Politikë

A do ja dalin dot të vegjlit e rinj në zgjedhjet e 2025-ës përballë të vjetërve, PS-PD?

Shkruar nga Reldar Dedaj
A do ja dalin dot të vegjlit e rinj në zgjedhjet e 2025-ës

Në tridhjetë e ca vite pluralizëm politik Shqipëria njeh vetëm disa përpjekje të dështuara të partive të reja për të hyrë në skenën politike dhe për të spostuar dy partitë e mëdha, PS dhe PD.

Përveç LSI-së së Ilir Metës në vitin 2004, askush tjetër, s’ka mundur dot të lërë gjurmë.

Megjithatë, dëshira për të thyer “statu quo-në” politike të çimentuar nga dinozaurët në vend, u bë pothuajse e pamundur pas vitit 2008, kur Berisha dhe Rama bënë marrëveshjen për kodin zgjedhor, duke ndryshuar edhe Kushtetutën, me logjikën se fituesi i merr të gjitha dhe humbësi pret në radhë. Kjo qasje e të dyve, për hir të së vërtetës, i pamundësonte një partie të re, të zinte vend në parlament.

Një marrëveshje e tillë politike, edhe pas 16 vitesh, vazhdon të jetë ende në lojë, pavarësisht problematikave tepër serioze që ka shfaqur në nivelin e demokracisë në vend.

Edhe pse një panoramë kaq e zymtë vazhdon e qëndron pezull mbi krye, mund të thuhet pa drojë, se nuk ka penguar disa tentativa të atyre që shpresojnë të futen në garë për të luftuar me dy partitë e mëdha, që ata i quajnë të vjetra.

Nisur nga një sondazh i Euronews Albania për majin e vitit 2024, rezulton se pëlqyeshmëria për partitë e reja janë këto:

Adriatik Lapaj me 40,8%

Agron Shehaj me 30,2%

Arlind Qori me 23,8%

Endri Shabani me 19,6%

Pyetja është se sa realisht këtë pëlqyeshmëri do e kthejnë në votë?

“Lëvizja Bashkë,” e drejtuar nga Arlind Qori mori pjesë në zgjedhjet e kaluara lokale. Kreu i kësaj partie është i njohur më shumë për qëndrimet kundër partive të vjetra dhe veçanërisht për ligjërimin e tij agresiv, ndaj oligarkisë ekonomike në vend. Ai dhe partia e tij arritën të grumbullonin 13,851 vota, një rezultat i konsideruar i kënaqshëm për një lëvizje të re. Në zgjedhjet e ardhshme, “Lëvizja Bashkë” do të jetë një alternativë e vetme dhe pa aleatë.

Qori ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi, edhe me dy subjekte të tjera të reja që mund të jenë të pranishme. Njëra prej tyre është “Shqipëria Bëhet,” e drejtuar nga avokati Adriatik Lapaj, i cili në daljet publike fokusohet te korrupsioni dhe kundërshtimi i partive tradicionale.

Një tjetër parti e re që pritet të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme është “Nisma Thurrje,” e drejtuar nga Endri Shabani. Ai dhe Adriatik Lapaj nuk kanë fshehur simpati për njëri-tjetrin dhe kanë diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit.

Një tjetër formacion politik i ri është partia “Mundësia,” e krijuar nga Agron Shehaj, një deputet i zgjedhur nga listat e PD-së. Shehaj, pas humbjes në garën për kryetar partie ndaj Lulzim Bashës, u bashkua me Foltoren e Berishës, por pa u zgjedhur në asnjë forum drejtues. Pas kësaj, ai formoi partinë e tij.

Partia më e re, deri më tani, është ajo e krijuar nga disa ish-deputet të Partisë Demokratike, të cilët pas kalimit të logos dhe vulës së partisë me vendim të formës së prerë tek rithemelimi i Berishës, vendosën të largohen nga grupi parlamentar demokrat, për të hapur lëvizjen më të re politike “Djathtas 1912”. Para pak ditësh, Enkelejd Alibeaj, Arbri Agalliu, Flutura Açka dhe Edvin Kulluri e disa emra të tjerë prezantuan thelbin e subjektit të tyre politik, duke premtuar se në ditët në vazhdim do të prezantonin edhe programin politik.

Çdokush që nxjerr në pah degradimin e sistemit tonë politik, si majtas edhe djathtas, përballet me akuzën se nuk ofron alternativë. Kjo ka qenë të paktën prej tridhje e ca vitesh deviza kryesore e dy forcave më të mëdha politike në vend, shkaktare themelore për keqadministrimin e vendit, nivelin e lartë të shpopullimit, uljes së prodhimit, braktisjes së vendit, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në fakt krejt e kundërta është e vërtetë. Refuzimi i partive tradicionale është e vetmja alternativë reale në skenën tonë politike. Por sa do ja dalin dot partitë e reja ta kuptojnë një gjë të tillë, me qëllimin që rreziku vjen nga e vjetra dhe jo nga bashkimi i të resë në një front të vetëm kundër të vjetrës, këtë do ta shohim në ditët në vijim. Deri më tani ende nuk ka ndodhur dhe gjasat që të ndodhë një gjë e tillë duken shumë të pakta... /Liberale.al

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH