Ikona e muzikës pop, Madonna, festoi ditëlindjen e 94-të të babait të saj, Silvio Ciccone, me një postim të veçantë në Instagram. Ajo publikoi foto dhe video ku Silvio shfaqej duke ngrënë tortë, i rrethuar nga tullumbace dhe momentet e ngrohta familjare.
Në urimin e saj, Madonna e përshkroi babanë si një njeri të fortë, që ka kaluar shumë sfida dhe humbje gjatë jetës, por që ende mban një sens humori dhe dëshirë për të jetuar çdo ditë plotësisht.
Këngëtarja gjithashtu shprehu shqetësimin për shoqërinë moderne, e cila vlerëson më shumë të rinjtë dhe bukurinë fizike, duke neglizhuar mençurinë dhe përvojën e të moshuarve.
“Është për të ardhur keq që nuk jetojmë në një botë që feston njohuritë dhe mençurinë që mund të marrim vetëm nga pleqtë tanë, të cilët kanë përjetuar shumë në këtë jetë. Jemi të fiksuar pas rinisë dhe pamjes, që na japin vetëm kënaqësi të përkohshme, por nuk na mësojnë asgjë të vlefshme,” shkroi ajo.