
Sezoni aktual duket se do të jetë i fundit për Kingsley Coman te Bayern Munich. E ardhmja e sulmuesit francez duket gjithnjë dhe më afër Arabisë Saudite.
Sipas asaj që raportohet nga “Sky Sports”, Bayern Munich është i hapur për shitjen e Coman, nga i cili synojnë të përfitojnë 30 ose 40 milionë Euro.
Edhe vetë lojtari thuhet se ka filluar të mendojë për një transferim në Lindjen e Mesme, ndonëse nga skuadrat europiane interesimet nuk mungojnë, me Liverpool që ka pasur kontakte në të kaluarën.
Në Shtator të vitit të kaluar, Coman refuzoi një ofertë nga Al Hilal, ndonëse Bayern Munich kishte dhënë dritën jeshile për largimin.
Këtë sezon, francezi ka shënuar 6 gola dhe 4 asiste, në 33 ndeshje të zhvilluara, ndërsa kontrata e tij me bavarezët është e vlefshme deri në vitin 2027.