Letërsi

Biografia e UET Press/ Familja e disidentit Adil Biçaku strehoi 26 hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore

Shkruar nga Liberale

Biografia e UET Press/ Familja e disidentit Adil Biçaku strehoi 26

Në nëntor të 2005-ës Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e shpalli 27 janarin Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Kjo datë është detyrim për të gjitha vendet e anëtarësuara në këtë organizatë që të përkujtojnë atë tragjedi të pashoqe në mënyrë që bota të mos përjetojë krime të tilla.

E ndërsa urrejta vuri në shënjestër hebrenjtë e shkatërroi miliona jetë njerëzore pa dallim gjinie dhe moshe, shumë shtete qëndruan në anën e duhur të historisë, strehuan dhe shpëtuan hebrenj. Një ndër këto vende ishte edhe Shqipëria, ku familje dhe fise të ndryshme morën në mbrojtje dhe fshehën në shtëpitë e tyre të përndjekurit nga gjermanët.

Në biografinë “Një jetë për jetën”, kushtuar normalistit e disidentit Adil Nexhip Biçaku, botuar nga UET Press, autori Ali Buzra tregon se si fisi Biçaku strehoi disa familje hebrejsh të përbëra prej 26 personash.

Pjesë nga libri

Kulla madhështore e Emin dhe Kapo Biçakut, me 9 dhoma, ndodhej në pikën më të lartë të skajit verior të fshatit. Ajo ishte një ndërtesë tre katëshe me mure guri gëlqeror, ku qoshet e gdhendura me mjeshtëri, si dhe dyert e dritaret me qemer guri, pasqyronin më së miri jo vetëm madhështinë e saj, por edhe një arkitekturë tradicionale interesante
Personalisht, kullën në fjalë e kam parë nga afër në vitin 1976, kur isha mësues në fshatin Qarrishtë. Aty ishin zyrat e kooperativës bujqësore, mbasi familjarët i kishin dëbuar me forcë që nga viti 1965, duke i internuar në fshatrat e Dumresë..

Thuhet, se ka ndodhur në raste të veçanta, që elementë keqbërës nga Shqipëria, të kalonin kufirin, duke grabitur në fshatrat e Maqedonisë tufa bagëtish, kuaj etj. Të bastisurit vinin e kërkonin ndihmë pikërisht në familjen e Emin Biçakut, duke qenë se i vetmi rrugëkalim ishte Qarrishta. Emin Biçaku, kryetari i familjes ishte një burrë i matur, besnik, trim, bujar e mikpritës. Në të spikatnin tiparet e një malësori dinjitoz, që kërkonte të ruhej i pastër imazhi i fshatit. Ai bënte të pamundurën, për të gjetur gjurmët e plaçkitësve dhe në mjaft raste ka bërë të mundur duke i detyruar fajtorët, që kishin kaluar nëpër Qarrishtë, të kthejnë bagëtitë e sendet e grabitura. Ka mjaft dëshmi ku thuhet, se Emini, mbasi ka saktësuar fajtorët, shalon kalin e niset për te ata. Atje është ulur këmbëkryq me të moshuarit si dhe parinë e fshatit duke u thënë se nuk jam as shtet e as kadi6, por jam Qarrishtar, e nëpër sinuret e katundit tim kanë kaluar me bagëti e sende të grabitura njerëzit tuaj. Jam përgjegjës për territoret e mia, prandaj kërkoj të kthehet malli i marrë.

Familja e tyre, është bërë strehë edhe për të larguarit nga ndjekjet, për arsye të ndryshme. Në një rast, dy priftërinj nga Zagorçani, të ndjekur nga autoritetet shtetërore maqedonase, vijnë e kërkojnë bazë në familjen e Emin Biçakut. Nga sa mban mend Kadriu, njëri quhej Dance, e thërritej Pop Dance. Ata u strehuan dhe qëndruan aty për disa kohë. Kur situata politike në Maqedoni ndryshoi, u kthyen në Zagorçan duke falënderuar me mirënjohje e respekt të thellë familjen e Eminit për ndihmën e dhënë. Afërsisht po në këtë kohë, aty rreth vitit 1943, vjen një familje nga përtej kufirit prej katër vetash për të kërkuar strehë. Quhej Risto Prushka, i cili ishte me gruan dhe dy djemtë e tij dhe qëndruan për disa muaj në familjen e Emin Biçakut.

Po kështu ishte nipi i Eminit, Mefail Biçaku, që tashmë është bërë e njohur si histori, që strehoi dhe u kujdes për disa familje hebrejsh, të përbëra prej 26 personash të cilët ndiqeshin nga gjermanët.
Në këtë mjedis familjar, bujar e mikpritës, u rritën dhe u edukuan djemtë e familjes Biçaku, duke dëgjuar në odën e miqve bisedat e burrave të shquar, që vinin nga krahina të ndryshme, brenda e jashtë vendit.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH