Economicus

FTESË në Liberale/ ANALIZË nga Anilda Bozdo: Sistemi bankar dhe sfidat e tij në të ardhmen

Shkruar nga Liberale.al

FTESË në Liberale/ ANALIZË nga Anilda Bozdo: Sistemi bankar dhe

Informaliteti i lartë i ekonomisë mbetet një ndër shqetësimet kryesore në përmbushje të standardeve të BE-së në udhëtimin dhe perspektivën tonë europiane. Ndonëse janë bërë përpjekje të vazhdueshme, sistemi bankar në Shqipëri është modernizuar, fenomeni mbetet shqetësues.

Prof. Dr. Anilda Bozdo, eksperte e ekonomisë dhe e financave, pjesë e katedrës së Financave në Universitetin Europian të Tiranës, analizon për “Liberale.al” fenomenin e informalitetit në vendin tonë, rolin që duhet të ketë qeveria, media, institucionet ligjzbatuese dhe mbarë shoqëria si dhe rëndësinë që ka sistemi bankar në një betejë të tillë.      

Liberale: Cili është rrugëtimi i sistemit bankar në Shqipëri gjatë viteve të tranzicionit...

Anilda Bozdo: Me fillimin e viteve ‘90, ndërrimi i sistemit politik në Shqipëri solli ndryshime thelbësore edhe për sistemin bankar. Tiparet kryesore të këtij ndryshimi ishin: ndarja e funksioneve të bankës qendrore nga funksionet e bankave të nivelit të dytë (bankat tregtare), rritja e numrit të bankave, shtrirja e veprimtarisë së tyre të kreditit në disa degë të ekonomisë shqiptare, si dhe hyrja e kapitalit të huaj në tregun bankar. Në cilësinë e autoritetit monetar e mbikëqyrës të vendit, Banka e Shqipërisë, e cila u krijua me miratimin e ligjit nr. 7559 "Për Bankën e Shqipërisë", datë 22 prill 1992, gëzon funksione të mirëfillta të një banke qendrore klasike, me objektivin kryesor që të garantojë arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe eficiencën e sistemit financiar. Gëzon një pavarësi nga shteti, duke qenë e limituar me ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”, niveli i bonove të thesarit blerë qeverisë shqiptare në raport me PPB.

Gjithashtu këto vitet e fundit vihet re konçentrimi i bankave nga 16 në 11 banka, nga blerjet që janë bërë dhe largimi Societe Bank, bankë franceze dhe futja e Otp Bank, bankë hungareze.

Struktura e bankave dhjetor 2022*

BANKA KOMBËTARE TREGTARE 26.3 %

BANKA CREDINS 16.0 %

BANKA RAIFFEISEN 15.3 %

BANKA INTESA SANPAOLO ALBANIA 10.3 %

BANKA OTP 9.6 %

BANKA TIRANA 6.2 %

BANKA AMERIKANE E INVESTIMEVE 6.1 %

BANKA UNION 4.9%

BANKA E PARË E INVESTIMEVE ALBANIA 2.6 %

BANKA PROCREDIT 2.2%

BANKA E BASHKUAR E SHQIPËRISË 0.7 %

*Burimi: Banka e Shqipërisë, Raporti i Mbikëqyrjes 2022

Liberale: A mund ta quajmë të suksesshëm sistemin tonë bankar qoftë në raport me vendet fqinje, ose në raport me fusha të tjera të zhvillimit?

Anilda Bozdo: Mund të themi po e parë në disa drejtime:

1.            Sistemi rregulativ  është nga më bashkëkohorët, duke aprovuar rregullore të reja që akoma një pjesë e bankave të rajonit nuk i kanë futur akoma, si Rregullore 14/2023 ”Për ushtrimin e veprimtarisë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të pagesave”, Rregullore 57/2022 ”Për ushtrimin e veprimtarisë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të parasë elektronike”, në fazën e përmbylljes së rregulloreve për përfshirjen ne SEPA etj.

2.            Niveli i mjaftueshmërisë së kapitalit nga 6 për qind që e kanë bankat në Bashkimin Evropian në Shqipëri kërkohet në nivelin 12 për qind pra dyfishi, duke siguruar një nivel më të lartë kapitalizimi të bankave. Në dhjetor të 2022 niveli i mjaftueshmerisë së kapitalit arriti në 18.13 përqind. Në dhjetor të 22 kapitali zinte 11.3 përqind të aktiveve të bankës nga 1-2 përqind që e kanë bankat tregtare në Evropë.

3.            Nivelet e risqeve janë të moderuara. Kreditë me probleme nga 25 përqind që arritën në kohën e fillimit të krizës, 2008-9, në dhjetor të vitit 2023 arritën në 4.74 përqind, që flet për një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së kredidhënies (pavarësisht se kjo pjesërisht u arrit edhe nëpërmjet shitblerjes së kredive me probleme nga instuitucione të tjera, të cilat marrin licence nga Banka e Shqipërisë dhe mbikëqyren nga ajo). Po kështu pesha që zenë kreditë në totalin e bilancit në dhjetor të vitit 2023 ishte 37.44 përqind, pak a shumë në këto nivele edhe në vitet e mëparshme në krahasim me 80-90 përqind që zenë në bankat tregtare jashtë. Pra kredia në bankat tona nuk ka atë peshë që ka në bankat tregtare të huaja ( të mos flasim për rentabilitetin që ndikon negativisht, por për nivelin e riskut për bankat)

Nivelet e likudititetit janë të larta, që arrijnë në  dhjetor 23 në 30.79 per qind të totalit të aktiveve, që flet për një nivel të ulët të rrezikut të mungesës së likuiditetit, por edhe të nivelit të moderuar të sigurimit të të ardhurave.

4. Të ardhurat e bankave kanë ardhur në rritje çdo vit, ROE (të ardhurat mbi kapitalin) në dhjetor 2023 arritën në 17.26 përqind nga 12.6 që ishte një vit më parë apo 12.3 për qind më 2021. Po kështu bankat nuk patën probleme edhe në vitet e pandemisë në vitin 2020 ROE ishte 10.65 përqind me një ulje të lehtë krahasuar me vitet e mëparshme.

5. Transparenca dhe publikimi i informacionit - si elemente që ndikojnë në shkallën e besueshmërisë së publikut ndaj sistemit financiar në vend - kanë vijuar të jenë në fokusin e Bankës së Shqipërisë, duke kërkuar nga bankat raportimin apo publikimin në mënyrë të plotë të kushteve të punës në faqet e internetit të tyre.

6. Është krijuar një Fond për Ndërhyrje të Jashtëzakonshme, i cili në prill të vitit 2024, u shtua me 982.1 milionë lekë nga arkëtimi i kontributit vjetor të bankave. Ky fond shërben për të ndërhyrë në raste rreziku të bankave nga Banka e Shqipërisë.

7.            Rreziku operacional dhe i teknologjisë paraqitet i moderuar. Aktualisht, siguria e informacionit dhe veçanërisht ajo kibernetike paraqitet e qëndrueshme.  Bankat  kanë  shtuar  kontrollet  e  brendshme,  duke  marrë  masa  shtesë për infrastrukturën ekzistuese përmes implementimit të kontrolleve (logjike dhe teknike) shtesë në të gjitha komunikimet, përfshirë këtu edhe ato me palë të treta. Bankat kanë rritur bashkëpunimin dhe komunikimin midis tyre në ndarjen e informacionit mbi kontrollet e sigurisë kibernetike, indikatorët e kompromentimit dhe  vulnerabilitete  të  reja  sa  i  përket  trajtimit  të  kërcënimeve  të  vërejtura  në  sistemet e tyre dhe masave të ndërmarra për parandalimin e incidenteve. (BSH)

Pavarësisht sa thashë më lart, roli i Bankës së Shqipërisë si institucion i vetëm mbikëqyrës i sistemit bankar, duhet të jetë shumë i madh dhe të ndërhyjë në kohë për mos të pasur raste që dëmtojnë klientin e bankës, nëpërmjet interesave shumë të larta të kredisë (niveli marzhit neto të interesave në 3.3 për qind në dhjetor të vitit  2002 është nga më të lartët për rajonin) nëpërmjet komisioneve të pafundme bankare (që ka raste që zënë 50 perqind të të ardhurave të këtyre institucioneve), nëpërmjet shitjes së kolateralit në ankande me çmime qesharake, etj, etj.

Kjo do të dëmtonte shumë reputacionin e bankave sepse besimi është thembra e Akilit për sistemin bankar.

Liberale: Informaliteti është gjë e zakonshme, që shpesh edhe jep ndikim negativ në vlerësimet dhe ecurinë ekonomike të vendit. Besoni se është çështje kulture e popullit tonë, është mungesë vullneti nga qeveritë që e shfrytëzojnë për të fituar kapital politik, apo është roli i dobët i institucioneve financiare ato që i “edukojnë” shqiptarët të qarkullojnë më shumë para jashtë sistemit bankar?

Anilda Bozdo: Informaliteti është fenomen mjaft negativ nga shumë drejtime edhe për shtetin duke e dobësuar atë me taksa të munguara, por edhe për ekonominë duke e deformuar si rezultat i një konkurence të pandershme.

Ka shumë shkaqe të arritjes në këto nivele galopante të informalitetit.

Së pari, shteti u kujtua shumë vonë të merrte në konsideratë problematikat që sillte informaliteti. Mungonte eksperienca jo vetëm institucionale por dhe të nënpunësve shtetërorë, specialisteve të fushave të ndryshme. Nuk pati bashkëpunim midis institucioneve, si me Bankën e Shqipërisë. Bankat jepnin kredi edhe për firma që paraqisnin në bankë bilancin real, përveç atij të çertifikuar, për të justifikuar nivelin e të ardhurave të realizuar, që arrinte deri në 10-50  herë më shume fitim nga ai i deklaruar, (nga një studim që kam bërë në atë kohë në një nga bankat e sistemit) dhe nuk kishte një reagim nga ana e bankave. Nëse biznesi nuk do merrte dot kredi vetëm me bilancin e deklaruar, ai do nxitej vete të formalizonte aktivitetin e tij. Pra nëse shteti do kishte bashkëpunuar edhe me institucionet e tjera financiare, do ishin frenuar përmasat që morri informaliteti.

Së dyti, mungon bashkëpunimi mes forcave politike, sepse në çështje të tilla kaq delikate duhet një dakordësi shumë palëshe, nëse zgjedh të aplikosh një amnisti fiskale, sepse duhet të jesh në radhë të parë i besueshëm për biznesin.

Së treti, kishte mangësi ligjesh, si vend i ri që u futëm në tranzicion, që gjithmonë janë vende të preferuar për pastrim parash jo vetëm të poseduesve vendas të parave por edhe të huaj. Viti 1997 nuk mund të harrohet për goditjen fatale që shkaktoi në ekonomi nga të ashtuquajturat “firmat piramidale”.

Së katërti niveli i lartë i korrupsionit, në administratën shtetërore, që deformon çdo masë të duhur të marrë.

Informaliteti nuk vjen nga paratë jashtë bankave, por ai rrit nivelin e tyre duke mos e futur në sistem. Paratë jashtë bankave, që në vitet 92-93 kur u krijua BSH ishin afër 50 për qindshit, pra gjysma e parave të emetuara ishte jashtë sistemit bankar, dhe kjo po mund të them që ishte pasojë e kulturës financiare të munguar, (përshëndes Guvernatorin Sejko për sensibilizimin e kërkesën për edukimin financiar të të rinjve).

Bota ka banka prej 500 vjetësh, ne kemi vetëm 30 vjet (si banka të vërteta tregtare), kështu edhe besimi në to, kultura për të punuar me to, lehtësia për të punuar me to, janë të gjitha elementë që ndikojnë në faktin që popullsia të ardhurat nga pagat, (pra, formale) t’i mbajë në sistem. Kuptohet që këtu ka pasur mangësinë e vet edhe BSH, për të punuar intensivisht nëpërmjet mediave, aq më tepër që sot janë rritur shumë llojet e tyre, si ato televizive, radio, apo rrjetet sociale dhe kanë rritur mundësinë e komunikimit me publikun e gjerë.

Vetëm vitet e fundit pagat derdhen në bankë, por deri vonë jepeshin në ndërmarrje nëpërmjet borderove. Më kujtohet në vitin 97 BSH filloi të ndante rrogat duke i kaluar në BIA, një nga bankat e sistemit në atë kohë, dhe të na jepte çeqe për tërheqjen e tyre, në mënyrë që të fillonim përdorimin e instrumentave të pagesave. Në këto kushte do kishim patjetër nivel të lartë të parave jashtë bankave dhe që do vështirësonin përdorimin e instrumentave direkt e indirekt të politikës monetare të BSH.

Liberale: Është hedhur ideja që veç pagave që duhet të deklarohen në masën 100 për qind nga punëdhënësit edhe pensionet të merren në bankë. Në një plan më afatgjatë, çfarë efekti mund të ketë mbi shoqërinë mos deklarimi i pagave për të gjithë ata të cilët kanë punuar ose vazhdojnë të punojnë në “të zezë”?

Anilda Bozdo: Dihet se kjo shkakton probleme të rënda sociale dhe do jenë barrë së pari, për shtetin kur këta të punësuar nuk do kenë pension, ose do e kenë të pamjaftueshëm për të arritur nivelin minimal të jetesës, sepse duhet t’u japë ndihmë sociale shteti të gjithë të punësuarve në të zezë.

Së dyti, për individin që ka punuar gjithë jetën dhe kur të dali në pension mund të rezultojë i varfër deri në skamje.

Së treti, gjithashtu kjo do çojë  në kolaps edhe sistemin e sigurimeve shoqërore se do pakësojë kontributet e derdhura, prandaj edhe po ndërmerren reforma për ta lidhur pensionin me kontributin tënd real e jo me përdosimin e koefiçenteve të ndryshme.

Së katërti, edhe për vetë biznesin. Bizesmenët tanë nuk e kuptojnë se të punësuarit të keqtrajtuar nëpërmjet pagave apo stimujve të tjerë, nuk mund të kryejnë një punë me cilësinë e kërkuar, plus që kjo do të ulë fuqinë blerëse të popullsisë e cila do ulë kërkesën për mallrat e prodhuara prej tyre.

Po flitet gjithmonë e më shumë për mungesën e theksuar të kulturës financiare në shoqërinë tonë, cilat janë institucionet që mendoni se mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

Së pari Banka e Shqipërisë, e cila ka filluar një punë të mirë edhe me shpërndarjen e fletushkave për  shërbime të caktuara bankare, si t’i drejtohesh bankës, si të kërkosh të hapësh një depozitë, si të kalkulohet interesi që merr, si të marrësh një kredi, si të llogaritet interesi nga ana e bankës, etj. etj..

Këto duhet të shtohen dhe të shpërndahen në shkolla ndofta dhe falas. Sepse botohen dhe nuk i di kush. Sepse siç e thash është një edukatë e munguar dhe duhet dikush të marrë përgjegjësinë për ta futur këtë edukatë sepse i shërben edhe vetë sistemit bankar.

Së dyti shkolla, mund të kemi një lëndë ndofta në të mesme ku të trajtohen nocionet më elementare financiare, se ti mund të mos mbarosh fakultetin, por në jetën e përditshme janë të domosdoshme, mund ta bësh jetën tënde më të begatshme nëse do dish të investosh paratë e fituara nga puna.

Së treti, edhe në fakultete, pavarësisht degës, mendoj se mund të kemi një lëndë financë-kontabilitet, një lëndë të përgjithshme si është komunikimi apo gjuha e huaj. Para viteve 2000 Fakulteti Juridik kishte kontabilitet si lëndë të përgjithshme.

Së katërti, media. Ka programe pa fund shpesh edhe të dëmshme në to. Mund të organizojnë cikël leksionesh për kulturën fillestare financiare duke ftuar pedagogë të ndryshëm, specialistë nga fusha të ndryshme, etj. Përshëndes “TV Scan” që ka ndërmarrë një iniciativë të tillë, por duhet të trajtohet nga të gjitha mediat se jo të gjithë ndjekin këtë media, dhe të jenë në disa nivele për të vegjlit, të rinjtë dhe nocione më të thelluara, përveç debateve ekonomike të cilat janë me shumicë në këto media.

Intervistoi: Aranit Muraçi/ Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH