Një tërmet i fuqishëm me epiqendër në gadishullin Kamchatka ka shkaktuar një alarm të nivelit të lartë për cunami në Japoni, duke detyruar më shumë se 1 milion banorë të evakuohen nga zonat bregdetare të vendit. Autoritetet japoneze ndërmorën masa të menjëhershme duke organizuar evakuime të koordinuara në mbi 220 qytete dhe komuna përgjatë bregut të Paqësorit.
Sipas agjencisë Associated Press, operacioni i gjerë i zhvendosjes së popullatës u koordinua nga Agjencia për Menaxhimin e Zjarrfikësve dhe Katastrofave në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendore. Alarmin e hershëm dhe ndërhyrjen në kohë e vlerësuan edhe organizatat ndërkombëtare që monitorojnë aktivitetin sizmik.
Rreziku nga cunami nuk është kufizuar vetëm në Japoni. Paralajmërime janë lëshuar edhe për disa vende të tjera të rajonit të Paqësorit, përfshirë Kilin, Perunë, Ekuadorin, Meksikën dhe Ishujt Solomon. Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë CNBS, sistemet e monitorimit sizmik janë vënë në gatishmëri të plotë, ndërsa ekspertët po ndjekin nga afër çdo lëkundje dhe rrezik të mundshëm.
Fatmirësisht, deri tani nuk raportohet për viktima apo dëme të mëdha, por autoritetet paralajmërojnë se rreziku nuk ka kaluar plotësisht dhe bëjnë thirrje për vigjilencë të lartë.