Etnik Brruti është vendosur në presion në Kosovë pasi zgjedhjes së tij për t’u larguar nga dardanët U-21 me qëllim për t’u afruar te Shqipëria A.
Lojtari i Malishevës është pajisur dje me pasaportën shqiptare dhe pritet të jetë në listë për ndeshjen e marsit.
Por nuk do të jetë ky afrimi i fundit nga Kosova, pavarësisht se trajneri i Kosovës U-21, i quajti lojtarët që vijnë te Shqipëria si “tradhtar” që po shkojnë në një Kombëtare e cila do të organizojë Europianin me Serbinë. I ftuar në emisionin Koha Shtesë ishte ish-futbollisti i njohur në Kosovë, Taulant Dajaku.
Sipas Dajakut, në bazë të informacioneve të tij, Silvinjo ka vëzhguar prej kohësh jo vetëm Brrutin, por edhe Dion Gallapenin e Prishtinës dhe Drilon Hazrollaj e Malishevës.
Gallapeni është 20-vjeç dhe luan si mbrojtës i majtë, ndërsa shihet si një zëvendësues ideal i Mario Mitaj. Nga krahu tjetër, Drilon Hazrollaj shihet si një “Edon Zhegrova” i ri, teksa luan në krahun e djathtë të sulmit, por përdor këmbën e majtë, një veçori që Silvinjo e adhuron.
Dajaku tha për "Sport Express" se biseda e këtyre lojtarëve me Shqipërinë ka shkuar shumë serioze dhe pritet që në të ardhmen të vishen kuqezi.