Donald Trump e hodhi hapin e guximshëm duke bombarduar programin bërthamor të Iranit dhe më pas duke imponuar menjëherë një armëpushim mes Izraelit dhe Republikës Islamike – dhe e gjitha kjo, pa asnjë viktimë amerikane.
Kjo lëvizje shihet si një triumf ndaj atyre që, përfshirë këtë gazetë, kishin frikë se Irani do të hakmerrej me forcë.
Por rreziku ishte vetëm njëra anë e llogarisë; faktori tjetër ishte nëse Amerika do të mund të ndalonte Iranin nga ndërtimi i një arme bërthamore përmes këtij sulmi. Mënyra më e mirë për ta arritur këtë, tani, do të ishte që zoti Trump të arrinte një marrëveshje të plotë bërthamore me regjimin iranian. Ai mund ta përforcojë këtë proces duke nxitur Lindjen e Mesme që të zgjidhë problemet përmes tregtisë dhe investimeve, jo përmes përgatitjeve për luftë. Këto janë detyra të vështira, por edhe nëse Trump i arrin pjesërisht, ai do të kishte siguruar një çmim që nuk ia kanw dalw ta kenw paraardhësit e tij.
Përpjekjet e tij duhet të nisin me një vlerësim të dëmit që kanë shkaktuar 14 bombat bunker-buster dhe rreth 30 raketat cruise mbi tre objektiva në Iran. Siç është në stilin e tij, Trump deklaroi se kishte “shkatërruar” tërësisht programin bërthamor iranian. Por vetëm disa ditë më vonë, një vlerësim i rrjedhur nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) e kundërshtoi këtë pretendim, duke thënë se programi iranian ishte zvarritur vetëm me disa muaj. Ky vlerësim, megjithatë, ishte paraprak dhe me “besueshmëri të ulët” – dhe më tej, edhe ai është kundërshtuar nga burime të tjera.
Debati i ashpër që po zhvillohet nuk duhet të errësojë një të vërtetë thelbësore: Vetëm bombardimet nuk mund të shkatërrojnë me siguri të gjitha objektet iraniane dhe as nuk do të zhdukin njohuritë e fituara prej Iranit në fushën bërthamore.
Qëllimi i tyre ishte të vononin përparimin e programit, ose më mirë akoma, të bindnin Iranin se zotërimi i një arme bërthamore nuk ia vlen. Pavarësisht se sa dëme janë shkaktuar, tani Trump duhet të pranojë se ky përfundim duhet të formalizohet përmes një marrëveshjeje bërthamore.
Presidenti nuk ka vetëm bombarduesit amerikanë në ndihmë. Sulmi i tij ishte kulmi i një fushate 20-mujore të Izraelit, e cila ka thyer strategjinë dydekadëshe të Iranit për të shtrirë ndikimin e tij negativ në Lindjen e Mesme. Programi bërthamor i Teheranit ka kushtuar dhjetëra miliarda dollarë, por në vend që të shërbente si një pengesë ndaj një sulmi të huaj, përkundrazi, ai e nxiti një të tillë.
Irani shpenzoi edhe dhjetëra miliarda të tjera për të krijuar një rrjet milicish dhe aleatësh në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme. Një nga qëllimet e këtij rrjeti ishte të pengonte Izraelin të sulmonte Iranin. Por pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, Izraeli e çmontoi rrjetin e përfaqësuesve iranianë një nga një.
Tani që regjimi iranian është poshtëruar, ndodhet në një udhëkryq. Ai mund të ndjekë ndërtimin e një bombe bërthamore, por nëse kjo zbulohet, Irani do të izolohet dhe do të përballet me një tjetër valë sulmesh. Kjo mund të zemërojë edhe më shumë qytetarët iranianë, të cilët kanë vuajtur nga varfëria dhe represioni, ndërkohë që taksat e tyre janë shpërdoruar nga një regjim që nuk arriti t’i mbrojë.
Alternativa është që oficerët ushtarakë — të cilët gjithnjë e më shumë po lënë në hije mullahët — të arrijnë në përfundimin se një luftë revolucionare kundër Izraelit dhe Amerikës është e pamundur për t’u fituar, dhe se mirëqenia dhe mbijetesa e tyre do të ishin më të sigurta përmes angazhimit paqësor.
Trump mund të ndikojë në zgjedhjet e regjimit iranian duke ofruar një marrëveshje bërthamore në interes të të gjithëve. Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë që Irani të heqë dorë nga rezervat e uraniumit shumë të pasuruar dhe të pranojë inspektime ndërkombëtare të rrepta dhe gjithëpërfshirëse. Irani duhet të lejohet të pasurojë uranium në nivele për përdorim civil (për reaktorë), por vetëm nën kushte të forta që kërkojnë pjesëmarrjen e tij në një konsorcium ndërkombëtar jashtë territorit të tij.
Në këmbim, negociatat duhet të përqendrohen te heqja e sanksioneve amerikane dhe europiane, si dhe te garantimi i sigurisë ndaj kërcënimeve.
Të mos mendohet se kjo do të jetë e lehtë. Pyetja urgjente është çfarë ndodhi me 400 kilogramët e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë të Iranit, që ishin objektiv i sulmeve amerikane. Askush nuk i beson Iranit kur flet për të vërtetën, por do të jetë shumë e vështirë për regjimin të provojë që nuk i ka më ato rezerva — ose për inspektorët ndërkombëtarë të vërtetojnë çdo kilogram pas një bombardimi kaq të gjerë.
Nga ana e tij, as Irani nuk i beson askujt — as inspektorëve. Kjo i rrezikon negociatat të zhyten në akuza të ndërsjella dhe bllokim.
Pikërisht për këtë arsye, Trump duhet të ndryshojë edhe arsyet që e shtyjnë Iranin drejt armës bërthamore, duke u përpjekur të përcaktojë një drejtim të ri për Lindjen e Mesme.
Sot, Izraeli është fuqia ushtarake dominuese në rajon. Pas sulmit të 7 tetorit, shumë izraelitë kanë arritur nw përfundimin se mbijetesa në një lagje të rrezikshme kërkon përdorim të pamëshirshëm të dhunës. Forcat e tij godasin objektiva në Liban dhe Siri sapo shfaqet një kërcënim i mundshëm. Fraksionet ekstremiste brenda qeverisë së tij duan ta shfrytëzojnë këtë epërsi për të aneksuar territore palestineze në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Por pas fitores kundër Iranit, Izraeli duhet të kthejë faqen, ashtu siç bëri me Egjiptin pas luftës së vitit 1973 dhe siç nisi ta bënte në vitin 2020 me normalizimin e marrëdhënieve me disa shtete arabe përmes marrëveshjeve të Abrahamit. Qëllimi tani duhet të jetë një marrëveshje e ngjashme me Arabinë Saudite. Por kjo do të kërkojë një armëpushim në Gaza, njohjen nga Izraeli të parimit të dy shteteve dhe një tërheqje nga logjika e një lufte të përhershme.
Të arrihet një marrëveshje bërthamore me Iranin dhe një normalizim në Lindjen e Mesme do të jetë jashtëzakonisht e vështirë — veçanërisht për një president me vëmendje të shkurtër dhe prirje për të improvizuar. E megjithatë, Trump ka disa avantazhe. Ai ka në dorë Partinë Republikane, ndaj kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do ta ketë të vështirë ta anashkalojë në Kongres. Pasi ka ndihmuar Izraelin, Trump ka fituar autoritetin për të ushtruar presion mbi palët — siç bëri më 24 qershor në Shtëpinë e Bardhë, kur i kërkoi me forcë Izraelit të respektonte armëpushimin e shpallur prej tij.
Nëse Trump humbet interesin – siç është shumë e mundur – alternativa do të jetë e zymtë. Nëse programi bërthamor i Iranit rishfaqet si kërcënim, Izraeli do ta bombardojë përsëri. Por një fushatë e dytë apo e tretë do të ishte shumë më e vështirë, si teknikisht ashtu edhe diplomatikisht. Irani do të kishte nxjerrë mësime nga hera e parë, ndërsa pjesa tjetër e botës do të humbiste durimin përballë përdorimit të përsëritur të luftës si një zgjidhje e përkohshme.
Amerika, e detyruar të mbështesë Izraelin edhe nëse nuk do të luftonte krah tij, do të përballej me faktin se Lindja e Mesme do t’i përthithte burime ushtarake dhe vëmendje politike që Uashingtoni do të dëshironte t’i përqendronte në Azi. Në fund, bombardimet mund të duken të kota, duke krijuar një përçarje të thellë mes SHBA-së dhe Izraelit.
Trump ka bërë një lojë të rrezikshme. Nëse do të fitojë, përpara e pret një rrugë e gjatë dhe shumë e vështirë.