Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, shfrytëzoi Samitin e NATO-s për të bërë thirrje për paqe në Lindjen e Mesme. Ai kërkoi që armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit të bëhet i përhershëm dhe të vendoset urgjentisht një pushim-zjarri në Rripin e Gazës, për të ndihmuar në lehtësimin e krizës humanitare që po përkeqësohet dita-ditës.
Sipas zyrës së tij, gjatë samitit Erdogan ka zhvilluar takime me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, ku është diskutuar për tensionet rajonale, raportet me BE-në dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Në një tjetër takim të rëndësishëm, Erdogan u takua edhe me presidentin amerikan Donald Trump, ku theksoi nevojën për qetësi afatgjatë në rajon.
“Presidenti Erdogan mirëpret armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit, por thekson se paqja duhet të jetë e qëndrueshme. Ndërkohë, kriza në Gazë po bëhet gjithnjë e më e rëndë dhe kërkon një zgjidhje të menjëhershme,” – thuhet në njoftim.
Turqia, si anëtare e NATO-s, ka qenë një kritikë e fortë e veprimeve të Izraelit në Gaza. Konflikti që nisi më 7 tetor 2023 ka shkaktuar dëme të mëdha dhe zhvendosjen masive të popullsisë palestineze.
Të njëjtin mesazh Erdogan përcolli edhe gjatë takimit me kancelarin gjerman Friedrich Merz, ku kërkoi një zgjidhje për krizën humanitare në enklavë.