Kaos dhe tension i lartë përfshiu Parlamentin e Ukrainës të enjten, ku dy deputetë u përleshën fizikisht me grushte para votimit të një ligji kyç që garanton pavarësinë e institucioneve antikorrupsion. Përplasja ndodhi gjatë një seance të transmetuar drejtpërdrejt, e para e këtij lloji që nga fillimi i luftës me Rusinë.
Ligji në fjalë, i cili kaloi me 331 vota pro dhe asnjë kundër, parashikon garantimin e funksionimit të pavarur të Byrosë Kombëtare Antikorrupsion dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit – dy institucione të rëndësishme për luftën ndaj korrupsionit në vend.
Tensionet në sallë u ndezën pas kundërshtimeve ndaj një ligji të mëparshëm, të nënshkruar në heshtje nga Presidenti Volodymyr Zelensky, që vendoste këto agjenci nën kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ky hap nxiti protesta masive në Kiev, përkundër ndalimit të tubimeve publike, dhe kritika të ashpra nga BE, SHBA dhe organizatat ndërkombëtare.
Si pasojë, BE pezulloi 1.7 miliardë dollarë ndihmë financiare, duke kërkuar sqarime dhe kthim pas. Nën presion të fortë ndërkombëtar dhe shoqëror, Zelensky pranoi gabimin dhe njoftoi ndryshimin e ligjit.
“Ukraina është një demokraci që dëgjon popullin. Ligji i ri siguron pavarësinë e institucioneve kundër korrupsionit”, deklaroi presidenti.
Zyrtarët e Bashkimit Europian përshëndetën këtë kthesë si një hap të domosdoshëm për integrimin europian të Ukrainës, si dhe për vazhdimin e mbështetjes perëndimore në luftën kundër agresionit rus.