Universitet

Nga rektorët te shefat e departamenteve, Universitetet Publike më 21 Qershor zgjedhin drejtuesit e rinj

Shkruar nga Liberale
Nga rektorët te shefat e departamenteve, Universitetet Publike më 21

Sipas rregullores, rektorët dhe dekanët që kanë plotësuar dy mandate nuk mund të rikandidojnë

Bazuar në dispozitat e ligjit “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”, i cili parashikon zhvillimin periodik të zgjedhjeve çdo 4 vjet, Ministrja e Arsimit Ogerta Manastriliu ka shpallur datën e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese dhe organet drejtuese në universitetet publike.

Data e zhvillimit të zgjedhjeve do të jetë 21 Qershor 2024. Ato do të mbahen njëkohësisht në të gjitha universitetet publike në vend.

Normalisht fillimi i procesit zgjedhor nis një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, pra më 20 Maj. Brenda këtij afati të gjithë personat që duan të bëhen pjesë e garës për organet drejtuese të universiteteve duhet të vetëkandidohen.

Rektorët e 12 universiteteve publike mund të kandidojnë për të mbajtur këto poste, pasi ligji i arsimit të lartë përcakton se “Mandati i rektorit zgjat katër vjet. Ai shërben në detyrë për një mandat, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë”.

Pra ligji ka përcaktuar se rektori, mund të shërbejë në detyrë jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë karrierës së tij akademike në të njëjtin institucion të arsimit të lartë. Mes rektorëve, që nuk mund të garojnë më në zgjedhjet e 21 Qershorit është rektori i Mjekësisë, Arben Gjata, rektori i Politeknikut Andrea Maliqari, si dhe rektorët e universiteteve të Vlorës, Elbasanit dhe Gjirokastrës pasi kanë bërë nga dy mandate.

Veç rektorëve zgjedhjet përfshijnë edhe 55 dekanë dhe 155 drejtues departamentesh, por edhe për senate akademike. Pjesë e zgjedhjeve në universitet janë personeli akademik dhe studentët.

Vota e studentëve llogaritet në masën 10% të totalit të përgjithshëm të votave.

Rektorët aktualë të universiteteve publike:

Universiteti i Tiranës, Artan Hoxha

Universiteti i Mjekësisë, Arben Gjata

Universiteti Politeknik, Andrea Maliqari

Universiteti Bujqësor, Fatbardh Sallaku

Universiteti i Sporteve, Agron Kasa

Universiteti i Arteve, Kastriot Çaushi

Universiteti i Durrësit, Kseanela Sotirofski

Universiteti i Elbasanit, Skënder Topi

Universiteti i Korçës, Dhimitri Bello

Universiteti i Shkodrës, Suzana Golemi (e pezulluar)

Universiteti i Vlorës, Roland Zisi

Universiteti i Gjirokastër, Bektash Mema

Poll
SHQIPENGLISH