Analizë

CONSERVATIVE VIEW nga Fitim Zekthi: Që opozita të fitojë ajo duhet të përfaqësojë ndryshimin dhe PD nuk po e bën dot

Shkruar nga Liberale

CONSERVATIVE VIEW nga Fitim Zekthi: Që opozita të fitojë ajo

Fitim Zekthi

Partia Demokratike ka ndërtuar pak a shumë plotësisht koalicionin me të cilin do të hyjë në zgjedhje, ka përvijuar narrativën që do të ndjekë në fushatën e zgjedhjeve dhe ka shfaqur ekipin që do të paraqesë para shqiptarëve si ekipin që sipas saj të jetë qeverisja e nesërme.
Kur një parti ose grupim politik gjendet në opozitë, bien në opozitë ai përpiqet gjatë kohës që është në opozitë të shndërrohet në një projekt politik që kur të vijë koha e zgjedhjeve të përfaqësojë ndryshimin. Në qoftë se një parti apo grupim politik që është në opozitë nuk arrin të perceptohet nga pubiku si ndryshimi ai kurrë nuk arrin të fitojë zgjedhjet vetëm në qoftë se do të ndodhë ndonjë katastrofë apo katrahurë e paimagjinueshme në kampin e qeverisë.

Zakonisht mënyra se si një grupim apo një parti e nis opozitën, sjellja dhe qëndrimet e saj në nisje të opozitës, do me thënë në nisje të mandatit të saj opozitar pasi ka humbur zgjedhjet, do të përkufizojnë edhe gjithë opozitarizmin e saj në vitet e opozitës. Kjo nisje do të përcaktojë edhe mënyrën se si ajo do të shfaqet si alternativa e pushtetarit në zgjedhje.
Partia Demokratike në vitin 2021 u përball pas humbjes së zgjedhjeve me një krizë të thellë. Kjo krizë kishte të bënte me shpalljen non grata të ish kryetarit të saj Sali Berisha nga SHBA-ja. Paaftësia e Partisë Demokratike për të zgjidhur këtë krizë, për të zgjidhur këtë çështje e shtyu Partinë Demokratike në një luftë gati civile. Pas luftës civile Partia Demokratike u rikthye nën drejtimin e ish kryeministrit Berisha. Gjatë gjithë ‘luftës civile’ Sali Berisha dhe ndjekësit e tij ndërtuan narrativën e komplotit të Ramës, të administratës amerikane, të George Soros-it ndaj Sali Berishës dhe Partisë Demoktarike. Sipas tyre ndaj tyre ishte bërë një komplot i thellë dhe i mirëorganizuar ndërkombëtar në të cilin ishte përfshirë sekretari amerikan i shtetit dhe disa prej njerëzve më të fuqsihëm të administartës amerikane për ti shërbyer kryeministrit Rama. Sali Berisha dhe PD-ja do ta thyenin këtë komplot, do ta shkatërronin qëllimin e tij dhe do të bëheshin më të fortë dhe më demokratik.

Kjo nisje e opozitës pas vitit 2021, ky rrugëtim gati katër vjeçar deri tani përcaktoi edhe atë që është sot, përcaktoi edhe atë që përfaqëson sot, përcaktoi edhe natyrën e PD-së, të narrativës, të koalicioneve dhe të ekipit të saj në këto zgjedhje.
Kjo nisje, ky rrugëtim kërkonte padyshim teza radikale, qëndrime radikale, kërkonte një armik të madh dhe një komplot. Kjo nisje, ky rrugëtim kërkonte njerëz besnikë, ndjekës të padiskutim, të gjuhës dhe qëndrimeve të Sali Berishës. Kjo nisje dhe ky rrugëtim kërkonin radhë të forta, bashkim të gjithkujt i cili në vite kishte lidhur PD-në me Berishën dhe Berishën me PD-në duke i bërë një dhe të vetme.

Kështu ndodhi. E gjitha kjo do të çonte në mënyrë të pashmangshme tek kjo opozitë e sotme, tek ky koalicion, tek kjo narrativë dhe tek ky ekip.
Koalicioni nuk ka në vetvete asnjë parti të re e cila kundërshton kryeministrin Rama dhe sistemin e korruptuar të ngritur prej tij por edhe prej gjithë politikës shqiptare në 34 vite. Në koalicion nuk është as Agron Shehaj, as Adratik Lapaj, as Endri Shabani, as Lulzim Basha, as Dash Shehi, as Arlind Qorri dhe askush që msulmon në tërësi gjithë systemin politik të korruptuar i cili sot ka në majë të tij, Edi Ramën. Ky është një koalicion i detyruar, nuk mund të ishte ndryshe. Nëse PD do të hynte në një koalicion me Lapajn apo Shehajn apo Bashën apo Shabanin ajo do të duhej të përmbyste nisjen dhe rrugën katër vjeçare. Nuk mund ta bëjë. Në koalicion do të jetë kushdo që ka patur rol dhe peshë në sistemin 34 vjeçar dhe nuk dëshiron shkallmimin e sistemit. Në koalicion do të ishin edhe figura qesharake që morën mandatet kur PD-ja u tërhoq nga parlamenti.

Nisja dhe rruga katër vjeçare do të impononte vetëm një narrativë. Narrativa është komploti i Ramës dhe i Soros-it vazhdon, ai ka kapur sistemin dhe drejtëisnë, ka në dorë prokurorinë dhe sulmon dhe heton opozitën dhe ata që do Rama dhe komploti. PD-ja do të çlirojë Shqipërinë nga komploti ndërkombëtar dhe do të bëjë atë madhështore. PD nuk mund të thotë që do të “thajë kënetën” që do të luftojë sistemin, që do të luftojë establishmentin, që do të luftojë marëdhëniet klienteliste të biznesit të madh me politikën.

Edhe ekipi, drejtuesit e saj politikë do të jenë njerëz që bartin këtë narrativë, njerëz që mishërojnë frymën e rrugës katërvjeçare. Nuk mund të ketë në të njerëz të rinj konservatorë apo liberal të djathtë. Në të do të ketë vetëm njerëz që përdorin gjuhën me armiq dhe komplote, njerëz që kanë dshmuar besnikëri ndaj kësaj gjuhe, njerëz që kanë qenë në pushtet dhe në dejtimin e PD-së prej vitesh apo edhe dekadash.

Për këtë shkak fitorja e zgjedhjeve pritet vetëm nga rrënimi i qeverisë Rama prej arrestimeve të qeveritarëve të lartë dhe prej Lacivita-s (konsulentit amerikan). Arrestimet e SPAK ndaj drejtuesve të lartë socialistë e kanë dobësuar Ramën dhe socialistët por PD-ja nuk përfiton elektoralisht sepse PD-ja kërkon të shkrijë fare SPAK. Lacivita nuk mund t’i bëjë asgjë PD-së. Ai nuk mund të ndryshojë nisjen dhe rrugën katër vjerçare të PD-së, nisje dhe rrugë që janë shkaku themelor i qëndrimeve të saj sot. Lacivita nuk mund ta bëjë PD-në një parti që përfaqëson ndryshimin, që kërkon shkatërrimin e sistemit të korruptuar 34 vjeçar, tharjen e kënetës, luftën ndaj klientelizmit dhe lidhjes së biznesit me politikën. Vetë PD e sheh Lacivitën jo njeri që do ta këshillojë për fushatën, për gjuhën dhe për qëndrimet, por si njeri që do të bëjë të mundur asocimin e PD-së me presidentin Trump dhe pastaj ky asocijim të prodhojë vota në favor të PD-së. Kjo është një imagjinatë dhe vetëm kaq.

E gjitha kjo nuk e bën dhe nuk mund ta bëjë PD-në një parti që përfaqëson ndryshimin. E gjitha kjo e fut PD-në në një fushatë dëshpëruese.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH