Më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë. Në seancën e asaj dite, 109 nga 120 deputetë morën pjesë në sallë.
Deklaratën e pavarësisë asokohe e lexoi kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhej ndër të tjera në deklaratë.
Pavarësia e Kosovës pas çlirimit ishte një hap i madh dhe një simbol i realizimit të aspiratave për liri dhe sovranitet. Kjo ngjarje shpalli fundin e periudhës së pasluftës dhe fillimin e një etape të re për shtetin e Kosovës.