Policia italiane ka finalizuar me sukses një operacion antidrogë në qytetin Nichelino, pranë Torinos, duke sekuestruar mbi 11 kilogramë kokainë dhe arrestuar tre persona, dy prej të cilëve janë shtetas shqiptarë dhe një shtetase italiane.
Operacioni u zhvillua nga Skuadra Mobile e Torinos, pas një pune të gjatë hetimore dhe informative për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike. Agjentët kishin marrë informacion se në zonën industriale të Nichelinos mund të ndodhte një shkëmbim droge, ndaj organizuan një aksion të posaçëm survejimi.
Gjatë operacionit, policia vëzhgoi lëvizjet e dy automjeteve, që mbërritën pothuajse në të njëjtën kohë në një parking përballë një objekti rural. Një nga automjetet qëndroi e parkuar, ndërsa tjetra bëri disa lëvizje të dyshimta përpara se të bashkohej me të parën. Kjo sjellje ngjalli dyshime të forta tek hetuesit.
Pak minuta më vonë, një nga personat zbriti nga makina e dytë me një qese najloni në dorë, iu afrua makinës tjetër, dhe më pas u kthye për ta vendosur qesen në automjetin e tij. Në këtë moment, agjentët ndërhynë duke ndaluar të tre personat për kontroll.
Gjatë kontrollit të automjeteve, në qesen e najlonit u gjetën rreth 7.7 kilogramë kokainë të ndarë në pako, ndërsa në makinën tjetër u zbuluan 3.5 kilogramë të tjerë, pjesërisht të fshehur në një ndarje të improvizuar nën sediljen e pasagjerit. Gjithashtu, gjatë kontrollit të një cascinali (fermë e braktisur) pranë vendit të ngjarjes, ku njëri nga të ndaluarit kishte akses me çelës, u sekuestruan 4.800 euro në para dhe materiale për paketimin e drogës.
Pas arrestimit, tre të ndaluarit u paraqitën para gjykatësit për verifikimin e masës së sigurisë. Gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg për të tre.
Hetimet vijojnë për të zbuluar rrjetin e mundshëm të përfshirë në trafikun e drogës dhe lidhjet e mundshme me grupet kriminale.