Kryetari i “Rithemelimit”, Sali Berisha ka paralajmëruar policinë që nesër të mos dhunojnë dhe provokojnë protestuesit.
“Paralajmëroj të gjithë llojet e policive, se çdo presion, çdo qëndrim, çdo përpjekje për të intimiduar, për të dhunuar, për të penguar, popullin opozitar, do të regjistrohet dhe do të marrë ndëshkim personal të merituar ligjor. Paralajmëroj të mos provokojnë protestuesit. Është e vërtetë që vapa dhe temperaturat janë të larta, por më të larta janë temperaturat e brendshme të njerëzve, që vijnë të protestojnë ndaj këtij regjimi. Nesër pra është një ditë e madhe. Nesër është një ditë frymëzimi, një ditë beteje të vërtetë. Opozita zbret në shesh. Edi Rama është i ftuar të mendojë dorëheqjen e tij sa më parë”, tha Berisha.
Kujtojmë se, protesta e paralajmëruar prej ditësh nga Berisha do të mbahet nesër në orën 19:00.