Një tjetër skandal ka tronditur politikën ruse, këtë herë në nivelet më të larta të pushtetit. Në qendër të vëmendjes është ministri i ri i Mbrojtjes, Andrei Belousov, 66 vjeç, i cili dyshohet për një lidhje me një vajzë të re 23-vjeçare, Maria Shalaeva.
Historia u bë publike pasi vetë Maria publikoi në rrjetet sociale foto dhe video nga një udhëtim me një avion ushtarak tip Ilyushin-76, që i përket Ministrisë së Mbrojtjes. Ajo ishte duke udhëtuar drejt qytetit Rostov-on-Don, ku ndodhet një bazë e rëndësishme ushtarake ruse. Në postimet e saj, ajo bëri komente ironike, duke shkruar:
“Kush thotë që aeroplanët nuk fluturojnë për në Rostov?”
dhe më pas:
“Po, por jo të gjithë.”
Në një nga videot, shihet edhe një burrë me flokë gri që i ngjan shumë ministrit Belousov. Kjo ka mjaftuar për të ndezur thashethemet dhe zemërimin në publik.
Por përveç aspektit moral të lidhjes, situata është bërë më serioze pasi videoja u realizua brenda një avioni ushtarak dhe në një zonë me rëndësi të lartë strategjike për Rusinë – një shkelje e hapur e protokolleve të sigurisë.
Nuk mbaron me kaq. Sipas mediave të pavarura ruse, Maria ka marrë me vete në udhëtim edhe djalin e saj trevjeçar, Tim. Ajo shkroi me krenari:
“Në moshën tre vjeç, ai tashmë ka fluturuar në një avion ushtarak.”
Kjo ka shtuar dyshimet se fëmija mund të jetë i vetë zyrtarit të lartë.