Letërsi

LUX, si ciceron dritëhijesh

Shkruar nga Liberale

Mbi përmbledhjen me tregime ‘LUX’ të shkrimtarit Loer Kume

Shqiptar Oseku

Në vapën e korrikut 2019, shoqja ime Meri dhe unë po ndiqnim nga pas Loer Kumen, ciceron të një udhërrëfimi psikodelik natësor nëpër Durrës.

Autorin e të famshmit LUX e kisha hasur te një nga ato guvat e internetit ku hyhet vetëm me ftesë. Tash ai po na printe nëpër gjeografinë dhe historinë e rrëmujës së Dyrrahut, zemrës së lashtë me dy barkushe që rrah mbi kërthizë të Shqipërisë. Nisi nga Redoni në shesh, e më tej përskaj kështjellës romake të një tjetër biri të qytetit, perandorit Anastas I, përgjatë amfiteatrit, muzeut më të madh arkeologjik në Ballkan, kolonadave korintiane dhe banjove termale të fisnikëve bizantinë, e gjer te Vila Mbretnore, një ndërtesë me arkitekturë neoklasike e mbretit Zog që sundon mbi piedestal të harruar të një kodre. Këtë itinerar madhështie që është Durrësi, Loeri po e kontrastonte me një rrëke anekdotash thellësisht njerëzore, plot rrengje, dobësi, e marrëzi. Durrësi si idé grandioze, kontrapunktuar nga shkuma e vdektarëve përposh mureve të tij.

Ka mundësi që isha i ndikuar nga gjendja e intoksikuar, pse, turp të themi, kishim ndjekur të tre atë natë ligjin e lashtë të marinarëve në port. Por më kujtohet se si anekdotat e Loerit më sajonin atë ndjenjën që Spinoza e cilëson si “qartësi oqeanike”. Çaste të rralla kur shkëputesh nga lëkura, nga limitet e ngushta të qenies, e bartesh hop tek ai këndi prej ku e sodit botën Sub specie aeternitatis, nga këndi i amshimit. Pse nuk hap një biznes ciceroni, i them Loerit në një nga ato çaste. Sa ishim ndalur te një kryqëzim, Meri e unë të ngacmuar nga një rrëfim pikant. Dua të kujtoj se Meri qe plotësisht dakord. Ka plot shkrimtarë nëpër botë që pajtohen për të bërë nganjëherë ciceronin për turistë. Pse s’u jep të gjithëve mundësinë që ta përjetojnë këtë… këtë!

Lexuesi, sigurisht i ka rënë në erë përgjigjes tashmë. Por mua do të më merrte akoma ca kohë për të kuptuar. Mbaj mend se ishin ditët e fundit të asaj vere 2019, e unë po shfletoja sërish LUX që ke në dorë këtu, botimin e parë (Toena, 2011), kur përgjigja më gdhiu e plotë dhe kthjelltë, si diell mbi det të shtruar. Se Loer Kume në fakt e bën ciceronin çdo herë: te shkrimet e tij. Te LUX, doemos, por edhe te “Histori e shkurtër e rrëmujës” (Albas, 2017), e tek “Amygdala Mandala” (UET Press, 2019).

LUX është ciceron dritëhijesh. Peri i kuq që përshkon e përmbledh të gjitha rrëfimet e tij është gërshetim i ndërlikuar kontrastesh, mbi një idé letërsie në sfond që pajton kundërthëniet ekstreme të ekzistencës. Ato midis të shkruarit dhe shuarjes te “Lux”. Midis ngazëllimit e ngadhnjimit dhe rrëzimit e dështimit, te “Pushtimi i parajsës”. Midis dashurisë dhe infanticidit/patricidit, te “Historia e vërtetë dhe e fshehtë e Dritësjellësit”. Midis (iluzionit të) zgjedhjes së lirë dhe diktatit, te “Mr. Pushteti dhe një gotë skoç”. Midis transcendentales dhe kafshërisë, te “Dita e tetë”. Midis ndrydhjes dhe shtrydhjes, por edhe midis spirituales e spirituozes, te “Një rast i komplikuar” (e kupton kur e lexon). Në një metanivel semantik, LUX komunikon me lexuesin duke e sjellë atë në tokën e askujt: në troje të pashkelura me vegjetacion temash të palëruara dhe rrëke dinamike të gjuhës, që ndërtojnë metodikisht narrativ të dendur në kohë të tashme. Vepra ka një koherencë të stilit, që rëndom është shenjë e një dore të sigurtë. Është vështirë të tretësh faktin se LUX ishte libri i parë nga Loer Kume. Me kalimin e kohës, LUX ka fituar vlerë të shtuar, ashtu si ndodh shpesh me vepra pararendëse, duke ndikuar mënyrën si shkruajnë sot një sërë autorësh shqiptarë.

LUX është njëherit një ciceron që na qendërzon midis shqiptares e globales, në një pozicion letrar origjinal. Vepra i flet lirshëm e rrjedhshëm lexuesit të kultivuar kudo në botë, ndërkohë që s’mund të shkruhej veçse nga një shkrimtar shqiptar. Për më tepër, nga një shkrimtar durrsak, për të cilin Epidamni është port shtëpiak. Njëherit, krijimtaria e Loer Kumes shkëmben lirshëm në dialog me kolegët e vet nëpër botë. Të gjithë protagonistët e Kumes janë në milieu urban, a në eter. Ai do të lexohej si bashkëfisnor prej autorëve eksperimentalë, si Éric Chevillard, Atiq Rahimi, Luke Kennard, Luiza Sauma, Candice Carty-Willians, Pascal Quignard, Ottessa Moshfegd, e Ling Ma. Këta do të njihnin menjëherë ekstetikën e krizës, përdorimin e hipertekstit, pluralizmin narrativ, si dhe atë që Martin Amis, një autor jo edhe aq eksperimental, e quan “luftë anti-cliché”. E njëherit, them se eksperienca shqiptare është conditio sine qua non për të shkruar, ta zëmë, për libra që zhbëhen nga jeta, a për një shtet që të vetëvret. Curiosa nga LUX: të gjithë protagonistët vuajnë në ankth nga ngushtësia e jetës, ndërsa të gjitha referencat letrare që ata përmendin, nga Trebeshina e gjer te Jerome K Gerome, janë bredharakë që mbaruan larg vendlindjeve të veta! Madje, edhe këngët që përmenden janë të gjitha në gjakim arratisjesh. Apo si thua për Doors:

Let's swim to the moon/Let's climb through the tide…

LUX është, për këto arsye, edhe një lloj ciceroni alternativ që rrëfen se si do të dukej sot letërsia shqip. Sa origjinalitet, stil e horizont do të kishim, pra, po të hiqnim sëmundjet tona. Fanatizmin fetar. Autokracinë zogiste. Totalitarizmin enverist. “Një shqiponjë e egër me sytë gjak, që më ka mbërthyer pa shpresë në kthetrat e saj”, shkruan Kume. Titulli i veprës, LUX, doemos që do të ishte titull rebel: me referenca nga kulti i Luciferit romak, të përbaltur nga zellotët kristianë si “princ i errësirës”. Sa e dinë se emri latin Lucifer, në shqip është Dritësjellës? Luciferi, bir i Hyut të Nadjes, një prometé subversiv që braktisi zotërat për të ndritur fisin e njeriut. Nuk është pra e rastit, pse kristianët e hershëm fanatikë e urryen këtë shëmbëlltyrë, duke e njëjtësuar me Djallin. Ashtu si s’është e rastit, që pushteti urren gjithmonë sfiduesit. Ashtu si s’është e rastit që, një nga protagonistët e kësaj përmbledhjeje quhet pikërisht Dritësjellës. E si mund të ndodhte ndryshe?

Ajo natë epike e verës 2019, me shoqen time Merin e mua, si shtegtarë mbas Loer Kumes ciceron demonik të Durrësit, mbaroi në të vetmen mënyrë që mund të mbaronte. Me një kulminacion darke e rrëkeje alkooholike te një vend i përzgjedhur mbi qytet, vendndodhjen e të cilit dua ta ruaj në diskrecion të atyre që patën fat të ishin aty. Nga pika ku ndodheshim shihej si në pëllëmbë të dorës tërë reliefi i përthyer i gjeografisë dhe historisë që kishim përshkuar atë natë. Ishim të dehur, të kapitur e të shkundur nga mefshtësia e jetës, ndërsa yjet po vallëzonin në lartësi. Meri po kërkonte të gjente daljen, “se kam shtëpi diku dhe unë”. Unë po hamendesha, nëse këmbët do të më mbanin po të çohesha. Loeri shkon te parmakët që na ndajnë nga gremina përposh, e bën me dorë nga dritat e qytetit: “Ça thoni more? Kjo natë sa ka nisur!”

Në këtë frymë duhet ta lexosh LUX, lexues i dashur.

Si diçka që sa ka nisur.

Ne nje box te vecante – faqos kete

Parathënie me 300.000 km/s nga autori Loer Kume

Afërdita krijoi shqisat nga uji, zjarri, toka, ajri

dhe syve u dhuroi zjarr, hapi dyert e të parit...

Drita përshkoi sytë duke shpërthyer në tërë ngjyrat,

ndriçuar botën, qartësi e bardhë

foshnja këmbadoras mësoi të ngazëllehej,

eci kryelartë, e kërkoi tjetrin,

shijoi errësirën, adhuroi diellin,

pa atje tej, e të vërtetat klithi,

rrezet ranë mbi gjoks, fëmija ngrohu shpirtin.

Në shterim dëshirash

udhëtoi pa frikë në zemër,

drejt botës së ideve të kulluara

njeriu u bë njeri.

Lavdi o’LUX!

Dhe drita e mëngjesit lindi prapë mbi kodër!

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH