Një fluturim i Delta Airlines nga Salt Lake City drejt Amsterdamit është shndërruar në një udhëtim horror për pasagjerët, pasi avioni pësoi një rënie të befasishme prej rreth 460 metrash për vetëm 85 sekonda, për shkak të turbulencave ekstreme.
Ngjarja ndodhi dy orë pas nisjes, ndërsa avioni ndodhej në hapësirën ajrore mbi SHBA. Si pasojë, të paktën 25 persona u plagosën, mes tyre edhe anëtarë të ekuipazhit. Fluturimi u detyrua të devijohej për një ulje emergjente në aeroportin ndërkombëtar Minneapolis/St. Paul, rreth orës 17:30 të pasdites së së mërkurës.
Sipas dëshmive të pasagjerëve, skena në kabinë ishte dramatike. Karrocat me ushqime u ngritën në ajër dhe përplasjet ishin të forta. Disa pasagjerë që nuk kishin vendosur rripin e sigurimit u hodhën lart dhe u përplasën me tavanin e avionit.
“Ishte si një film horror. Njerëzit fluturonin në ajër. Një grua më ra sipër, dëgjova britma dhe dikush kishte thyer brinjët,” tha pasagjerja LeeAnn Clement-Nash për ABC News.
Fotot nga brenda avionit tregojnë ushqim, pije dhe sende personale të shpërndara gjithandej, ndërsa disa stjuardesa ishin rrëzuar gjatë incidentit. Avioni mbante gjithsej 275 pasagjerë dhe 13 anëtarë ekuipazhi.
Të gjithë të lënduarit u transportuan menjëherë në spital për trajtim, ndërsa autoritetet ajrore kanë nisur hetimin për incidentin.