhe mbarë shoqërinë të jetonin brenda caqeve të
një puritanizmi farizejsh. Njeriu që bëri kompromise me miqtë e tij sllavë,
të cilëve u dhuroi gjysmën e tokës shqiptare, deshi të mbahej si mbrojtësi
më i madh i pamvarësisë së vendit. Ndërkohë, mes sa bëmash të tjera, kishte
fshirë një strofë të himnit kombëtar, ku jehonin vargjet “Se Zoti vetë e tha me gojë - që kombet shuhen përmbi dhe –po Shqipëria do të rrojë - për te, për te
luftojmë ne!”. Pak njerëz, për të mos thënë fare-fare pak, i mbanin mend këto
vargje në fund të viteve ’90.
Ia ndaloi popullit të tij të besonte në Zot. Indiferentizmi që tregonte
ndaj luksit kompensohej nga dëshira e shfrenuar të shihte e të dëgjonte
rreth vetes duartrokitjet dhe lëvdatat e atyre që ishin pranë apo poshtë tij.
Nuk lejoi që pranë t’i jetonte apo të vepronte dikush që të ishte njeri me
vlerë dhe kur ndodhte e kundërta, nuk mënonte ta hiqte qafe. Katër vjetët
e fundit të jetës së tij përbërja e Byrosë Politike të partisë ishte më e varfra
dhe më e pavlefshmja që kishte njohur PPS h-ja gjatë historisë së saj.
Hoxha ngjizi një parti kopje të vetvetes: gjatë jetës së tij ajo parti u kushtëzua nga frika e komploteve. Gjatë gjithë veprimtarisë së saj PPS hnë e karakterizoi urrejtja ndaj intelektualëve dhe kulturës së vërtetë; nga fshehja e fakteve pas fjalëve kumbuese; nga mbivlerësimi i mediokritetit; nga mungesa e plotë e logjikës në aktet e veta; nga dyshimi dhe nga frika ndaj çdo gjëje të re. Një parti e këtillë, me një kryetar të tillë nuk mund të pillnin veçse një shoqëri të falimentuar. Nga një demagogji monotone lindte vetëm bindja e prerë se shoqëria e re socialiste nuk mund të ishte veçse një shoqëri hipotetike. Në të vërtetë ishte shkatërruar shoqëria tradicionale shqiptare, mbase pak e ashpër dhe jo plotësisht e zhvilluar, por e ndershme dhe e mbërthyer fort mbas precepteve etike.
Hoxha dhe partia e tij nuk qenë në gjendje të propozonin një alternativë
serioze dhe bindëse për të zëvendësuar atë që kishin përmbysur me dëshirën
e tyre histerike të prishnin pa të ndërtonin. Komunizmi, edhe në Shqipëri,
u tregua shumë i aftë për të rrënuar por i paaftë për të rindërtuar.
REFERNCA
Edhe pse nuk gëzonte konsideratën e qarqeve të larta komuniste, duke bërë lojën e jugosllavëve në fillim, pastaj të rusëve, ai ruajti pozitën e prijësit në Shqipëri. Nga Gian Paolo TO ZZOLI, në librin e tij Il caso Albania – ultima frontiera dello stalinismo, Milano 1989, faqe 91 mësojmë se për Hoxhën kishin shprehur mendime aspak mikluese si Molotovi ashtu edhe Kardelji.
2. Nuk i kishte përfunduar studimet universitare të filluara në Francë, në Uiversitetin e Monpeliesë.
*Shkëputur nga “Shqipëria, ankthi dhe ëndrra”, me autor Amik Kasoruho, botuar në 2012-ën nga shtëpia botuese UETPRESS