Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kryer një proces rinumërimi për mbi 80% të kutive të votimit në Qarkun e Tiranës, duke zbuluar gabime dhe shtesa të pajustifikuara në numrin e votave për disa parti dhe koalicione.
Deri më tani janë rinumëruar 1,035 nga 1,282 kuti votimi, duke sjellë ndryshime në rezultatin përfundimtar të disa subjekteve.
Nga verifikimi i detajuar, Partisë Demokratike (PD) i ishin shtuar padrejtësisht 567 vota, ndërsa Partisë Socialiste (PS) 356 vota. Gabime të ngjashme u zbuluan edhe për disa parti më të vogla:
Lëvizjes Bashkë: 57 vota të shtuara
Koalicionit “Nisma – Shqipëria Bëhet”: 38 vota të shtuara
Partisë Mundësia: 39 vota të shtuara
PSD-së: 32 vota të shtuara
Ndërkohë, janë evidentuar edhe raste ku partive u ishin zbritur vota në mënyrë të padrejtë. Koalicionit Euroatlantik, më 11 maj, i ishin hequr 22 vota, të cilat tani i janë rikthyer pas rinumërimit.
Gjithashtu, koalicionit Djathtas për Zhvillim iu shtuan 6 vota që më parë nuk ishin përfshirë në rezultat.
Nga ana tjetër, Aleancës Kombëtare Shqiptare iu zbuluan 7 vota më pak, ndërsa Aleanca Demokracia e Re kishte përfituar 11 vota më shumë sesa i takonin.