Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Baikalsk, në rajonin Irkutsk të Siberisë, ku pesë adoleshentë humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën pas një sulmi me thikë.
Sipas raportimeve nga agjencia ruse Tass dhe njoftimeve zyrtare të policisë, ngjarja ndodhi në një shtëpi ku një grup të rinjsh ishin mbledhur. Në një moment, një prej tyre sulmoi të tjerët me thikë, duke shkaktuar vdekjen e katër adoleshentëve në vend.
Personi që kreu sulmin dyshohet se më pas i vuri flakën shtëpisë dhe vetë humbi jetën nga zjarri. Hetuesit konfirmuan se trupat e pesë viktimave, përfshirë edhe autorin e dyshuar, u gjetën në vendngjarje. Ndërkohë, katër të rinj të tjerë janë dërguar në spital dhe po marrin trajtim mjekësor.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, që ka lënë pas një tragjedi të vërtetë në komunitetin lokal.