Ekspertizë

EKSPERTIZË nga Klementin Mile: Si të mendojmë për “Tri Format e Mendimit” të Imamit?

Shkruar nga Liberale
EKSPERTIZË nga Klementin Mile: Si të mendojmë për “Tri

Klementin Mile

Në vitin 1882 te libri “Shkenca e Gëzuar” Nietzsche shkroi: “Zoti ka vdekur. Zoti mbetet i vdekur. Dhe atë e kemi vrarë ne.” Kjo qe një shpallje me efekte tektonike. Zoti, si autoriteti i së vërtetës, dijes dhe vlerës, nuk ishte më. Kjo ngjarje pati dhe vijon të ketë dy interpretime: (1) interpretimin konstruktivisto-postmodernist që thotë “meqë Zoti ka vdekur, atëherë çdo gjë lejohet, sepse s’ka kush të na ndalojë”; dhe (2) interpretimin konservator që thotë “meqë Zoti ka vdekur, atëherë asgjë s’lejohet, sepse s’ka kush të na udhëzojë.” Libri Tri Format e Mendimit i Arben Imamit manifeston interpretimin konservator. Mbi 500 libra dhe artikuj të referuar, me kujdesin e jashtëzakonshëm për t’i hedhur hapat një nga një, secilin të argumentuar, për të arritur vetëm në faqet e fundit te përfundimet e këtij rrugëtimi kërkimor dhe reflektiv të mundimshëm, dëshmojnë për modestinë konservatore përkundër arrogancës postmoderne në mendim, pasi e rëndësishme nuk është të hedhim teza e ide spekulative që provokojnë (dhe ngaqë provokojnë, shesin), por teza e ide që nuk na shpien në rrugë të gabuar.

Libri i Imamit nuk shet, por urojmë të shitet. Ky është një libër për ata që duan të mendojnë. Martin Heideggeri thoshte: “Gjëja më provokuese për mendimin / në këtë kohë që provokon mendim / është se ende nuk po mendojmë.” Libri Tri Format e Mendimit na fton dhe mundëson të mendojmë për utopinë, për arsyen, mitin, religjionin, dijen, të vërtetën, marksizmin, politikën, postmodernizmin, hegjemoninë, funksionin dhe thelbin. Por mbi të gjitha ky libër na fton të mendojmë për mendimin.  Siç shkruan autori, “teza dhe përfundimi i këtij libri mund të përmblidhet në një fjali të vetme: Miti, religjioni dhe racionaliteti, janë veprimtari epistemike që ngrihen mbi bazën e tri formave përkatëse të mendimit, ku esenciale dhe përcaktuese është natyra përkatëse e besimit: besimi pseudo-empirik mitologjik, besimi extra-empirik religjioz dhe besimi empiriko-racional i justifikuar, që prodhojnë kuptimin dhe njohjen e botës.”

Të mendosh për mendimin, megjithatë, do të thotë të shtrosh pyetjen që ngrinte dikur Hannah Arendt te libri i saj Jeta e Mendjes, “Ku jemi kur mendojmë?”. Sipas Arendt, jemi askund; pra asgjëkundi në veçanti, të lidhur me asnjë interes apo vlerë apo perspektivë të veçantë. Në këtë kuptim, projekti i Imamit për të menduar për mendimin duket abstrakt, filozofi e kulluar dhe pa ndonjë aplikim praktik. Por këtu qëndron vlera më e madhe e tij. Duke na vendosur në territorin e kulluar të epistemologjisë, ky libër na çliron për të menduar. Pa këtë efekt çlirues ne nuk mund të arrijmë të mendojmë, por vetëm të përllogarisim, duke i ngjarë më shumë makinerive se njerëzve. Ky libër respekton përmasën tonë njerëzore.

Në debatin për thelbin dhe funksionin, libri Tri Format e Mendimit vendos si prioritar thelbin e fenomenit, kundër rrymës dominante sot që e përkufizon gjithçka me funksionin që kryen. Të përkufizosh funksionalisht do të thotë që psh politikanin X ta identifikosh si “Ai që na shpie në fitore”, ose “Ai që na çon në humbje”. Ndërkohë që të përkufizosh thelbësisht do të thotë të kërkosh përtej këtyre gjykimeve funksionale, përtej procesit të bërjes dhe aksidentit të rrethanave, te qenia dhe vlera e domosdoshme./Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH