Kryetari i PD-së, Sali Berisha komentoi sot vendimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të shtyrë me të paktën një vit fuqinë e një urdhri ekzekutiv që ka të bëjë me gjendjen emergjente kombëtare në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë një komunikimi me gazetarët, Berisha deklaroi se ky urdhër, në të cilin përmenden edhe individët e përfshirë në “korrupsion të rëndësishëm” do të ketë efekt mbi kryeministrin Edi Rama.
“Tre ditë para, kryeministri i Shqipërisë, nga media kryesore numër një e SHBA dhe e botës, u damkos Ramaduro. Tjetër, tre javë më parë, një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë solli këtu mesazhin e Ministrisë së Drejtësisë së SHBA me të cilin kërkon që Shqipëria të merret me kartelet e saj të drogës. Po për kë bien këto kambana? Pra, si të mos e shpallë atë presidenti Trump, Ballkanin një zonë të rrezikshme. Kjo është arsyeja. Kartelet po, Ramaduro po, janë të gjitha së bashku”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe emërimin e anëtarit të kryesisë së PD-së, Genc Deromemaj në krye të Kadastrës së Vlorës, duke sqaruar se 10 ditë më parë zoti Deromemaj e ka njoftuar që do të largohej nga Partia Demokratike.
“Kjo është një zgjedhje e tij dhe unë personalisht e kam thënë dhe e përsëris prapë, thelbin e lirisë e konsideroj të drejtën e zgjedhjes së njeriut. Ai ka bërë një zgjedhje, ka marrë një funksion, ka marrë një post, të cilin një demokrat nuk e merrte kurrë, por zgjedhja është e tij”, tha Berisha.
Genc Deromemaj ka garuar me PD për bashkinë e Vlorës në vitin 2015. Ai ka qenë edhe kryetar i degës së PD-së në këtë qytet. Në shtatorin e vitit 2021 Deromemaj ishte ndër të parët që doli kundër Lulzim Bashës dhe u bashkua me lëvizjen e Sali Berishës.
Ai u zgjodh në kryesinë e PD në vitin 2022 dhe në këshillin kombëtar. Pas publikimit të lajmit se Genc Deromemaj u emërua drejtor i Kadastrës së Vlorës, PD e ka hequr emrin e tij nga lista e anëtarëve të kryesisë edhe pse emri i tij mbetet ende tek anëtarët e Këshillit Kombëtar./vizionplus.tv