Drejtoria e Policisë së Vlorës ka shtuar kontrollet në rrugët e qytetit për të ndëshkuar drejtuesit e automjeteve që parkojnë gabim dhe pengojnë lëvizjen e qytetarëve apo makinave.
Aksioni po zhvillohet çdo ditë dhe nuk ka asnjë tolerim ndaj shkelësve. Policia po vendos gjoba, po tërheq mjetet me karroatrec dhe paralajmëron se disa raste mund të përfundojnë edhe në ndjekje penale për pengim të qarkullimit.
Vetëm në katër ditët e fundit janë vendosur mbi 200 gjoba dhe janë bllokuar shumë automjete. Për t’i tërhequr, drejtuesit duhet të paguajnë fillimisht gjobën.
Kontrollet nuk po bëhen vetëm në rrugët kryesore, por edhe në lagje, për të përmirësuar qarkullimin dhe për të rritur sigurinë në trafik.