Aktualitet

Berati i familjes Vlora, transformimi urban e kulturor në shek. 17-18

Shkruar nga Liberale
Berati i familjes Vlora, transformimi urban e kulturor në shek. 17-18

Genciana Abazi-Egro

Lagja Murat Çelebi ishte një zgjerim i ri i qytetit të Beratit, nga shpati perëndimor i kalasë drejt hapësirës fushore buzë lumit të Osumit. Në fillim të shek. 17, elita e re që po drejtonte Beratin filloi të ndërtonte aty sarajet e veta të rrethuara me kopshte. Vexhi Buharaja është i mendimit se themeluesi i kësaj lagjeje të re të njohur me emrin Murat Çelebi, ka qenë Murat Pasha. Nga dokumentet osmane mësojmë se Murat Pasha është xhaxhai i Hysen pashë Vlorës, i cili ka drejtuar sanxhakun e Vlorës me qendër Beratin, në mesin e shek. 17. Kjo e dhënë hedh dritë mbi faktin që shqiptari Dev Kara Murat Pasha, sikurse e citojnë burimet osmane dhe që në shqip do të përkthehej Murati gjigand trim i çartur, ishte pinjoll i familjes Vlora. Fakti që lagja është quajtur Murat Çelebi, dëshmon që ajo është krijuar në periudhën e parë të jetës së këtin personaliteti. Termi çelebi në turqishten osmane, u bashkangjitej kryesisht emrave të pinjollëve të familjeve të mëdha që shquheshin për arsimin e marrë, por edhe sjelljen e tyre fisnike. Me të vërtetë Murat Pasha ka patur një karrierë të sukseshme ushtarake dhe politike; ka qenë kreu i korpusit të jeniçerëve, admirali i flotës osmane dhe është ngjitur dy herë në postin e kryeministrit të Perandorisë Osmane (1649, 1655). Ka qenë praktikë perandorake dhe lokale e kohës, që dinjitarët e lartë osmanë kontribuonin në vendlindjet e tyre me ndërtimin e objekteve fetare, apo dhe më shumë, me themelime lagjesh. Për qytetin e Beratit këtë traditë e ka vazhduar edhe i pari i Qyprilinjve, Mehmet Pasha, i cili sikurse Murati, ka themeluar një lagje, duke lënë pas kështu gjurmët e tij në këtë qytet.  Madje zgjerimi jashtë kalasë i qytetit Beratit në shek. 17 ka patur një dinamikë ndërtimesh shumë aktive, aq sa ka qenë e domosdoshme që Berati të kishte dhe një zyrë urbanistike të vetën.

Kur udhëtari i njohur osman Evlija Çelebiu vizitoi Beratin më 1670, e gjeti lagjen Murat Çelebi në një proces intensiv urbanizimi. Hysen pashë Vlora, sapo kishte përfunduar së ndërtuari një xhami, një kullë sahati dhe një treg modern. Këto ndërtime, së bashku me sarajet e Hysen Pashës dhe të elitës drejtuese të sanxhakut të Vlorës, përbënin brezin e parë të ndërtimeve që i dhanë formë lagjes. Në fakt ndërtimet në lagjen Murat Çelebi vazhduan edhe pas vdekjes së Hysen pashës (1672). Vetëm disa vite më vonë, zonja Aishe së bashku me bashkëshortin Sali bej Bobratin, njëri prej dinjitarëve të qytetit të Beratit, financojnë ndërtimin e një medreseje përballë xhamisë së Hysen pashës.

Hysen Pasha është personi që përmendet më shumë në udhëpërshkrimin e Evlija Çelebiut për qytetin e Beratit. Kjo sepse objektet që ai ka ndërtuar i kanë bërë shumë përshtypje udhëtarit të njohur. Ai i përshkruan ato me hollësi dhe i veçon mbi të gjitha për sqimën dhe elegancën në ndërtim, por edhe për harmonizimin e arkitekturës moderne me funksionet e tyre.

Xhaminë e veçon për minaren e lartë dhe kombinimin e ngjyrave që siguronin një mjedis të qetë dhe relaksues. Kullën e sahatit për arkitekturën, orën e sjellë nga Transilvania dhe fuqinë e  këmbanës së saj që dëgjohej deri një ditë larg. Ndërsa tregun e veçon për kombinimin e disa hapësirave, që sillnin ndërthurrjen dhe harmonizimin e funksioneve tregtare me funksionet sociale e kulturore.

Në të vërtetë, xhamia dhe pazari janë ndër elementet kryesore që formojnë një qendër urbane në Perandorinë Osmane. Hysen pasha duke ndërtuar një xhami dhe një treg artikulonte qartë ambiciet e tij për të projektuar një qendër, në lagjen Murat Çelebi. Arkitektura moderne e ndërtimeve, bashkangjitur dhe funksionet që ato ishin parashikuar të kryenin dëshmonin se kjo hapësirë do të shërbente si një qendër e rëndësishme për qytetin e Beratit. Në fakt fuqinë politike, pushtetin dhe ambicien e tij ai e kishte projektuar së pari, në sarajin me kopshte që kishte ndërtuar në lagjen Murat Çelebi, të cilin Evlija Çelebiu e rendit të parin ndër sarajet e rëndësishme dhe të bukura të Beratit. Ky saraj, edhe pas vdekjes së Hysen pashës shërbeu si vendi ku kasta drejtuese e qytetit të Beratit kryente mbledhje zyrtare.

Sipas Çelebiut, Hysen pashë Vlora tregun e ri e kishte konceptuar me disa pole. Krahas 100 mjediseve/dyqaneve për aktivitet prodhues dhe shitës, tregu kishte një shesh me një kullë sahati, një hapësirë me pemë dhe stola dhe në dalje 6 kafene që krahas ambienteve të mbyllura për kafe kishin parashikuar dhe një hapësirë për njerëzit që kërkonin të peshkonin apo notonin në lum. Kjo e bënte tregun një vend takimi për njerëz nga shtresa të ndryshme të shoqërisë.  Ndër grupet kryesore që shfrytëzonin mjediset jokomerciale të tregut, udhëtari turk veçon njerëzit e shkolluar dhe dijetarët e qytetit të Beratit. Sipas Çelebiut, të shkolluarit e Beratit parapëlqenin për të diskutuar me njëri-tjetrin dy vende, stolat e gurtë në shesh dhe kafenetë në dalje të tregut, buzë lumit Osum. Tregu në këtë mënyrë kishte fituar një funksion të qartë social e kulturor krahas atij prodhues e tregtar. Për shkak të hapësirave që parashikonin veprimtari jo mirëfilli tregtare, tregu krijonte një mjedis për një ndërveprim të shtresave të ndryshme të shoqërisë. Ndërkohë që aktiviteti tregtar ndihmonte dhe për komunikim mes qytetit dhe zonave rurale përreth.

Faktin që Hysen pashë Vlora po projektonte një qendër të re për qytetin e Beratit e përforëcon edhe ndërtimi i një kulle të lartë ore me këmbanë të madhe. Kulla e cila sipas Çelebiu ishte mrekullia e Beratit, sundonte panoramën me lartësinë e saj, por dhe me kumbimin e fuqishëm që dëgjohej një ditë larg. Duke patur një pozicion dominues ajo komunikonte jo vetëm me banorët e lagjes Murat Çelebi, por edhe me banorët e tjerë të qytetit dhe të rrethinave. Kjo formë komunikimi i jepte asaj vlerë simbolike, por dhe një funksion përbashkues. Ajo e vendoste lagjen në fokus të qytetit, dhe e shquante Beratin nga qytetet e tjera të cilat nuk kishin ora publike. Kulla me sahat në këtë periudhë ishte risi edhe për vetë Perandorinë Osmane. Madje kulla me sahat e Beratit renditet ndër të parat në Perandorinë Osmane, pas kullës së Prizrenit, Banja Luka-s dhe Shkupit. Ndonëse ora si teknologji u zbulua ne lindje, koncepti i kullës së sahatit si një matës gjigand i kohës, u zhvillua ne Europë. Për këtë arsye dhe kullat e sahatit në Perandorinë Osmane fillimisht u shfaqën në Ballkan, për t’u përhapur më pas në gjithë Perandorinë gjatë shek. 18.

Nga ana tjetër kjo qendër e re duke kombinuar mjediset tregtare me hapësira për vendtakimin e të gjithë grupeve sociale, synonte të vinte në lëvizje potencialin kulturor e intelektual të qytetit. Dijetarët dhe të shkolluarit e Beratit, Evlija Çelebiu i shquan si një grup i profilizuar qartë, i përbërë nga “poetë, oratorë, ata që merren me retorikën dhe autorë librash” një pjesë e mirë e të cilëve kishin kryer “studime të plota dhe njihnin detin e kuptimeve.” E veçanta e të shkolluarve të Beratit ishte se ata “nuk çanin kokën për doktrinën fetare; ishin të dhënë pas moralit; ishin njerëz me delikatesë, të fisëm dhe inteligjentë.” Kjo shtresë elitare e Beratit prodhoi personalitete lokale sikurse Hysen pashë Vlora dhe disa dekada më vonë poetët Nezim Berati e Sulejman Naibi, ndërsa në rang perandorie ajo u bë burim i kastës drejtuese me personalitete të fuqishme sikurse Kara Murat pasha, apo dinastia e Qyprilinjve, ndërsa në lëmin urban, arkitekt Kasemi. Ky fakt do të vihet në dukje dhe nga vetë Evlija Çelebiu i cili pohon se nga paria e Beratit “kanë dalë ministra, shtetarë, dijetarë dhe njerëz të urtë.”

Këto ndërtimet të reja (treg, kullë sahati dhe kafene), sinjalizonin se në fokus të Hysen pashë Vlorës ishte jeta urbane e qytetit, me një vëmendje të veçantë për elitat. Kjo formalizonte dhe inkurajonte një tendencë të re, drejt një modeli kulturor i cili ofronte lidhje të forta me publiken, jashtë ombrellës së drejtpërdrejtë të institucioneve fetare. Në këtë mënyrë njerëzit e shkolluar filluan të orientohen drejt publikes, ndërsa me anë të institucioneve sociale ndërmjetësuese sikurse kafenetë, po u krijohej atyre mundësi që të komunikonin jo vetëm midis tyre, por edhe me publikun.

Kjo marrëdhënie e re e njerëzve me këto mjedise dhe institucione ka patur ndikimet e veta dhe në komunikimin letrar, duke e orientuar atë drejt gjuhës shqipe që përdorej në jetën e përditshme, por dhe drejt trajtimit të tematikave që lidheshin me jetën njerëzore. Shqipja fillon dhe bëhet pjesë e ligjërimit letrar së pari në qytetin e Beratit, e më pas në zonat urbane të banuara nga shqiptarët, në të gjithë territoret e tyre. Kjo inicon fillimin e një procesi të ri letrar në letrat shqipe, krijimin e letërsisë origjinale me funksione të qarta estetike e cila do të kulmojë disa dekada më pas me poetët Nezim Berati e Sulejman Naibin.

Nga ana tjetër, Hysen pashë Vlora me urbanizimin e lagjes Murat Çelebi solli një dinamikë të re në zhvillimin e potencialit kulturor të qytetit. Ai shprehu ambicien e tij për të patur në vëmendje të veçantë njerëzit e dijes dhe të kulturës në qytetin e Beratit. Ky patronazh/mecenat kulturor do të zhvillohej dhe përsosej më tej nga pasardhësit e tij, i biri Mahmut pashë Vlora dhe pas tij, i nipi, Ismail pashë Vlora i njohur me llagapin Velabishti. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH