Një përleshje e dhunshme mes disa vajzave është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në një karburant në lagjen Matiçan të Prishtinës. Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve, të cilët kanë filmuar momentet e dhunës dhe i kanë publikuar në rrjete sociale.
Në pamjet që po qarkullojnë gjerësisht, shihen disa vajza që godasin dhe shkelmojnë njëra-tjetrën në mënyrë brutale, derisa disa prej tyre shtrihen në tokë. Nga informacionet paraprake mësohet se në përleshje janë përfshirë pesë vajza, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura arsyet që çuan në këtë përplasje.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një njoftim zyrtar për ngjarjen, ndërkohë që videoja po shkakton reagime të shumta në rrjet, për shkak të dhunës së shfaqur.