Një aksident tragjik ajror ka ndodhur këtë të shtunë në Austri, ku një avion i vogël është rrëzuar në një zonë malore të vështirë pranë kufirit me Tirolin e Veriut, duke shkaktuar vdekjen e katër personave që ndodheshin në bord.
Mjeti ajror ishte nisur nga Oberschleissheim, afër Mynihut në Gjermani, dhe u rrëzua në zonën pyjore të Pinzgau, pranë rrugës Gerlosstrasse B165. Sipas shërbimeve të emergjencës, avioni shpërtheu në flakë pas përplasjes, çka e bëri shumë të vështirë ndërhyrjen për shpëtim.
Zjarrfikësit arritën të vendosin nën kontroll flakët, por fatkeqësisht nuk është gjetur asnjë i mbijetuar mes rrënojave. Autoritetet austriake kanë konfirmuar se katër persona kanë humbur jetën, por identiteti i tyre ende nuk është bërë publik.
Sipas dyshimeve paraprake, mjeti mund të ketë qenë një planer i motorizuar. Kontaktet me radarët ajrorë janë ndërprerë papritur, duke ngritur pikëpyetje për shkaqet që çuan në rrëzimin fatal.
Hetimet janë në vazhdim, ndërsa ngjarja ka tronditur jo vetëm autoritetet lokale, por edhe opinionin publik në Austri dhe Gjermani. Gazeta gjermane BILD ka cituar burime policore që konfirmojnë numrin e viktimave, por identitetet pritet të zbulohen pas njoftimit zyrtar dhe njoftimit të familjarëve.