Aktualitet

Bushati, “sfidanti” i paprovuar i socialistëve

Shkruar nga Liberale
Bushati, “sfidanti” i paprovuar i socialistëve

Reldar Dedaj

Për ish-ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati “Po”-ja e kushtëzuar e Bundestagut ka krijuar nevojën e një pakti kombëtar mes palëve të ndryshme, që qëndrojnë të ndara prej kohësh në të dy anët e llogoreve, ku pavarësisht kushteve apo detyrave të shtëpisë, të gjithë, pa përjashtim të gjithë janë të detyruar të flasin për nevojën e rritjes së standardeve në jetën e përditshme dhe për t’i dhënë diçka të prekshme njerëzve. Ish-ministri socialist ndan mendimin që Shqipëria të përparojë, asaj i duhet patjetër një konsensus kombëtar. Sipas tij, të notosh kundër rrymës nuk ke suksesin që pret dhe për t’a kuptuar këtë nuk është nevoja për të qenë kampion noti. Shkurt dhe troç, ai ndan mendimin, se vendit i duhet një pakt kombëtar për Europën, që secila nga palët bën detyrat që i takon.

Ndofta, kjo mund të jetë një shpjegim i frikërave personale të tij përmes një konstatimi të thjeshtë e të prerë: në etapën e sotme të zhvillimit të ngjarjeve në vendin tonë, shoqëria shqiptare po përballet me rreziqe të reja, të pashembullta dhe që kërkojnë zgjidhje të përbashkëta të padëgjuara më parë; po s’u gjetën këto në një kohë të afërt, asgjë nga ato që mund të përbëjnë zhvillimin e kësaj shoqërie nuk mund të ruhet. Tani, deri më sot, s’ka shumë tregues që të lejojnë të shpresosh që palët politike do të dinë t’i kapërcejnë mosmarrëveshjet mes tyre, të përpunojnë, me aftësi përfytyruese, zgjidhje, pastaj të mblidhen e të vihen në lëvizje për t’i zbatuar; shumë shenja të bëjnë të mendosh se çoroditja e vendit është në një stad të përparuar dhe se do të jetë e vështirë të pengohet një kthim pas.

Për këtë arsye dhe ndoshta për asgjë tjetër, ish-ministri Bushati duket se i rikthehet edhe njëherë tjetër tezës së famshme të ish-kryeministrit, Fatos Nano se “socialistët sakrifikojnë pushtet për të bërë shtet”. Në një linjë pothuajse të ngjashme, të enjten, Ditmir Bushati nga foltorja e Kuvendit bëri thirrje se socialistët duhet t’i përfshijnë të gjithë aktorët politikë në këtë proces për të përcaktuar bashkë themelet e shtëpisë, burimet njerëzore, financiare, që pavarësisht situatës politike, këto institucione, të konsiderohen si investime për gjeneratën e re. “Ne duhet të kemi guxim për të projektuar të ardhmen e gjeneratës tjetër, pa pasur ankthin se s’do të jemi në gjendje të marrim përfitime imediate nga ky proces. Duke qenë të vetëdijshëm, që secili prej nesh mund të lë karrierën politike në këtë vend për hir të të ardhmes së gjeneratës tjetër”, tha Bushati.

Ish-ministri i Jashtëm socialist është një nga emrat e mazhorancës që për herë të parë pas vendimit për të djegur mandatet nga opozita, gjendjen aktuale e emërtoi si një situatë në udhëkryq të madh, duke kërkuar për rrjedhojë edhe shmangien e arrogancës nga mazhoranca. Por mbi të gjitha në kundërshtim me kryeministrin, ai e drejtoi gishtin mbi të gjithë klasën politike që e ka “bërë baltën mullar”, ndërsa zgjidhjen e këshilloi në hapësira larg pozicioneve që palët kanë mbajtur deri tani.

Ditmir Bushati është një nga ish-ministrat e qeverisë Rama që u akuzua fillimisht për të shkuarën e tij familjare si biri i një zyrtari komunist e deri për lidhje me bandën e Bajrëve në Shkodër, por pavarësisht kësaj, ai ka ditur mjaft mirë të ruajë një profil disi të balancuar që ia lejonte edhe posti i kryediplomatit dhe rrallë ka replikuar ashpër me akuzat e opozitës.

Në opinionin publik u bë më shumë i njohur për takimet e shumta me homologun e tij grek, Nikos Kotzias, me të cilin po “gatuanin” një marrëveshje historike, që thuhej se do u vinte kapak të gjitha problemeve të hapura mes dy vendeve. Edhe në këtë rast, historia ishte komplikuar nga presidenti Ilir Meta. Disa herë zemërimi publik kishte nisur të ziente pas raportimeve se Greqia do zgjeronte ujërat territoriale, duke përfituar në kurriz të Shqipërisë. Por vala nuk kishte kapur kulmin për shkak se nuk kishte akoma një marrëveshje. Bushati në pamje të parë dukej se ishte ndër të paktët ministra të qeverisë “Rama”, që në opinionin mediatik dukej si i sigurt në qeverisjen e tij. Në tryezat e specialistëve flitej se avancimi i “Dosjes greke” me problematikat delikate të çështjes çame dhe pakti për kufirin detar, por edhe ndarja e formatit të politikanit nga diplomati kishin krijuar përshtypjen e vijimësisë se politika e jashtme të paktën ishte në duar të një teknicieni të aftë.

Por kriza e studentëve që tronditi qeverinë u shfrytëzua nga kryeministri, ndër të tjera për t’u çliruar nga tipi i ministrave Bushati, që me qëndrimet e tyre kishin krijuar një lloj pavarësie nga linja kryeministrore. Shembulli më i dukshëm ishte çështja e Kosovës, kur Rama dhe Bushati ndanin pikëpamje të kundërta. Pakënaqësia erdhi dhe u bë publike kur presidenti Meta, duke mos e dekretuar Cakajn si ministër, la ministër të Jashtëm Ditmir Bushatin, i cili, nga ana e tij, nuk e pa të udhës të ndërmerrte një akt dorëheqjeje, ndërsa vetëm një dekret i ri presidencial do ta sillte zëvendësimin e tij. E kështu, urtë e butë, Bushati arriti deri në ditën kur krejt papritur do të bëhej personi më i sulmuar nga Edi Rama prej të gjithë atyre që kishte larguar nga kabineti.

Zëvendësi i tij, Gent Cakaj, kosovari i panjohur që u katapultua në majën e diplomacisë shqiptare, ashtu me pamjen e tij djaloshare, bëri disa akuza shumë të forta ndaj Bushatit kur shpalli “fshesën” në Ministrinë e Jashtme.

“…Dua të jem krejtësisht i sinqertë me ju. Përgjatë të gjithë kryerjes së detyrës sime, dhe kjo po ashtu nënkupton edhe komunikimin e hapur dhe periodik me ju, sfida europiane e Shqipërisë dhe agjenda jonë reformiste e pellgut të ndenjur të së shkuarës, nuk përkon kurrsesi me nepotizmin, klientelizmin politik dhe korrupsionin moral në asnjë sektor e lëre më pastaj në Përfaqësitë e Shqipërisë nëpër botë”, tha Cakaj.

Nepotizëm? Klientelizëm politik? Korrupsion moral? Akuza shumë të rënda ndaj një ministri që ka qenë në krah të Ramës për thuajse gjashtë vite. Ky i fundit, në fjalën e lamtumirës, teksa i dorëzonte detyrën ministrit për Europën dhe Punëve të Jashtme Edi Ramës, do të thoshte se “nuk ka garanci se ajo çfarë kemi përpara do të jetë më e mirë a më e lehtë se ajo çfarë po lëmë pas”, duke ironizuar kështu zgjedhjen e Cakajt në krye të diplomacisë shqiptare.

Për pak kohë, Bushati mori një tjetër status në sytë e shqiptarëve, atë të një kundërshtari të një teze të rrezikshme. Vetë ai foli për median kosovare, duke thënë se personat që kërkojnë korrigjimin e kufijve janë sharlatanë me harta. Megjithatë, atij, “pelerina” e heroit më shumë i është vendosur në shpinë nga media. Sepse, publikisht ai akoma nuk e ka vendosur nëse do përgjigjet ashpër ndaj ish-shefit të tij.

Po të lexohen me kujdes deklaratat e shprehura në media, aty vihet re, se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Ka thirrje për të kërkuar falje për atë që ndodhi me Shkodrën, ftesë për të gjetur zgjidhje që nokëzimi, prengëzimi apo valdrinizimi të mos shndërrohen në normalitet, reflektim që “incidenti” të mos mbulohet me lëvizje propagandistike dhe alarm për të mos luajtur me ata që PS i konsideron si aleatët e saj perendimorë, të cilët janë shprehur qartë për dekriminalizimin e politikës.

Qasja e tij alternative nga ajo e Edi Ramës, së pari ndaj krizës politike pastaj, ndoshta, edhe për modelin e partisë, më shumë po mbetet në kuadrin e një përpjekje të ndrojtur, sesa një vijë lufte që po përforcohet nga dita në ditë. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH