Massimiliano Allegri është shumë pranë rikthimit te skuadra e Milanit. Trajneri italian ka pranuar ofertën e drejtorit të ri sportiv, Igli Tare, vetëm pak orë pasi ajo u bë publike mbrëmjen e së mërkurës.
Allegri ka firmosur një kontratë trevjeçare, ku do të fitojë 5 milionë euro në sezon, plus bonuse që mund të arrijnë deri në 2 milionë euro.
Ky është një rikthim i rëndësishëm për të, pasi ai ka qenë më parë trajner i Milanit nga viti 2010 deri në janar 2014. Gjatë asaj kohe, ai drejtoi skuadrën në 178 ndeshje, duke fituar 91 prej tyre. Ai fitoi titullin kampion në sezonin 2010-2011 dhe Superkupën e Italisë në 2011.
Pas një periudhe pushimi pas largimit nga Juventusi, Allegri do të përballet me një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij të rikthejë Milanin në majat e futbollit pas një sezoni shumë të vështirë.
Milan zgjodhi Allegrin, duke lënë pas konkurrentin Napoli, që e konsideronte atë si opsion në rast të largimit të Antonio Contes.