Të paktën 18 persona mbetën të plagosur mbrëmjen e 4 korrikut në aeroportin e Palmës në Majorka, pasi pasagjerët u detyruan të evakuoheshin me urgjencë nga një avion i kompanisë Ryanair.
Fluturimi RK3446 ishte planifikuar të nisej për në Mançester në orën 22:50, por gjatë lëvizjes në pistë, në bord u dha alarm për zjarr. Më vonë rezultoi se alarmi ishte i rremë, por ekuipazhi vendosi të evakuonte menjëherë të gjithë pasagjerët për siguri.
Në rrjetet sociale është publikuar një video që tregon njerëzit duke kërcyer nga krahu i avionit, rreth 3 metra mbi tokë. Shumë prej tyre u lënduan gjatë zbritjes. Në raste emergjente përdoren zakonisht rrëshqitëset e shpëtimit, por në këtë rast vetëm njëra prej tyre – ajo në derën e përparme të majtë – ishte në funksion. Ende nuk dihet pse rrëshqitëset e tjera nuk u përdorën.
Sipas shërbimeve të emergjencës, gjashtë nga të plagosurit u dërguan në spital për trajtim.
Ryanair ka reaguar pas ngjarjes, duke sqaruar se pasagjerët u evakuuan menjëherë dhe morën ndihmën e nevojshme. Kompania kërkoi ndjesë për shqetësimin dhe bëri të ditur se një avion zëvendësues u dërgua për të vazhduar udhëtimin, i cili u nis mëngjesin e 5 korrikut në orën 07:05.