Autoritetet japoneze kanë ekzekutuar me varje Takahiro Shiraishi, 34 vjeç, i njohur në media si “vrasësi i Twitter-it”. Ky është ekzekutimi i parë në Japoni që nga korriku i vitit 2022 dhe ka rikthyer vëmendjen mbi një prej rasteve më të tmerrshme të vrasjeve seriale në vend.
Shiraishi u dënua me vdekje në vitin 2020, pasi u shpall fajtor për vrasjen dhe gjymtimin e nëntë personave në vitin 2017. Viktimat e tij ishin të rinj – kryesisht vajza – të moshës 15 deri në 26 vjeç, të cilët kishin postuar në rrjetet sociale mendime për vetëvrasje.
Ai i kontaktonte përmes Twitter-it duke u prezantuar si një person që do t’i “ndihmonte të vdisnin” ose do të “vetëvritej me ta”. Pasi i sillte në banesën e tij në qytetin Zama, Shiraishi i përdhunonte, vriste dhe më pas i copëtonte, duke i ruajtur pjesët e trupave në frigoriferë dhe kuti plastike, për të fshehur erën e dekompozimit.
Në banesën e tij, policia gjeti 240 pjesë trupash njerëzorë, të ruajtura në mënyrë makabre së bashku me mjete prerëse si thika, gërshërë dhe një sharrë.
Shiraishi u arrestua më 31 tetor 2017 pas hetimeve për zhdukjen e një 23-vjeçareje. Vëllai i saj kishte arritur të futej në llogarinë e saj në Twitter dhe kishte zbuluar mesazhe me një llogari të dyshimtë – e cila rezultoi të ishte e Shiraishit, që e prezantonte veten si “ekzekutues profesionist”.
Gjatë gjyqit, avokatët e tij pretenduan se viktimat kishin rënë dakord të vdisnin, por gjykata i rrëzoi argumentet dhe theksoi se motivi i Shiraishit kishte qenë kënaqësia seksuale dhe kontrolli mbi viktimat, jo ndihma për vetëvrasje.