Aktualitet

COVID/ Rregullat e reja në shkollë, zv.ministrja shpjegon skenaret

Shkruar nga Liberale
COVID/ Rregullat e reja në shkollë, zv.ministrja shpjegon skenaret

Zëvendës ministrja e Arsimit Nina Guga ka shpjeguar në News24 rregullat e reja në shkollë në prag të nisjes së vitit të ri mësimor në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Guga tha në rubrikën “Opinion” se janë disa skenarë me variante brenda tyre për nisjen, mbarëvajtjen dhe mbylljen e vitit shkollor që varen edhe në specifikën e vetë shkollave.

Ajo deklaroi se aty ku do të jetë i mundur zhvillimi i mësimit sipas rregullave të reja me atë numër të përcaktuar nxënësish dhe që e lejon hapësira, mësimi do të zhvillohet me orë 45 minutëshe. Ndërsa aty ku nuk është e mundur do të ketë dhe tre turne.

Zv.ministrja theksoi se në varësi të punës mësuesit do të marrin orë suplementare, ndërsa sa i përket maskave ajo tha se do jenë të detyrueshme nga klasa e gjashtë.

Sa gati jemi për 14 shtatorin?

Na ndajnë dhe 2 javë gati. MASR ka marrë të gjitha masat për fillimin e vitit shkollor që konsiderohet vit i vështirë për shkak të pandemisë. Tashmë MASR ka nxjerr një udhëzim për fillimin e vitit të ri të shkollor duke sugjeruar disa skenarë dhe variante të zbatueshme nga shkollat duke u bazuar në specifikën e vetë shkollave. Sugjerojmë dhe jemi për një kthim të nxënësve në mjediset e shkollave. Nevojë e kërkuar nga të gjithë, që mësimi në kushte direkte ka tjetër efekt tek nxënësit se mësimi në kushtet e distancës ose mësimi online.

Skenari i parë është fillimi i vitit shkollor në shkolla. Në varësi të shkollave dhe numrit të nxënësve ne të kemi mundësi të rifillojmë mësimin në këto mjedise por duke zbatuar me përpikmëri protokollin.

Në skenarin e parë, variantet mund të jenë të specifikuara. Një numër shkollash që e ruajnë distancimin social dhe në këto shkolla do zbatohet mësimi normal me orë të plota 45 minutëshe. Një variant tjetër do jetë për shkollat që kanë numër më të mëdha nxënësish që do kërkohet zbatimi i protokollit, klasat jo më shumë se 20 nxënës dhe kjo do kërkojë dyfishim të numrit të klasave dhe kalimin e shkollës me më shumë se një turn. Do ketë shkolla që do preken dy turne por mund të ketë dhe shkolla me tre turne sepse dhe në kushtet e normalitetit e zbatonin mësimin me dy turne.

Kjo do ndodhë në shkollat shtetërore, rregullat do jenë të njëjta dhe për shkollat private që kanë më pak nxënës, si është bërë planifikimi?

Si për shkollat publike dhe private do zbatohet i njëjti protokoll. Ndonëse shkollat private e kanë më të lehtë dhe mund të futen tek skenari i pari për zhvillimin e mësimit me kohë të plotë 45 minuta.

Po me mësuesit si do veprohet?

Përgjysmimi i numrit të nxënësve në klasa do të thotë rritje e ngarkesës së klasave. Drejtoritë e shkollave kanë rakorduar, kanë bërë skenarët dhe në bazë të këtij orari ka dalë dhe ngarkesa e mësuesve. Ato orë që do të shtohen do jenë orë suplementare për mësuesit.

A kanë njoftim drejtorët e shkollave si do të ndahen ditën e parë?

Drejtorët e shkollave kanë marrë udhëzuesin. Në radhë të parë ndërtohet brenda stafit dhe më pas do të gjejnë rrugët e komunikimit me prindërit, bordin drejtues për t’iu bërë të ditur variantin. Shkollat i kanë marrë masat, në bashkëpunim me pushtetin vendor është bërë dezinfektimi, vijëzimi për distancimin, në çdo kat janë vendosur hartat orientuese. Në shkolla ky proces do monitorohet jo vetëm nga stafi i shkollave por krahas kësaj është një staf i dedikuar nga ISHP që do monitorojë.

Me drejtorët e shkollave jeni në nivel diskutimi apo ka një vendim?

Shkollat e kanë marrë udhëzuesin dhe tani po e studiojnë që të përcaktojnë saktë si do vijojë varianti. Janë hartuar oraret mësimore për të shpërndarë ngarkesën e mësuesit. Nga ana e organizmit të shkollës është bërë puna më e madhe. Është një proces që më 14 shtator shkollat do i gjejë gati.

Në momentin që identifikohet një nxënës me COVID-19, si veprohet për atë klasë?

Në udhëzuesin e MASR brenda së cilës qëndron dhe protokolli i MSH thuhet qartë se çfarë ndodh në këto raste. Prindërit kur i shoqërojnë fëmijët në shkollë do shoqërohet me një vetëdeklarim për gjendjen e fëmijës. Më pas kur evidentohet apo konstatohet një i infektuar do ndiqet protokolli.

Ndiqet protokolli sipas të gjitha hapave që MSH ka përcaktuar nga tamponi deri tek izolimi. Nga ana jonë i bie të kalojmë në mësim online.

Maska do të jetë e detyrueshme nga nisja deri tek mbarimi i mësimit?

Nga klasa e parë në të pestën është e rekomandueshme por jo e detyrueshme. Nga klasa e 6 maska është detyrueshme gjatë gjithë kohës.

Në këtë proces ne nuk mund ta bëjmë vetë, pa ndihmën e mësuesve dhe të prindërve. Duhet të bashkëpunojmë të gjithë për të kaluar situatën.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH