Kryeminsitri Edi Rama ka folur sërish për planin e Mbretërisë së Bashkuar për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në “qendra kthimi” në vende të treta, gjatë një interviste në të përditshmen britanike ‘The Guardian’, duke e parë Britaninë në një situatë të errët pas daljes nga Unioni Europian.
“Është një nga ato gjëra që 10 vite më parë nuk do të mund të imagjinohej … që Britania të kërkonte vende për të hedhur emigrantët. Fakti që sot jo vetëm imagjinohet, por po ndodh, nuk është për shkak se Keir Starmer apo Rishi Sunak po bëjnë diçka skandaloze, është sepse vendi ndodhet në një gjendje shumë të errët”, tha Rama.
Kreu i qeverisë zbulon për prestigjozen britanike, se kërkesa për kamp nuk është vetëm nga kryeministri aktual Keir Starmer.
“Kam qenë i qartë për këtë që kur ma kërkoi Boris Johnson dhe më pas Rishi … gjithmonë kam thënë jo”, tha shefi i qeverisë.
Rama nënvizon se rasti i Italisë është i veçantë.
“Italia ka qenë gjithmonë aty për ne, në çdo moment të errët dhe situatë të vështirë që nga dita kur dolëm nga ferri i të qenit Koreja e Veriut e Europës,” shtoi ai.
“[Ne] kemi një dobësi për Italinë, prandaj kur Italia na kërkon diçka, themi po, pikë”, tha Rama.
Kryeministri beson se brenda 2030 Shqipëria do të jetë pjesë e BE-së.
“E gjithë qasja ndaj procesit ka ndryshuar në mënyrë dramatike, Tani ata [BE-ja] janë shumë të etur për të ecur përpara … Me agresionin rus gjithçka ndryshoi, kështu që në një farë mënyre edhe Vladimir Putin e bëri këtë, e bëri Europën shumë më të interesuar për bashkimin”, tha Rama.
Teksa u ndal te influeca amerikane, Rama vlerësoi Donald Trump edhe si një figurë pozitive për kontinentin Europian.