
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme protokollet e aderimit në NATO për Finlandën dhe Suedinë.
Ministrja e Punëve të Jashtme, OIta Xhaçka, në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të Kryeministrisë, tha se këto protokolle do të kalojnë më pas për ratifikim në Kuvend.
“Dhamë zyrtarisht dakordësinë tonë për zgjerimin e Aleancës dhe përfshirjen në të të këtyre dy vendeve. Këto protokolle do të kalojnë më pas për ratifikim në Kuvend dhe kur kjo procedurë ratifikimi të jetë kryer në parlamentet e të 30 vendeve anëtare të NATO, por edhe nga parlamentet e vetë Finlandës dhe Suedisë, do të bëhet i mundur pranimi i tyre de jure në Traktatin e Atlantikut të Veriut", tha Xhaçka.
Më tej, ministrja shtoi se hapi që finalizon anëtarësimin e dy vendeve skandinave është depozitimi i instrumentit të anëtarësimit pranë Qeverisë së SHBA-ve në cilësinë e shtetit depozitues të këtij traktati.
Dy vendet noridike kanë dorëzuar aplikimet e tyre për anëtarësim në Organizatën Atlantike të Veriut, vendim që është nxitur dhe përshpejtuar pas nisjes së luftës në Ukrainë. Anëtarësimi i tyre është kundërshtuar nga Turqia, pasi sipas saj, Suedia ka strehuar pjesëtarë të organizatës FETO.