Deputeti socialist Petro Koçi i është përgjigjur akuzave të kreut të PD, Sali Berishës gjatë seancës së sotme plenare për manipulim dhe vjedhje të zgjedhjeve.
Në fjalën e tij Berisha, i quajti zgjedhjet e 11 majit një farsë elektorale, ndërsa kryeministrin Edi Rama e cilësoi si “kreun e partisë së krimit”.
Koçi i kërkoi Berishës të mos flasë për vjedhje të zgjedhjeve, pasi sipas tij, ai është kampioni i vjedhjeve.
"Sali ti je i fundit në Republikën e Shqipërisë që mund të flasësh për zgjedhje të lira. Ti je kampioni i vjedhjeve dhe i grushtit të shtetit të ’96. E mban mend çfarë i ke bërë kryetarit të PS në Librazhd dhe në Bulqizë? I masakruat. Një rrahje barbare me bandat tuaja elektorale. Ti burgose Fatos Nanon për politikë. Mos fol më për zgjedhjet. Ti je në të njëjtën frekuencë me Maduron duke akuzuar shqiptarët sikur janë mafia ndërkombëtare e karteleve dhe bandave të drogës. Turp të kesh!"- iu drejtua Koçi Berishës.