Letërsi

“Pushtimi”, botim i UETPRESS/ Miku u bë armik, arratisja e Zogut duke kërkuar rezistencën e shqiptarëve

Shkruar nga Liberale

“Pushtimi”, botim i UETPRESS/ Miku u bë armik, arratisja e

Ministri Hugh Gladney Grant, i emëruar në krye të Legatës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i dërgoi më 24 maj 1939 Sekretarit Amerikan të Shtetit një dokument me përmbledhjen e të gjitha ngjarjeve që çuan në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, më 7 prill të 1939-ës.

Erdhi e premtja, 7 prilli, dita e kryqëzimit të Shqipërisë! Aty nga ora një e mëngjesit, ministri britanik më thirri në telefon nga Durrësi dhe më njoftoi se të gjitha luftanijet italiane, që kishin arritur në Gji një ditë më parë, ishin zhdukur. Sër Andrew dukej optimist dhe tha se po shkonte të flinte. Mirëpo, katër orë më vonë, në 5:30, kur isha duke u veshur, telefoni im ra përsëri. Ishte zonja Ryan, gruaja e ministrit britanik, e cila më tha se luftanijet ishin dukur përsëri në Gji dhe, sipas saj, ishin pesë kryqëzorë, dy anije transporti dhe një aeroplanmbajtëse. Më tha se, me sa dukej, italianët po përpiqeshin të zbarkonin trupa e se nga bregdeti dhe nga anijet kishin filluar të shtëna me armë. “Kudo rreth nesh po bien plumba”, - tha zonja Ryan, por pastaj lidhja u ndërpre.

Kjo ishte fjala e fundit që ndonjë pjesëtar i trupit diplomatik dëgjonte nga legata britanike ose nga Durrësi, deri sa unë shkova atje vetë me automobil të dielën pasdite. Ndërkohë, atë të premte, i dërgova një telegram ambasadorit amerikan në Londër, Kennedy (90) të cilit i kërkova të informonte ministrinë e Jashtme britanike për rrezikun në të cilin ndodhej legata e Britanisë, siç kuptohej edhe nga biseda ime me zonjën Ryan. Pas asaj bisede, unë komunikova me disa nga kolegët e mi, të cilëve u përcolla lajmin e luftimeve në Durrës. U dërgova gjithashtu mesazhe shtetasve amerikanë dhe britanikë në Tiranë, mes tyre stafit të Institutit Rockefeller, dy korrespondentëve të gazetave amerikane dhe disa turistëve amerikanë, të cilët i ftova të vinin në legatë për mbrojtje. Pak pas orës 7:00, shumë bombardues italianë filluan të qarkullojnë në qiellin e Tiranës. Kisha ngritur flamurin amerikan në legatë dhe kisha vendosur flamuj në të gjitha ndërtesat kryesore të saj. Disa nga këta aeroplanë hodhën miliona fletushka, të shtypura në letër të kuqe, çka i bënte të dukeshin si një shfaqje fishekzjarrësh. Fletushkat kishin këtë përmbajtje:

Shqiptarë!
Ushtarët italianë që po zbarkojnë sot në territorin tuaj janë ushtarë të një populli, i cili ka qenë miku juaj në shekuj dhe ju ka dhënë prova për këtë miqësi. Mos bëni rezistencë të kotë, e cila do të shtypet. Mos dëgjoni njerëzit e qeverisë suaj, të cilët ju kanë varfëruar dhe duan që tani ju të derdhni kot gjakun tuaj. Trupat e Madhërisë së Tij, Mbretit të Italisë dhe Perandorit po vijnë dhe do të qëndrojnë aq sa është nevoja për të rivendosur rregullin, drejtësinë dhe paqen.

Pothuajse menjëherë, në legatë u dukën dhjetëra njerëz të frikësuar, mes tyre zyrtarë dhe ish zyrtarë të qeverisë shqiptare. Në orën 8:00 i bëra një vizitë kolegut dhe fqinjit tim, ministrit gjerman, i cili shprehu habi kur i thashë se në Durrës po bëheshin luftime. Duhet kujtuar me këtë rast se ministri italian, Jacomoni, e kishte siguruar të hënën partnerin e tij të Boshtit, von Pannwitz, se nuk kishte kurrfarë kërcënimi për një ndërhyrje ushtarake italiane, madje as ndonjë ultimatum. Kur po bëhesha gati të largohesha nga legata gjermane dhe isha ende në tarracë me ministrin, aeroplanët bombardues fluturuan ulët mbi kokat tona. Numri i aeroplanëve dukej se po shtohej dhe, siç u njoftua më vonë, në njërin prej tyre ishte vetë Konti Ciano.
***

Në orën 14:30 (e premte), kur në territorin e legatës ishte mbledhur një turmë e madhe njerëzish, më vizitoi një zyrtar i ri shqiptar i Kryqit të Kuq, i cili tha se ishte ngarkuar nga autoritetet ushtarake shqiptare për të informuar legatat se në orën 17:00 qyteti do të bombardohej nga ajri. Ndërkohë radiostacioni i Tiranës vazhdonte të transmetonte pa pushim lajme nga luftimet në bregdet si dhe proklamata e fjalime. U transmetua një deklaratë e Mbretit Zog drejtuar popullit shqiptar dhe një komunikatë e qeverisë. Ish-Kryeministri Mehdi bej Frashëri, të cilin e kam përmendur edhe më sipër, i bëri thirrje botës në emër të Shqipërisë si dhe i dërgoi një telegram Musolinit, që gjithashtu u transmetua. Një profesor francez i gjimnazit të Tiranës transmetoi një thirrje në gjuhën frënge.

Mbreti Zog u bëri thirrje bashkatdhetarëve t’i qëndronin agresorit me të gjithë forcën. Ai tha se vetë ai, qeveria dhe populli kishin vendosur “t’i përgjigjeshin forcës me forcë dhe të luftonin me pushtuesin për çdo pëllëmbë tokë të vendit tonë të dashur deri në frymën tonë të fundit e në pikën e fundit të gjakut”.

Në telegramin për Musolinin, Mehdi Frashëri deklaronte se “shpirti i Gjergj Kastrioti Skënderbeut na thërret për sakrificën supreme. Ne parapëlqejmë të vdesim sesa të humbasim nderin tonë... Para pesë shekujsh, duart e gjakosura kundër nesh ishin ato të barbarëve aziatikë. A duhet atëherë që pas pesë shekujsh, në emër të kombit italian, ju të jeni barbarët e Perëndimit? Unë nuk do ta besoja…”
Tri orë pas transmetimit të këtyre fjalimeve, Mbreti Zog dhe anëtarë të qeverisë së tij ishin duke ikur drejt kufirit grek, ndërsa Mehdi Frashëri ishte vënë nën mbrojtjen e legatës turke, ku ai qëndroi më shumë se një javë, deri sa autoritetet italiane ranë dakord ta lejonin të kthehej në shtëpi.
90. Joseph P. Kennedy, i ati i presidentit të ardhshëm amerikan John F. Kennedy.,

*Shkëputur nga “Pushtimi, Ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant, rrëfen 7 prillin shqiptar” me autor studiuesin Ilir Ikonomi, botuar në 2020-ën nga shtëpia botuese UETPRESS

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH