Aktualitet

Zbulohet laboratori i falsifikimit të dokumenteve, merrnin 500 deri në 300 mijë euro

Shkruar nga Liberale
Zbulohet laboratori i falsifikimit të dokumenteve, merrnin 500 deri në

Në Lezhë, policia ka zbuluar një laborator që dyshohet se shërbente për prodhimin e dokumenteve të huaja të identifikimit, të dyshuara të falsifikuara. Po ashtu, është zbuluar edhe një ambient ku ushtrohej aktivitetit i dyshuar i mashtrimit kompjuterik, ndaj shtetasve të huaj.

Blutë bëjnë me dije se në pranga kanë rënë shtetasit Pertef Musabelli, Henri Haxhiraj, Arjan Refugjati dhe Erigesji Moriga. Ndërsa janë shpallur në kërkim shtetasit Artur Terziu dhe Ilir Mata.

Policia e Lezhës bën me dije se këta persona, kanë përfituar shuma të ndryshme monetare që variojnë nga 500-300.000 euro nga shtetas të huaj të cilët binin pre e mashtrimit të këtij grupi.

Operacioni i koduar “Identiteti” ka ardhur pas një hetimi 3-mujor nga Seksioni i Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtorinë e Forcës Operacionale, DVP Tiranë dhe DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

“Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa ambiente në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: pasaporta dhe karta identiteti bullgare, karta identiteti spanjolle, pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi italiane, fotokopje dokumentesh të huaja e shqiptare, pasaporta shqiptare, certifikata, 11 njësi kompjuterike, karta bankash, laptopë, USB që përmbanin të dhëna personale të disa shtetasve të huaj të mashtruar nga shtetasit e lartpërmendur, duke përfituar shumë të ndryshme monetare që variojnë nga 500-300.000 euro”, thuhet në njoftimin e policisë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH