Një ngjarje tronditëse ka prekur opinionin publik në Britaninë e Madhe dhe më gjerë, pasi u konfirmua se një fëmijë vetëm dy vjeç, Ethan Ives-Griffiths, ka humbur jetën si pasojë e një abuzimi të rëndë dhe të vazhdueshëm brenda familjes.
Ethan vdiq më 14 gusht 2021 në shtëpinë e gjyshërve të tij në Flintshire, në veri të Uellsit. Ai u gjet në një gjendje jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore – i dehidratuar rëndë, i dobësuar dhe me mbi 40 shenja goditjesh në trup. Më tragjikja, ai pësoi një dëmtim fatal në kokë që i mori jetën.
Gjyshërit e tij, Michael Ives (47 vjeç) dhe Kerry Ives (46 vjeç), si dhe nëna e tij, Shannon Ives, janë shpallur fajtorë për vrasje dhe keqtrajtim të fëmijës. Gjatë gjykimit, u prezantua një video tronditëse nga kamerat e sigurisë së brendshme në shtëpinë e familjes, ku Michael Ives shihej duke e mbajtur Ethan-in nga krahët dhe duke e goditur pa mëshirë.
Sipas autoriteteve, Ethan ishte pjesë e regjistrit të mbrojtjes së fëmijëve dhe duhej të monitorohej nga shërbimet sociale çdo 10 ditë. Megjithatë, në javët e fundit para vdekjes së tij, punonjësve socialë nuk u është lejuar hyrja në shtëpi nga familja një alarm i madh që fatkeqësisht nuk u mor në kohë.