Letërsi

“Fillimet” nga Preç Zogaj, botim i UETPRESS/ Mbledhja "fshatçe" në kinoklubin "Studenti" që i dha jetë Partisë Demokratike

Shkruar nga Liberale

“Fillimet” nga Preç Zogaj, botim i UETPRESS/ Mbledhja

Zgjedhjet e 22 marsit të 1992-it kanë hyrë në historinë politike të Shqipërisë si zgjedhjet e para pluraliste. Pas gjysmëshekulli dominim të Partisë së Punës, edhe pse ende një foshnjë, Partia Demokratike fitoi shumicën absolute të vendeve në parlament. Mbi tre dekada më pas, ndërsa Shqipëria ndodhet në një stad të ri zhvillimi politik e ekonomik, shumë afër ëndrrës evropiane, ngjarjet e asaj kohe duken të largëta e të venitura nga harresa.

Por dëshmitë, kujtimet, rrëfimet e botuara ndër vite na e bëjnë më të qartë gjithë rrugëtimin në të cilin ka ecur vendi ynë. Gjatë gjithë kësaj jave do të sjellim pjesë të shkëputura nga libri i publicistit Preç Zogaj, “FILLIMET, ngjarje, dëshmi, kronikë, refleksione nga vitet ‘90-’92”, botuar nga UETPRESS, në të cilat ravijëzohet fillimi i Partisë Demokratike, nga një lajmërim në qytetin “Studenti”, te organizimi i brendshëm, ngritja e strukturave, zgjedhjet e humbura e ato të fituara. Janë mbi dy vite jetë dhe zhvillimesh para se ajo të hynte përgjithmonë në histori.

Zgjedhja e Komisionit Nismëtar të PD-së

Të nesërmen, më 13 dhjetor, me të ekspozuarit e Lëvizjes, studentë dhe intelektualë, por edhe të tjerë të thirrur nga këta të fundit si miq apo të afërm të tyre, u mblodhën në sallën e kinoklubit “Studenti” për të zgjedhur Komisionin Nismëtar të partisë së porsa themeluar. Ky ishte momenti i shartimit në një strukturë politike të përkohshme të vektorit studentor me atë intelektual qytetar. Mbledhjen e drejtonte një presidium prej katër-pesë vetash ku shquheshin Azem Hajdari, Sali Berisha, Arben Imami. Studentët ishin marrë vesh me parë me njëri tjetrin të kishin një përfaqësi të tyre prej shtatë personash në Komision. Kishin caktuar edhe emrat. Ishin Azem Hajdari, Shinasi Rama, Arben Meçe, Tefalin Malshyti, Alma Bendo, Arben Lika, Blendi Gonxhe. Kjo shtatëshe përbënte bërthamën paraprake të Komisionit. Anëtarët e tjerë do të zgjidheshin nga salla.

Vështruar në dritën e posteritetit, kjo mbledhje shënonte një moment kyç në rrugën që po niste Partia Demokratike. Por kjo vetëdije nuk ndihej në sallën e kinoklubit “Studenti” siç mund të na shkojë në mendje sot. Zgjedhja e drejtuesve të parë dukej më shumë si një zgjedhje “fshatçe”, në një auditor të improvizuar. Dikush propozonte një kandidaturë, salla e votonte duke ngritur dorën. Me këtë procedurë, e vetmja e përshtatshme në rrethanën e dhënë, anëtarë të Komisionit Nismëtar do të zgjidheshin ata që do të propozoheshin njëri- pas tjetrit derisa të plotësohej numri njëzet e dy, numër të cilin askush nuk e kishte vendosur paraprakisht me ndonjë qëllim të caktuar, por do të dilte vetvetiu nga nevoja për të siguruar raporte normale përfaqësimi në ruajtje të sensit të masës. Rrezikun e produktit mediokër, njëngjyrësh, klanor apo nepotik të një mekanizmi të tillë e korrigjonin, objektivisht, rrethanat e momentit. Në një anë, PD ishte ende në embrion, individët me shumë mendoheshin se sa turreshin për tu bërë me të, më shumë hezitonin se sa shtyheshin me bërryla që kush e kush të dilte para tjetrit, siç do të ndodhte më vonë kur partia të forcohej, të fitonte zgjedhjet dhe të vinte në pushtet.

Ato ditë kishte me mijëra njerëz anembanë vendit që mbështesnin me pathos demokracinë, pluralizmin, partinë e re, por shumica dërrmuese ndiheshin mirë në anonimatin apo kompaktësimin e turmës, ndërkohë që ishin më pak ata që vendosnin të bënin një hap para turmës, t’i dilnin zot si individë, me emër dhe mbiemër angazhimit në një parti opozitare. “Opozita” kishte marrë kuptimin e një fjale armiqësore në komunizëm. Opozita ishte për t’u rrjepur gjallë. Me gjithë ndryshimet dhe përmbysjet historike të atyre ditëve, shumë njerëz kishin ende dyshime dhe frikë nga rikthimi i hanxharëve.

Në këtë kuptim, të gjithë ata individë që kishin ardhur nga drejtime të ndryshme në atë eklezi të parë vullnetare të demokratëve në kinoklubin “Studenti” i kishte sjellë aty një histori e caktuar, një ëndërr dhe një ideal demokratik, ndërsa ata që do të pranonin të propozoheheshin dhe të veçoheshin edhe më tej si anëtarë të Komisionit Nismëtar do të bënin një kapërcim edhe më të madh politik dhe intelektual duke marrë përgjegjësi. Mbi këdo që binte, zgjedhja nuk binte gabim. Nuk dihej si do ta kishte fatin partia e porsalindur; nuk dihej sa përqind e njerëzve që mbështesnin pluralizmin mbështetnin edhe PD-në. Sfida e sendërtimit të një alternative të re politike në opozitë me Partinë gjysmëshekullore të Punës kishte për ata njerëz vlerën e një misioni historik. Ishte pjellor apo steril pluralizmi i shpallur me bujë dhe i brohoritur me shprese anembanë vendit? Partia e re ishte testi.

Nga ana tjetër vetë kompozimi i eklezisë, edhe pse rastësor, i përfshinte grupimet që kishin rënë në sy dhe sensibilitet që kishin tërhequr vëmendjen gjatë atyre ditëve. Si ta dinin ketë- dhe me siguri e dinin- qoftë studentët, qoftë të tjerët që ngriheshin për të propozuar emra respektonin vetvetiu një lloj alternimi të grupimeve. Sa për këtë shkak, aq edhe falë faktit se të propozuarit kryesorë ishin emra të njohur e shumë të njohur, Komisioni Nismëtar do të dilte elitar dhe përfaqësues. Përveç shtatë studentëve të lartpërmendur, u zgjodhën Sali Berisha, Gramoz Pashko, Arben Imami, Genc Rruli, Aleksander Meksi, Eduard Selami, Arben Demeti, Mitro Çela, Edmond Budina, Zenel Hoxha, Sokrat Nesturi, Merita Zaloshnja, Ilir Myftari, Bardhyl Reso dhe unë. Shumicën e këtyre njerëzve, i pashë për herë të parë në atë mbledhje. Qe kuptuar menjëherë se Pashko, Rruli dhe Meksi kishin ardhur bashkë, siç kishim ardhur së bashku Sali Berisha, Mitro Çela dhe unë.

Ndërsa nuk më befasoi mbështetja e gjerë e sallës për Sali Berishën, me bëri përshtypje mbështetja simetrike për Pashkon. Ky kishte një trup të ngjeshur mbi mesataren, floknaja e dendur dhe e valëzuar në ngjyrë kashte, hedhur si mënjanë, i linte zbuluar ballin e lartë. Kishte veshur një përdesy ngjyrë qumështi me jakë dhe spaleta të bollshme, syzet optike me xham të trashë e mbronin vështrimin e tij nga kontakti i lehtë me të. Dukej shumë simpatik me optimizmin e tij plot dritë, ku ndriçonin edhe xixëllimat e një humori të këndshëm e të sofistikuar, sado që siç do ta mendoja më vonë, ky njeri i rrallë i racës sonë e kishte zët sofistikimin dhe gjithë ai lëshim i tij i herëpashershëm në botën e vulgut nuk ishte gjë tjetër veçse një formë rrebelimi kundër sofistikimit që i vinte nga librat dhe muzika. “Në fakt banaliteti është një formë e inteligjencës, dhe realiteti, sidomos nëse është i çuditshëm dhe mosmirënjohës, është një përbërës i natyrshëm i shpirtit”, shkruante në ditarin e tij poeti i madh portugez Fernando Pesoa, sentencë që i shkonte natyrës së përzier prej bohemi dhe filozofi të Pashkos.

Në mbledhjen e 13 dhjetorit nuk e njihja aspak që të mendoja këto gjëra. Ktheja nganjëherë kokën për ta parë dhe ai kthente të tijën nga unë shkarazi. Shiheshim si dy njerëz në një balonë, të panjohur, por me një ndjenjë diskrete ngjashmërie. Gramozi ngjante sikur po luante një film, por e kishte të nevojshme të dilte vazhdimisht nga roli për të marrë frymë apo për t’u qetësuar në trishtim. Genc Rruli, një burrë shëndetpakët mbi të tridhjetat, ishte kunati i tij. U tha se edhe me Meksin kishte një lidhje. Nuk kishte asnjë arsye për t’u shqetësuar. Përkundrazi. Përderisa Gramozi i kishte thirrur ata, nëse i kishte thirrur ai, do të thoshte se kishin vendosur të ndanin me njëri-tjetrin dhe me gjithë ne të tjerët rriskun e asaj aventure politike.

Nga ana tjetër, Arben Imami dhe Edmond Budina ishin dy pedagoget përfaqësues të Institutit të Arteve në takimin me Ramiz Alinë. Bashkë me studentin Blendi Gonxhe ata bëheshin tre nga fortesa e Arteve. Arben Demeti nga fakulteti i inxhinierisë, që u zgjodh anëtar i Komisionit Nismëtar pa qenë i pranishëm, kishte bërë përshtypje të madhe me qëndrimin e tij të qartë në takimin me Ramiz Alinë e veçanërisht me paralajmërimin e tij fantastik se Partia e re, e cila nuk ishte krijuar akoma, do të dilte me kandidatët e saj në zgjedhje dhe do të fitonte shumicën e vendeve në Kuvendin Popullor. Ku e kishte parë, si e kishte parë atë ëndërr të çuditshme ai njeri, që mbante akoma në xhep, edhe pse të vdekur, teseren e PPSH-së? Ishte shumë e vështirë ta kuptoje nga pamja e tij e ftohtë, pak e ngrysur, që nuk kishte asgjë prej profeti në paraqitje.
Një anëtar “pa grup” apo “i gjithë grupeve” dukej se ishte një pedagog i ri, simpatik dhe elekuent, Eduard Selami, me të cilin do të krijoja shumë shpejt një miqësi të veçantë falë bisedave për estetikën dhe filozofinë dhe natyrisht edhe falë pikëpamjeve të përafërta politike.

E vetmja grua në Komisionin Nismëtar u zgjodh Merita Zaloshnja. Berisha tha se duheshin edhe gra. Gramoz Pashko ironizoi nga vendi: “Duhet të propozojmë edhe nga fshatarësia koperativiste”. Berisha ironizoi duke iu përgjigjur me seriozitet ironisë së tjetrit. “Dakord”, tha.
Gramozi u ngrit nga vendi, mu krijua përshtypja se deshi të largohej, por njerëzit që kishte afër e ndaluan. Meritën e propozoj vëllaj i saj, Eduardi. Në çastin e parë u duk sikur salla imitoi një zakon të kohës për të patur sa për formë edhe një grua në Komision. Dhe meqenëse nuk kishte gra të tjera në sallë ishte pranuar propozimi i vëllajt për motrën. Por qysh atë mbrëmje mësuam se Zaloshnjat ishin motivuar nga dëshira e madhe për të kontribuar në vijën e parë. Ata kishin lidhje gjaku me një personalitet të mërgatës antikomuniste shqiptare në SHBA, me Sejfi Protopapën. Në mbledhjen e parë të Komisionit Nismëtar, që u zhvillua menjëherë pas kostituimit të tij, u vendos me unanimitet, pa votim, që Azem Hajdari të kryente funksionet e kryetarit provizor të partisë.

Ai do të drejtonte mbledhjet, do të shpërndante fjalën, por vendimet do të merreshin në mënyre kolegjiale. Mua m’u ngarkua detyra e themelimit të një gazete të re dhe e krijimit të zyrës së shtypit. Ishte e natyrshme të më ngarkohej kjo detyrë dhe po aq e natyrshme ta pranoja. Kisha qëlluar të isha i vetmi shkrimtar dhe njëri prej dy gazetarëve të vetëm në takimin e asaj pasditeje. Do të vinin të tjerë me kalimin e ditëve. Jo vetëm nga bota e letrave. Do të vinin studiues, mjekë, juristë, artistë; do të vinin të persekutuar dhe të shtypur, do të vinin luftëtarë, kundërshtarë të njohur të regjimit, që hera a kushedi çfarë arsyeje nuk i kishte zënë apo sjellë në qytetin “Studenti” ditën kur historia po kthente fletën. Duhej të vinin. Duke e konsideruar zgjedhje praninë apo daljen e nismëtarëve të njohur në krye të Lëvizjes dhe PD-së, unë mendoja se disa prej tyre i kishte ndihmuar edhe fati, duke u ruajtur shëndetin dhe duke i mbajtur pranë vendit të duhur në kohën e duhur.

Fati që nuk kishte ndihmuar e kënaqur disa të tjerë, që mund të ishin informuar me vonesë, që ishin gjendur larg teatrit të ngjarjeve apo të mbërthyer në shtrat nga ndonjë sëmundje, kishte ulur perden e aktit të parë të takimit me historinë për të ngritur sakaq perden e aktit tjetër dhe kështu po mbërrinin edhe këta të orës së dytë, pasi nuk është rasti dhe s’mund të jetë rasti ai që determinon pjesëmarrjen dhe rolin e individëve në një lëvizje të madhe shoqërore dhe kombëtare për liri dhe demokraci, por janë edhe vetë individët e lirë e të fortë që përfshihen kush më shpejt e kush më ngadalë në një lëvizje të tillë. Në fund të fundit, në rrjedhën e saj në kohë, çdo lëvizje arrin në pikën kur prurjet e të gjitha drejtimeve dhe periudhave shkrihen në shtratin e saj të gjerë. Fillimi nuk i diktohet vazhdimit dhe vazhdimi nga ana tjetër nuk mohon fillimin.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH