Tragjedia në Teksas thellohet, ndërsa numri i viktimave nga përmbytjet e rënda është rritur në 27, përfshirë 9 fëmijë, njoftojnë autoritetet lokale. Agjencia e lajmeve AP raporton se kërkimet për të zhdukurit po vazhdojnë intensivisht.
Më shumë se 20 vajza që ndodheshin në një kamp veror rezultojnë ende të zhdukura. Autoritetet kanë konfirmuar vdekjen e Jane Ragsdale, drejtoreshë dhe bashkëpronare e Kampit të Vajzave “Hart O’d Hills” në Hunt.
Situata është veçanërisht e rëndë në Qarkun Kerr, ku mbi 230 persona janë shpëtuar ose evakuuar. Shumë prej tyre janë nxjerrë nga zonat e përmbytura me helikopterë, pasi niveli i ujit është rritur në mënyrë të papritur dhe ekstreme, për shkak të reshjeve që konsiderohen si “një herë në 100 vjet”.
Një nga kampet më të goditura është Kampi Mystic, një kamp privat i krishterë për vajza, i vendosur pranë një lumi që u rrit me mbi gjashtë metra në më pak se dy orë. Ekipet e shpëtimit janë ende në terren, me shpresën për të gjetur të mbijetuar.