
Një tjetër rekord i thyer nga Luiza Gega, e cila për momentin është atletja më e komentuar në Shqipëri dhe më gjerë. 34-vjeçarja ka shkëlqyer në garën e 3 mijë metrave me pengesa në Europianin Ekipor të Atletikës, ku ka zënë vendin e parë, ndërsa ka vendosur një kohë rekord e konkretisht 9 minuta e 17 sekonda.
Në një intervistë për "Euronews Albania" ajo tha se është kënaqësi e madhe të thyejë rekorde, ndërsa shtoi se ka qenë këmbëngulëse dhe ka punuar fort që për një kohë të gjatë të mbajë një pozicionim të tillë.
“Pjesa që u komentua më shumë, qoftë nga Federata Europiane është pikërisht numri i medaljeve që unë kam fituar gjatë gjithë karrierës time sportive në këtë lloj aktiviteti duke thyer tashmë dhe rekordin që mbahej nga një bullgare. Të gjithë muajin e fundit kjo është komentuar shumë, nëse Luiza Gega nga Shqipëria do të arrinte të thyente pikërisht këtë rekord,” u shpreh Gega.
Ajo foli dhe për ndryshimin e një trajneri, duke thënë se në këto nivele që është nuk mund të ndryshojë programin e stërvitjes. Sipas Gegës, ka rrezikshmëri që ndoshta një program i ri nuk i përshtatet duke qenë se ndër vite ka përdorur të njëjtën mënyrë stërvitje.