Sali Berisha, kreu i Partisë Demokratike, tha sot se nuk do të pranojë kurrë rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit. Ai tha se këto zgjedhje janë një farsë dhe se ata që përpiqen t’i shesin si sukses po mbrojnë krimin dhe Edi Ramën.
Berisha theksoi se opozita nuk fiton në farsat zgjedhore dhe se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira, sepse Rama ka krijuar një “shtet elektoral” që zhvillon vetëm farsë.
Ai u bëri thirrje shqiptarëve që besojnë se zgjedhjet ishin të manipuluara, të përgatiten për të luftuar për votën e lirë dhe për të larguar Edi Ramën.
Ai u shpreh se, “ne kemi zgjedhur rrugën e dytë, të qëndresës për votën e lirë të shqiptarëve”.
Berisha u shpreh se “me Edi Ramën, zgjedhje të lira kurrë nuk mund të ketë. Kjo nuk është asgjë e re. E kam thënë para këtyre zgjedhjeve, e them edhe sot me bindjen më të madhe pasi Edi Rama ka krijuar shtet elektoral dhe zhvillon farsë elektorale”.
“Me shtet elektoral ka vetëm farsë elektorale dhe se Edi Rama zhvillon vetëm farsë elektorale. Dhe se farsat nuk fitohen kurrë nga opozita”, shtoi ai.
“Atëherë ka një qëllim, që çdo qytetar shqiptar, që beson se këto zgjedhje ishin farsë dhe se farsa nuk fitohet kurrë nga opozita, të pyesë veten a është i gatshëm të sakrifikojë për votën e lirë. A është i gatshëm të angazhohet në një betejë për t’u rikthyer shqiptarëve të drejtën e votës së lirë. Çka nënkupton të gjitha përpjekjet, të gjitha sakrificat për ata që besojnë se kjo është një farsë. Për ata që besojnë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe natyrisht largimi i Edi Ramës duhet të jetë qëllimi më madhor i shqiptarëve”, tha Berisha
Kreu i PD theksoi se, “ka dy rrugë. Një rrugë është bojkoti i zgjedhjeve”.
Rruga tjetër, shtoi ai, “është rruga që ndjekim ne. Rruga në të cilin ne marrim pjesë në proces, paraqesim të gjitha dokumentet e vërteta që ishte farsë dhe ftojmë shqiptarët të luftojnë për votën e tyre”.
“Të dyja janë të vështira, por kjo e dyta ka një mbështetje ndërkombëtare. E para mund ta krijojë, por fillimisht nuk ka. E dyta po, ja ku janë raporti, ja ku janë rezolutat. Është pra një betejë e vështirë, por jo e pashpresë”, tha Berisha.
Berisha nënvizoi se, “PD do kërkojë pavlefshmëri dhe të gjitha llojet e ankesave”.
“Farsa është një shkelje universale e ligjeve, e normave, e kritereve. Për ta thënë me një fjalë. Merrni deklaratën e Edi Ramës se kodi zgjedhor është një kinezëri. Që në këtë moment i dëshmon se do zhvillojë farsë dhe jo zgjedhje”, tha ai.