Politikë

Basha takim për rindërtimin e Ukrainës me Kryetarin e Komitetit të Punëve të Jashtme të Francës, kërkesë të mbështetet edhe Kosova në KiE

Shkruar nga Liberale

Basha takim për rindërtimin e Ukrainës me Kryetarin e Komitetit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijon takimet e tij të rëndësishme, me politikanë të vendeve me peshë në perëndim.

Basha u prit sot në Asamblenë Kombëtare të Francës nga Jean-Louis Bourlanges, Kryetari i Komitetit për Punët e Jashtme të parlamentit francez.
Në fokus të takimit dhe bisedës mes mes tyre ishte situta në Ukrainë, duke qenë se kreu demokrat është emëruar nga KiE disa muaj më parë si raporter për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.

“Ndërkohë që nesër do të zhvillohet seanca e posaçme e Komitetit Politik mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, kërkova mbështetjen e Francës duke nënvizuar se Kosova anëtare e Këshillit të Europës është një garanci më shumë për ata që pretendojnë mbrojtjen e të drejtave të pakicave atje” theksoi Basha.

“Në përfundim të takimit të përzemërt dhe të frytshëm, pata kënaqësinë ta ftoj z. Bourlanges, një nga personalitetet më të shquar europianë të politikës së jashtme dhe të sigurisë, të vizitojë Shqipërinë në një të ardhme të afërt”- u shpreh kryedemokrati.

Postimi i plotë i Bashës:

Kënaqësi të pritesha sot në Asamblenë Kombëtare të Francës nga Jean-Louis Bourlanges, Kryetari i Komitetit për Punët e Jashtme të parlamentit francez. Biseduam gjerësisht mbi situatën e sigurisë dhe kërcënimet me të cilat po përballet Europa, ndërsa lufta e agresionit rus në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë.

Situata në Ukrainë dhe hapat e ndërmarrë në Europë dhe SHBA në lidhje me mbajtjen përgjegjëse të Rusisë edhe për krimet dhe dëmet e shkaktuara ishin në qendër të takimit.

E njoha Kryetarin e Komitetit për Punët e Jashtme të parlamentit francez me rezolutën për rindërtimin e Ukrainës, ku parashikohet që Federata Ruse ka detyrimin për të kompensuar Ukrainën, qytetarët, sipërmarrjet dhe qeverinë e saj, për dëmet e shkaktuara nga aktet e saj të paligjshme. Në funksion të këtij qëllimi është edhe konfiskimi i aseteve të ngrira të Federatës Ruse dhe vendosja e tyre në mbështetje të Ukrainës.

Përtej ndihmës për Ukrainën ky hap përbën edhe një mesazh të qartë ndaj agresorëve dhe atyre që përpiqen të përfitojnë prej agresionit.

Të tilla janë përpjekjet për destabilizim në rajon, ku synimet e Moskës me mbështetjen e aleatëve të saj në Serbi, janë zhytja e Ballkanit Perëndimor në kaos dhe minimi i arkitekturës së sigurisë së krahut juglindor të NATO-s, duke provokuar një front të ri në zemrën e Aleancës.

Ndërkohë që nesër do të zhvillohet seanca e posaçme e Komitetit Politik mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, kërkova mbështetjen e Francës duke nënvizuar se Kosova anëtare e Këshillit të Europës është një garanci më shumë për ata që pretendojnë mbrojtjen e të drejtave të pakicave atje.

Në përfundim të takimit të përzemërt dhe të frytshëm, pata kënaqësinë ta ftoj z. Bourlanges, një nga personalitetet më të shquar europianë të politikës së jashtme dhe të sigurisë, të vizitojë Shqipërinë në një të ardhme të afërt.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH